EKSKLUZIVE/ Mandela: Dinamo më e mira, flasin golat dhe loja. Ja rivali më i fortë
Peter Itodo Mandela vuri firmën e tij në fitoren e fundit ndaj Egnatias dhe iu bashkua Baton Zabërgjës dhe Bekim Balajt në kuotën e 8 golave.
Që të tre e kryesojnë këtë listë së bashku, ndërsa nigeriani i Dinamos vazhdon të besojë se mund ta fitojë ai “Këpucën e Artë”, edhe pse thekson se rëndësi kanë fitoret e skuadrës dhe objektivat e klubit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi sqaron dëmtimin që e detyroi të linte fushën pas pjesës së parë, komenton fitoren e fundit, kreun e Superiores dhe “garën” për trofeun individual.
DËMTIMI – “Për fat të mirë është vetëm një dëmtim i lehtë, për të cilin më duhet të pushoj për një javë, pastaj do të jem plotësisht i gatshëm”, thotë Mandela. Ai u rikthye titullar kundër Egnatias, pasi kishte munguar ndaj Vllaznisë dhe Laçit për një shqetësim muskulor.
EGNATIA – Për fitoren ndaj kampionëve në fuqi, sulmuesi i Dinamos thekson se kishte shumë besim që para ndeshjes. “Ishte një ndeshje mjaft e vështirë, por e dinim që mund të fitonim para se të dilnim në fushë, pasi ekipi ynë është në formë të mirë. Para se të na mposhtin, rivalët duhet të punojnë shumë fort, por mendoj se nuk do ta kenë të mundur për momentin” shprehet Mandela, duke u dhënë një mesazh edhe rivalëve të Dinamos.
KREU – A ishte Dinamo skuadra më e mirë e gjysmës së parë të kampionatit? Sulmuesi 21-vjeçar përgjigjet: “Po, ne jemi skuadra më e mirë, sepse kemi dominuar ndaj të tjerëve për sa i përket lojës dhe golave që kemi shënuar”.
“KËPUCA E ARTË” – Për trofeun e golashënuesit më të mirë, nigeriani thotë: “Unë do të bëj gjithçka, do të jap 100% nga vetja për ta fituar. Nani po afrohet me gola? Nëse ai na parakalon mua dhe Zabërgjën është mirë, por ajo që ka vërtet rëndësi është fitorja e ekipit. Për këtë përpiqemi të gjithë”.
RIVALËT – Në fund, i pyetur për rivalin më të fortë, Mandela “zgjedh” të kuqtë: “Partizani besoj se është rivali ynë më i fortë, edhe ky ekip ka treguar një formë të mirë”.
FATJON RUPI-PANORAMASPRT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"