EKSKLUZIVE/ Largimi i Mirel Josës, presidenti Bizhdili konfirmon stafin e ri: Trajneri ka firmosur për…
Besa do ta nisë pjesën e dytë të sezonit me kullë të re drejtuese. Humbja e javës së 17-të në shtëpi ndaj Apolonisë i ka kushtuar vendin e punës trajnerit Mirel Josa, ndonëse ishte disfata e parë në kampionat për kavajasit.
Drejtuesit e klubit nuk kanë vonuar, pasi menjëherë kanë gjetur edhe pasuesin e trajnerit kryeqytetas në krye të pankinës. Emiljano Çela është trajneri i ri i Besës, të cilit i del për detyrë që në 16 javët e mbetura të realizojë objektivin madhor të Besës, rikthim në Superiore pas një dekade.
Kjo lëvizje është përfolur shumë në orët e fundit, por ka qenë vetë presidenti i klubit kavajas, Nexhat Bizhdili, që e ka bërë fakt të kryer emërimin e Çelës si timonier i ri. Presidenti ka konfirmuar se tekniku 39-vjeçar ka nënshkruar me Besën për një vit e gjysmë, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Çela vjen si paketë te Besa, pasi vjen bashkë me zv.trajnerin Bekim Kuli, i cili i bie të kthehet te skuadra e vendlindjes.
“Sot (dje) kemi mbyllur akordin me trajnerin e ri të Besës, i cili do të jetë Emiljano Çela, i cili ka firmosur për 1.5 vite. Bashkë me Çelën vjen edhe Bekim Kuli, i cili do të jetë ndihmësi i trajnerit”, u shpreh shkurtimisht presidenti Bizhdili për “Panorama Sport”.
Kreu i klubit ka kavajas ka konfirmuar se trajnerët Fidaim Haxhiu dhe Ylli Teliti, që ishin pjesë e stafit të Mirel Josës, nuk do të largohen, por do të mbeten pjesë e Besës. Me zyrtarizimin e trajnerit Emiljano Çela i hapet rruga lëvizjeve në merkato, ku priten disa përforcime cilësore, kryesisht në fazën sulmuese, që verdhezinjtë të zgjidhin çështjen e golit. Sa i përket largimeve, pritet të vendoset pas idesë që trajneri i ri do të ketë për organikën që gjen, duke mos mbajtur të papërdorshëm në ekip.
FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"