EKSKLUZIVE/ Luajti si titullar për herë të parë, Hakaj: Duhet pak fat, Elbasani do të shkojë larg (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2024 | 22:22

EKSKLUZIVE/ Luajti si titullar për herë të parë, Hakaj: Duhet pak fat, Elbasani do të shkojë larg (E PLOTË)

Esin Hakaj duket se i ka lënë pas problemet fizike dhe është i gatshëm të japë maksimumin për ekipin e Elbasanit.

HAKAJ

Shkodrani luajti sfidën e parë si titullar këtë sezon, në barazimin pa gola ndaj skuadrës së Egnatias në “Elbasan Arena”.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi i majtë i verdhebluve pohon se skuadra meritonte më shumë ndaj kampionëve në fuqi, por fati nuk ishte me ta që të dilnin me tri pikë.

27-vjeçari vlerëson paraqitjet e bëra në këtë start kampionati, teksa beson tek një fitore me skuadrën e Bylisit këtë javë. Për Hakajn, Elbasani ka mundësi që në fund të sezonit të arrijë objektivat e klubit dhe për këtë do të japin më të mirën në çdo ndeshje.

Esin, vetëm barazim me Egnatian. Jeni i kënaqur, apo prisnit më shumë?

Duke parë sesi shkoi rrjedha e lojës prisnim më shumë. E them këtë, sepse ishim ekipi që krijuam më shumë raste.

Çfarë i mungoi Elbasanit për të dalë me tri pikë?

Besoj se duhej pak më shumë besim te pjesa e rasteve të finalizimit. Duhet ta pranojmë se kështu e ka futbolli dhe ndonjëherë nuk e ke fatin me vete.

Nëntë pikë në gjashtë javë, si e shihni këtë nisje të kampionatit?

Mendoj që është mirë. Kemi pasur mundësi për më mirë, por siç e thashë edhe më lart ndonjëherë është edhe çështje fati.

Ndeshja e radhës me Bylisin, si e shihni?

Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Detyra jonë është të japim gjithnjë maksimumin në fushë. Dihet që Elbasani në çdo ndeshje hyn në lojë për të tentuar tri pikët.

Deri ku mund të shkojnë verdheblutë këtë sezon?

Ne kemi për detyrë të japim më të mirën tonë dhe të bëjmë maksimumin. Shpresoj që në fund të arrijmë objektivin që ka klubi.

Cilët shihni si rivalët e Elbasanit këtë kampionat?

Unë shoh çdo ekip rival. Nuk besoj se mund të ketë një ekip të lehtë apo tjetri më i fortë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"