EKSKLUZIVE/ “Luajmë në shtëpi dhe duam të bëjmë figurë të mirë”, Bordin: Egnatia eksperte, një stimul më shumë ta mundim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 22, 2024 | 9:15

EKSKLUZIVE/ “Luajmë në shtëpi dhe duam të bëjmë figurë të mirë”, Bordin: Egnatia eksperte, një stimul më shumë ta mundim

Elbasani shpreson të dalë me fitore nga përballja e sotme në orën 20:00, me kampionët në fuqi dhe kryesuesit e kampionatit.

bordin

Si ndeshje shtëpie, verdheblutë nuk duan të bëjnë hapa falsë, për më tepër që kanë mundësinë ta parakalojnë Egnatian në klasifikim. Në intervistën për “Panorama Sport” përpara kësaj sfide, trajneri Roberto Bordin vlerëson klubin rival, por ka besim te djemve që drejton. Italiani thekson se po përpiqet që skuadra të përmirësohet dhe të mos pësojë gola nga goditjet standarde, ndërkohë që nuk “qahet” nga dëmtimet që ka pasur në këtë fillim kampionati, duke i konsideruar si pjesë të këtij sporti.

Mister, si është gjendja e skuadrës para ndeshjen me Egnatian?

Është shumë e mirë, sepse po stërvitemi mirë. Është e kuptueshme që do të duhet të bëjmë pa ndonjë lojtar, për shkak të dëmtimeve që kemi pasur në ndeshjen me Tiranën. Por kemi një atmosferë të mirë dhe puna po ecën me ritmin e duhur.

Kundërshtari është kampioni në fuqi dhe një nga pretendentët e këtij sezoni. A është ky një motiv ekstra për ta mundur?

Sigurisht, Egnatia është një nga skuadrat më të forta të kampionatit, për më tepër që vitin e kaluar fitoi titullin. Këtë vit po tregon se është shumë e fortë, një skuadër që edhe pse ka disa lojtarë të rinj, njihen shumë mirë me njëri-tjetrin. Është një skuadër eksperte, që luan shumë mirë futboll, ndaj do të jetë një stimul më shumë për lojtarët tanë. Nga ana tjetër, ne duam të bëjmë figurë të mirë. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duam sigurisht të bëjmë një paraqitje të mirë.

Nga katër golat që keni pësuar, dy kanë ardhur nga goditjet e këndit. Keni menduar si ta zgjidhni këtë problem?

Sigurisht që po. Po provojmë të kuptojmë pse na ndodh dhe i kemi analizuar golat e pësuar. Po përpiqemi të përmirësohemi në këtë aspekt dhe të mundohemi të mos pësojmë më gol nga goditjet e ndaluara. Katër gola nuk janë shumë, një mes tyre me penallti, çka do të thotë se skuadra po mbrohet mirë, por gjithnjë ka vend për përmirësim ndeshje pas ndeshjeje.

Tetë pikë në pesë ndeshje. A jeni i kënaqur me ecurinë e fillimit të sezonit, apo prisnit më shumë?

Po, po. Unë jam gjithmonë i kënaqur. Është marrë ajo që kemi merituar. Nuk mund të shohim prapa, por përpara. Ajo që ka ndodhur është e shkuara dhe nuk mund të ndryshohet. Ne përpiqemi të shohim me pozitivitet, me mentalitetin e duhur në ndeshjet e ardhshme dhe siç e thashë më sipër, do të kërkojmë të përmirësohemi çdo ditë dhe çdo ndeshje.

Sa të penalizuar keni qenë nga fakti që për asnjë ndeshje nuk e keni pasur grupin të plotë?

Dëmtimet janë pjesë e këtij profesioni, skualifikimet apo problematikat e tjera. Kemi një klimë pozitive në skuadër dhe klubi ka punuar shumë mirë në këtë aspekt, duke pasur mundësinë të jemi gjithnjë kompetitivë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"