EKSKLUZIVE/ Mbledhje te Partizani, presidenti Demi votëbeson trajnerin. Zbardhet takimi me lojtarët dhe Veselinoviçin
Nuk ka ndryshime te Partizani, ky është vendimi i marrë nga presidenti Demi, pas mbledhjes së organizuar me gjithë kupolën drejtuese të klubit.Pas ndeshjes kundër Skënderbeut, trajneri Aleksandar Veselinoviç doli me një deklaratë të fortë, ku zbuloi se përmes një raporti me shkrim ka bërë një bilanc të skuadrës dhe ka shpjeguar se me largimet e bëra dhe afrimet e deritanishme, Partizani nuk është për titull.
Ai gjithashtu në fjalët e tij tregoi qartë se nuk është marrë në konsideratë mendimi i tij në lidhje me largimin e befasishëm të Mba dhe afrimin e Guxhufit. Gjithashtu, ngriti alarmin në lidhje me situatën e Sodik, që vijon të mos pranojë të veshë fanellën e kuqe dhe të stërvitet me skuadrën. Deklaratat e tij hodhën poshtë fjalët e drejtorit Abilaliaj, të dhëna vetëm afro dy orë para trajnerit.
MBLEDHJA – E shkuara ka treguar se në situata të ndërlikuara, presidenti Demi nuk është njeriu i vendimeve ekstreme dhe kjo duket se është konfirmuar edhe këtë herë. Nuk dihet saktësisht se çfarë është diskutuar në atë mbledhje, por nga ajo që flitet në klub, presidentin ka dashur të dëgjojë të vërtetën e dy palëve dhe pas kësaj ai me autoritetin e tij ka kërkuar nga palët të rikthehet në normalitet dhe të ndërtojnë një bashkëpunim më të ngushtë për punën në të mirë të Partizanit. Kështu, të paktën deri sot, nuk ka asnjë vendim mbi një shkarkim të trajnerit apo ndonjë pjesëtari të stafit drejtues. Në rastin e trajnerit, shkak i këtij vendimi mund të jetë edhe kostoja financiare nëse Veselinoviç do të shkarkohej. Ai ka edhe 1.5 vite kontratë dhe në rastin e prishjes së njëanshme të kontratës, me siguri do të kërkonte që pagat e mbetura të kontratës t’i kalonin në llogari.
ME LOJTARËT – Po dje presidenti Demi ka mbajtur një takim me lojtarët. Këta të fundit u panë edhe në ndeshjen me Skënderbeun që nuk ishin në gjendjen e duhur emocionale dhe presidenti ka zgjedhur t’i mbledhë dhe t’i tregojë se ka besim të plotë tek ata, si dhe pret që skuadra të luftojë deri në fund për të dy trofetë sezonalë. Presidenti gjithashtu ka lënë të kuptohet se mendon se ka një skuadër të fortë në pronësi dhe nuk ka nevojë për përforcime të mëdha, ndryshe nga opinioni i trajnerit. Mbetet të shihet sesi do të jetë qasja e Partizanit në ndeshjet vijuese, por fakti është se 2025-a ka nisur po aq e ftohtë sa edhe temperaturat e ditëve të fundit.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"