EKSKLUZIVE/ Lushnja nuk humb më shumë kohë, një ish zëvendëson Maganin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2024 | 11:20

EKSKLUZIVE/ Lushnja nuk humb më shumë kohë, një ish zëvendëson Maganin

Erion Xhafa do të jetë trajneri i Lushnjës. Panorama Sport mëson ekskluzivisht se prezantimi do të bëhet sot në orën 14:00. Xhafa do të prezantohet te fusha sportive e Plugut, ndërsa më pas do të nisë punën me skuadrën.

Foto/ Erion Xhafa teksa luante me Lushnjën

Kështu nuk është humbur më shumë kohë pas largimit të Gugash Maganit. Një lëvizje kjo e pritshme, teksa Mikel Spaho e kishte paralajmëruar pas ndeshjes së fundit.

Trajneri i portierëve drejtoi skuadrën ndaj Vorës, ndërsa tashmë do të luajë rolin e ndihmësit për Erion Xhafën. Ky i fundit ka luajtur më parë për skuadrën e Lushnjës dhe po ashtu ka mbajtur veshur fanellën e klubeve të tjerë si Kastrioti dhe Besa.

Më poshtë iu sjellim dhe intervistën ekskluzive për Panorama Sport të Mikel Spahos.

“Tani që jemi më të qetë mund të them, se ishte një humbje e pamerituar e skuadrës. Meritonim të merrnim diçka nga kjo ndeshje. Bëmë një pjesë të parë shumë të mirë, por kemi një “ngërç” të madh në shënimin e golit. Patëm katër mundësi të mira, për të zhbllokuar dhe loja duhet të ishte 2-0 për ne. Sulmuesit kanë një problem psikologjik. Me gjithë ndeshjen e Kupës kemi pesë javë që nuk shënojmë. Është një situatë që duhet zhbllokuar menjëherë.

Në pjesën e dytë morëm një gol nga një standard, sepse humbëm përqendrimin në atë që ne e quajmë faza mbuluese e repartit mbrojtës. Patjetër që Vora ka lojtarë të mirë dhe është një nga skuadrat më të mira të kësaj kategorie. Mendoj, se Lushnja ka nevojë për një trajner lushnjar dhe me eksperiencë. Këtë e them për gjendjen që kemi ne. Pra, një trajner nga trajningu lushnjar, që e njeh ambientin dhe lojën e Lushnjës. Sot(dje), kemi qenë pushim, ndërsa nesër(sot) ekipi do të dalë në stërvitje në orën 14:00, në fushën e Plugut për të nisur javën përgatitore, në kuadrin e ndeshjes së radhës me Kukësin”, deklaroi Mikel Spaho.

ALBAN BUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"