EKSKLUZIVE/ Lika vlerëson punën e trajnerit gjerman: Brdariç s’ka frikë, Vllaznia është për kreun (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 5, 2024 | 18:51

EKSKLUZIVE/ Lika vlerëson punën e trajnerit gjerman: Brdariç s’ka frikë, Vllaznia është për kreun (E PLOTË)

Për ish-kapitenin e Vllaznisë, Gilman Lika, paraqitja e skuadrës në 270 minutat e para të kampionatit mund të vlerësohet me një notë mesatare.

lika

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ai mbështet trajnerin Tomas Brdariç, sepse beson te puna që ai di të bëjë për ta mbajtur në objektiva Vllazninë dhe gjykon se gjermani nuk ka frikë për të tentuar fitoren në çdo ndeshje. Lika shprehet se shkodranët duhet të korrigjojnë së pari lojën në mbrojtje për të qenë më kompetitivë këtë sezon.

Gilman, si e shikoni startin e kampionatit për Vllazninë?

Mund të them që ka bërë një paraqitje mesatare deri tani. Me Partizanin bëri ndeshje shumë të mirë, me Tiranën më pëlqeu reagimi i ekipit, kur ishte në disavantazh. Por kishte situata të ndryshme, si në fazën e sulmit, ashtu edhe atë të mbrojtjes, që duhen rregulluar. Me Skënderbeun, pavarësisht se nuk është e lehtë të luash gjithë ato minuta me një lojtar më pak humbja bën që ajo ndeshje të konsiderohet negative.

Çfarë mendoni se nuk shkoi si duhet për ekipin kuqeblu në këto tri takime të para?

Në fazën mbrojtëse mendoj se ekipi duhet të jetë shumë me strikt dhe lojtarët më të vëmendshëm në mbylljen e zonave. Për lojën sulmuese mendoj se kemi mundësi të bëjmë shumë më tepër, sidomos në krijimin e situatave para portës.

Çfarë duhet të rregullojë trajneri që ekipi të kthehet te fitorja në ndeshjen e radhës me Egnatian, kampionen në fuqi?

Unë gjithmonë e kam pëlqyer trajnerin Brdariç, sepse ai nuk ka frikë. Pra, në çdo ndeshje dhe kundër çdo kundërshtari ai hyn në fushë për ta fituar ndeshjen.

Kjo është një shprehje që e thonë shpesh trajnerët, por shumë pak prej tyre e bëjnë këtë gjë. Për mendimin tim, Vllaznia duhet të korrigjojë gabimet në mbrojtje që ka shfaqur në këto ndeshje të para dhe të jetë shumë më agresive në fazën e sulmit.

Sa e ndihmon Vllazninë kjo ndërprerje e kampionatit, sa mund të korrigjohen ato defekte që janë vënë re?

Mendoj se është koha e mjaftueshme që stafi teknik të rregullojë ato probleme që janë shfaqur gjatë tri ndeshjeve të para. Trajneri, bashkë me stafin e tij, jam i bindur se do të jenë të fokusuar shumë te kjo pjesë. Përveç kësaj, ndërprerja shërben edhe për rikuperimin e lojtarëve që kanë qenë të dëmtuar.

Me aq sa keni parë, deri ku mund të shkojë kjo skuadër këtë sezon? A mund ta fitojë titullin, apo Kupën?

Mendoj se është herët për të folur për titullin kampion. Duhen edhe disa ndeshje për të krijuar një ide më të qartë, por unë them se për Vllazninë është shumë e rëndësishme që të qëndrojë te vendet e para të renditjes.

ADMIR URUÇI-PANORAMA SPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"