EKSKLUZIVE/ “Kush e priste fitoren 4-0 të Bylisit?”, Naser Aliji: Kampionat i palexueshëm, Dinamo ka më shumë potencial
Me tetë ndeshjet radhazi pa hum bje Dinamo ka vërtetuar në një farë mënyre se këtë sezon i ka bërë llogaritë ndryshe. Blutë pretendojnë fort se do të jenë në “Final 4” dhe pse jo të fitojnë një trofe që u mungon prej shumë vitesh.
Stabiliteti në rezultate është një tregues, loja në momente të caktuara po ashtu, por Dinamo ende nuk ka arritur në pikën që të shfaqë gjithë potencialin e saj. Kështu mendon edhe Naser Aliji, ish-lojtari i Kombëtares, që po luan sezonin e parë në Superiore me fanellën blu. Ai ka përmirësuar gjendjen fizike dhe ka fituar tashmë statusin e titullarit, madje edhe në një rol jo natyral për të.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi 30-vjeçar thekson se ky kampionat nuk po “lexohet” qartë, ndërsa Dinamon e pret më mirë nga java në javë.
Naser, u bënë 10 ndeshje nga ky kampionat dhe ju i njihni tashmë gjithë kundërshtarët dhe fushat. Çfarë gjykimi keni për garën në Superiore?
Mendimi im është se kampionati është realisht ai që tregon tabela e renditjes. Nuk ka asnjë skuadër që të mendosh se ajo është më e dobëta dhe po ashtu asnjë skuadër që ta quash më të fortën. Të gjithë janë aty-aty, çdo ekip mund të mundë çdo kundërshtar, kështu që pas këtyre 10 javëve nuk mund të veçosh askënd. Kujt ia merrte mendja se Bylisi do të fitonte 4-0 me Teutën? Besoj se gara do të vazhdojë të jetë në këto nivele edhe më tej, me të gjitha skuadrat të përfshira në luftë për kreun.
Po për Dinamon tuaj, çfarë vlerësimi keni pas këtyre ndeshjeve të fundit?
U bënë tetë ndeshje me rezultate pozitive dhe kjo është diçka e rëndësishme për një skuadër. Mund të veçoj faktin se nuk jemi dorëzuar asnjëherë kur kemi qenë në disavantazh, kemi treguar karakter dhe këmbëngulje dhe kemi marrë pikë në çdo ndeshje. Mendimi është se Dinamo ka më shumë potencial se sa ka treguar deri tani në fushë. Ende nuk kemi arritur të shfaqim vlerat më të mira dhe atë që kërkon trajneri. Kam shumë besim se do të jemi më mirë në ndeshjet e ardhshme dhe po ashtu edhe në tabelën e renditjes.
A ka diçka që ju bën më shumë përshtypje në skuadrën tuaj?
Më bën përshtypje pozitivisht fakti që kemi një grup shumë të mirë. Jemi një grup shumë i bashkuar në fushë dhe jashtë saj. Lojtarët që luajnë dhe ata që nuk luajnë, të gjithë jemi bashkë dhe mendoj se kjo atmosferë shumë e mirë do të na ndihmojë në këtë sezon të gjatë për të bërë diçka të mirë për klubin. Pastaj është edhe profesori që nuk na lë shumë të relaksohemi e të shpërqendrohemi.
Po luani si mbrojtës qendre ndeshjet e fundit. A e keni bërë më parë këtë rol, si ndiheni?
Jo, nuk kam luajtur më parë në qendër në mbrojtje me katër. Për mua nuk është problem, jam i gatshëm të ndihmoj skuadrën sa më shumë. Me eksperiencën që kam, mund të bëj edhe role të tjerë në fushë, përveç mbrojtësit të majtë.
Ku e shihni Dinamon në fund të këtij kampionati, cili është rivali më i fortë me aq sa keni parë?
Nuk dua të them një emër, sepse ndoshta do të gaboja. Tabela e renditjes është shumë e ngjeshur në pjesën lart, por besoj se Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo do të jenë në atë katërshen e parë në fund, ku do të luhen shanset e titullit kampion. Është një garë shumë e gjatë përpara dhe do të shohim si do të shkojnë gjërat javë pas jave.
Si e prisni ndeshjen e radhës me Bylisin, që luhet ditën enjte?
Do të thosha se duhet të jemi shumë të kujdesshëm. E përmenda edhe më lart se nuk mund të parashikosh asgjë. Bylisi mundi thellë Teutën dhe duhet të jemi të përgatitur sa më mirë për këtë ndeshje. Çdo kundërshtar është shumë i vështirë dhe ne duhet t’ia bëjmë shërbimin si duhet në fushë.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"