EKSKLUZIVE/ Matondo nuk ka në plan të kthehet, zbulohet gjoba e Partizanit për mesfushorin
Kongolezi vijon të jetë ende një nga çështjet me delikate në kampin e Partizanit, që sheh të mos i bashkohet një nga lojtarët kryesorë të sezonit të shkuar, pavarësisht se është nën kontratë. Matondo vijon të qëndrojë në atdheun e tij, pavarësisht thirrjeve nga ana e klubit për respektimin e kontratës.
Prej muajsh tashmë palët janë në negociata për rikthimin e Matondos, por për arsye të ndryshime gjithçka është thyer. Siç drejtori Abilaliaj e pati konfirmuar pak ditë më parë, klubi i kuq ka marrë masat e para në lidhje me refuzimin e Matondos për t’u bashkuar me ekipin. Burime pranë të kuqve bëjnë me dije për “Panorama Sport” se të kuqtë kanë vendosur të gjobisin lojtarin me rreth 15% të pagës mujore, për sa kohë ai nuk bashkohet me ekipin. Matondo paguhet përafërsisht 2 mijë euro te të kuqtë.
Gjithsesi, duket se as ky vendim nuk e ka zmbrapsur kongolezin, i cili vazhdon të mos paraqitet. Siç dihet, Matondo kërkon transferimin te skuadra e Hatajsporit, që ka ofruar 300 mijë euro për kartonin e kongolezit, plus rreth 50% të kartonit në rast rishitjeje. Kjo ofertë është refuzuar nga Partizani, që kërkon të paktën 600 mijë euro për mesfushorin.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"