EKSKLUZIVE/ “Ky ekip mund të bëjë gjëra të mëdha”, Shaba: Vllaznia të sulmojë kreun, Dodaj si diamant (E PLOTË)
Ish-administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba, ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ku ka komentuar ecurinë e javëve të fundit për shkodranët, duke u ndalur më në veçanti te ndeshja e fundit e fituar në shifrat 1-3 ndaj Teutës.
Sipas Shabës, ekipi ka ecur në rrugën e duhur, por ende pritet diçka më tepër. Ai thekson gjithashtu se çështja e katërshes së parë të klasifikimit është e mbyllur dhe 9 herë kampionët e vendit duhet të kenë synim renditjen në dy vendet e para në fund të sezonit të rregullt.
Shaba, një Vllazni që reagon mirë në Durrës pas humbjes me Egnatian, apo jo?
Skuadra reagoi ashtu siç pritet nga një ekip pretendent dhe me cilësi. Për mendimin tim tregoi karakter dhe grintë kundër Teutës dhe dominoi nga nisja e takimit deri në fund, duke merituar tri pikët e duke mos vënë asnjëherë në dyshim fitoren. Diferencat e tabelës së klasifikimit u panë qartë në fushën e lojës ditën e premte mes dy skuadrave.
U duk sikur diçka kishte ndryshuar në mentalitetin e skuadrës kundër Teutës?
Po, është e vërtetë që qasja ishte ndryshe nga herët e tjera. Ekipi u fut në fushë me mentalitetin e duhur, për ta zgjidhur ndeshjen që herët dhe ia doli të bënte diçka të tillë. Mesa duket këshillat dhe ndryshimet e trajnerit kanë ndikuar pozitivisht te skuadra, e cila u përgjigj siç duhet kundër Teutës.
Sa garanton për suksesin kjo skuadër?
Skuadra ka cilësi, ka eksperiencë dhe mund të arrijë gjëra të mëdha. Ka episode që ndoshta e kanë ndëshkuar këtë sezon, ndoshta nga mendjelehtësia, pasi ka pësuar shpesh gola të evitueshëm. Por besoj se tani loja është bërë “serioze” dhe ekipi më duket në “shinat” e duhura. Pavarësisht kësaj, gjithmonë ka nevojë për përmirësime, sidomos në futbollin shqiptar, ku po të hysh në detaje gjen plot mangësi.
Ishin goditje të sakta afrimet e janarit?
Afrimi i një mbrojtësi si Repaj mu duk i saktë, sepse skuadra ka vuajtur në prapavijë. Drejtuesit e panë të udhës të afronin një futbollist në këtë repart. Ndërsa për Mensah mund të them se ai do jetë thjesht një rezervë e Balajt. Nuk mendoj se do të përdoret aq shumë, pasi Bekimi (Balaj) është i pazëvendësueshëm. E po ashtu shohim që gëzon një përgatitje fizike të shkëlqyer dhe nuk e shoh se mund të ulet në stol në ndonjë ndeshje, qoftë edhe për të pushuar.
Si e vlerësoni mbajtjen e Dodajt në ekip?
Dodaj është “diamanti” i radhës i akademisë Vllaznia dhe e pamë se çfarë dhuroi edhe në Durrës këtë javë. Besoj se është pozitive si për të, edhe për klubin qëndrimi i tij. Nuk ka pse të jetë “pishman” që nuk u transferua jashtë vendit këtë merkato. Po të vijojë me këto paraqitje, të jetë i sigurt që kap një “top” ekip në merkaton verore.
Tashmë e sigurt drejt “Final 4”, cili duhet të jetë synimi i radhës për Vllazninë?
“Final 4” as që e diskutoj më për asnjërën nga skuadrat. Kam qenë i bindur që në fillim të kampionatit që do të ishin këto ekipe që do të kryesonin. Jam shtyrë nga përbërja dhe cilësia që kanë skuadrat. Vllaznia tashmë duhet të ketë synim renditjen në dy vendet e para, që të jep avantazhin e barazimit në ndeshjet gjysmëfinale të “play off”. Ai duhet të jetë synimi i radhës për ekipin në këto javë.
Kush është kundërshtari më i fortë, sipas jush?
Të gjithë janë të fortë, Egnatia është ringritur sërish dhe po tregon futboll të mirë. Po ashtu Dinamo ka një vijë sulmuese të frikshme, që të vë në vështirësi. Partizani ndoshta është dobësuar nga largimet që ka pasur, por mbetet i rrezikshëm. Nuk mund të përjashtoj askënd dhe besoj se do të jenë përballje për t’u shijuar në “top 4”.
Kupë kundër Elbasanit në mesjavë dhe kampionat kundër Bylisit në fundjavë. Ku duhet të shkojë fokusi i kuqebluve?
Fokusi duhet të jetë në të dyja kompeticionet. Vllaznia s’ka pse ndan objektiva, sepse në kampionat është komode dhe një ecuri pozitive edhe në Kupë do të ishte ideale. Kështu që skuadra të shkojë për të dy trofetë dhe nuk ka pse të ketë objektiva të ndarë. T’i marrë ndeshjet me radhë e të luajë në maksimum në çdo takim.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"![](https://www.panorama.com.al/sport/wp-content/static/klikoperkepanoramaonline.jpg)