EKSKLUZIVE/ “Magani është një trajner grintoz që jep gjithçka”, Agustin Kola kundër rrymës: Tiranë e bukur, por ja çfarë i duhet… (E PLOTË)
Austin Kola vlerë son Tiranën e ndërtuar nga Bledi Shkëmbi, por që tani drejtohet nga Gugash Magani.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri analizoi bardheblutë, teksa pranoi se skuadra është shumë e mirë. Problemi i vetëm mbetet mungesa e një sulmuesi që duhet të riparohet në janar. Pjesa tjetër është në rregull. Kola pranoi se pas kolaudimit, tani është koha që ekipi të ndryshojë e të marrë rezultatet që priten.
Bardheblutë fituan ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Bylisit, duke u kthyer te fitorja…
Unë si Agustin mendoj se Tirana që pamë këtë javë është vazhdimësia e trajnerit të mëparshëm. E të gjithëve atje që punojnë, por edhe e klubit.
Si do ta etiketoje këtë Tiranë që këtë verë u ndërtua nga fillimi?
Për këtë grup kam simpati. Ju e dini sesa e ka moshën mesatare kjo skuadër dhe flas për më të madhin në moshë? Është ekip i ri. Di të them që me ndeshjet që kam parë, vlerësoj se dinë të luajnë mirë dhe kanë treguar futboll cilësor.
Ju flisni për një skuadër të mirë, futboll të bukur, por rezultatet nuk janë ato që priten?
Fatkeqësia e tyre kjo është. Si grup nuk kanë pasur dhe nuk kanë marrë rezultatet që të gjithë ne prisnim dhe presim.
Ju jeni vetë trajner. Sipas mendimit tuaj, përse ka ndodhur një gjë e tillë?
Po, sepse nëse do të bësh një grup duhet kohë. Shto këtu që kanë ikur 13-14 lojtarë dhe ekipi është ndërtuar nga fillimi në qershor. Për ta ndërtuar nga e para dhe kolauduar skuadrën do pak kohë. Nga ana tjetër, them se ka ardhur koha që ky ekip të tregojë veten e tij në fushën e lojës.
Ju thoni që skuadra tani duhet të tregojë veten, por mendon se ekipi është ndërtuar mirë?
Skuadra është e ndërtuar me kujdes. Luan bukur, më pëlqen. Thjesht po kalon tranzicionin e të qenit skuadër e re. Lojtarët duhet të njihen me njëri-tjetrin.
Çfarë mendimi keni për rokadën mes Shkëmbit dhe Maganit në këtë moment të kampionatit?
Puna e trajnerit dhe e stafit ka bërë që ata arritën deri në këtë moment. Unë jam “partizan” i faktit që trajneri ndryshon pak anën psikologjike
Duke analizuar me kujdes të 13 javët, çfarë i duhet kësaj skuadre në vazhdim?
Të them të vërtetën, Tirana ka vetëm një problem. I duhet një sulmues tipik. Sa të mbarojnë dy fazat e para të kampionatit, klubi duhet të afrojë një lojtar të këtij lloji. Një sulmues tipik. Mendoj se kjo është mungesa e vetme e Tiranës.
Zoti Kola e keni ndjekur Kategorinë Superiore. Çfarë mendoni për futbollin e këtij viti?
E kam ndjekur Superioren. Ekipe si Vllaznia, Partizani, Egnatia janë paraqitur mirë. Ka konkurrencë në krye. Thjesht më kanë pëlqyer, sepse kanë luajtur mirë futboll.
Tirana vjet e humbi mundësinë për luftën e titullit. Me atë që keni parë e arrin skuadra bardheblu “Final 4”?
Vendi i parë ka 10 pikë diferencë me bardheblutë. Nëse një skuadër fiton dy ndeshje dhe ekipet e kreut munden dy herë, ja ku Tirana e arriti vendin e dytëtretë. Sistemi ta jep këtë mundësi
Dy fjalë për Gugash Maganin?
Magani është trajner grintoz dhe do të japë gjithçka nga vetja. Edhe Shkëmbi ka bërë punën e tij. Vendimet më pas i merr klubi.
Kombëtarja luan së shpejti. Çfarë pret një ishkuqezi si Kola prej përfaqësueses?
Dëshira ime dhe jona është fitorja. Kombëtarja i ka të gjitha mundësitë të triumfojë. Po luajmë mirë. Djemtë po aktivizohen në skuadrat më të mira europiane. E kanë treguar veten. Edhe Brazili të vijë në Tiranë, ne nuk mundemi
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"