EKSKLUZIVE/ Mbrojtësi maqedonas ikën nga Flamurtari, “shfryn” ndaj Çelës: Më nxori nga planet sa u dëmtova
Gati një muaj pasi la Vlorën, vjen edhe “divorci”. Ishte fillimi i muajit nëntor kur Antonio Ilievski u dëmtua dhe u detyrua që të shkonte drejt Maqedonisë së Veriut, për të kryer një ndërhyrje. Rikuperimi i tij do të zgjaste të paktën deri në janar, por vend për kthim nuk. Mbrojtësi nuk do të kthehet më në Shqipëri, pasi zyrtarisht ka firmosur “divorcin” me klubin.
Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, 27- vjeçari konfirmon mbylljen e marrëveshjes. Nëse ndarja me drejtuesit ka ardhur me mirëkuptim, e njëjta gjë nuk vlen për stafin teknik. “Shfryn” ndaj Emiljano Çelës, ndërsa rrëfen që e nxori direkt jashtë planeve pas dëmtimit që pësoi. Mbrojtësi nuk kursen as ironinë ndaj trajnerit, që iku fiks pak javë pas tij.
Keni që nga nëntori që jeni larguar drejt Maqedonisë së Veriut. Do të riktheheni në Vlorë?
Po, është e vërtetë që jam larguar nga Flamurtari. Në fakt jam larguar dhe nuk do të rikthehem më.
Po thoni se jeni larguar zyrtarisht?
Po, po kam ikur. E kam mbyllur aventurën në Vlorë. Më duhej që të vija në Maqedoninë e Veriut për shkak se kam pasur një dëmtim. Duhet të bëja një operacion. Në fakt nuk ka asgjë serioze dhe për t’u shqetësuar. Më duhen 4 javë dhe do të jem gati. Më vjen keq se trajneri më nxori jashtë planeve, në kohën time më të vështirë. Pikërisht kur duhet të bëja operacionin. Ai donte dikë që është gati 100% (qesh)…
Ju po thoni se në vendin tuaj Çela do të aktivizonte një lojtar tjetër?
Nuk e di cilin lojtar. Thjesht më thanë që duan një lojtar që është 100% gati. Sipas tyre, unë nuk isha gati nga dëmtimi dhe me sa duket trajneri nuk priste dot. Edhe pse unë do të jem gati në janar.
Me klubin, kontratën e zgjidhët me mirëkuptim?
Po, patjetër që u ndamë me mirëkuptim. Ne ramë dakord me klubin që është më mirë për mua të largohem nga Flamurtari. Gjithashtu patëm dakordësi edhe për të gjitha gjërat e tjera. Ramë dakord për financat dhe ndërprerjen e kontratës. Unë në fakt doja që të qëndroja te Flamurtari sa më gjatë sipas kontratës, por nuk ishte e shkruar.
Si për ironi të fatit edhe trajneri Emiljano Çela është larguar. Keni një koment?
Nuk e di dhe nuk kam çfarë komenti të bëj. Unë jam larguar nga ekipi një javë para se të largohej trajneri. Nuk kam qenë pjesë e ekipit dhe nuk e di është larguar vetë apo e ka hequr klubi.
Mendoni se në fund të sezonit Flamurtari do të ngjitet në Superiore?
Unë shpresoj dhe besoj se do të hyjnë në Superiore ashtu siç e meritojnë Flamurtari dhe tifozët. Skuadra e ka vetë në dorë. Potencialin dhe kushtet i kanë, pse të mos shkojnë ku e kanë vendin. Duhet të bëjnë maksimumin për të arritur këtë gjë. Çdo ndeshje duhet që ta fitojnë dhe ta shikojnë si një finale.
Ku do të vijojë karriera e Ilieskit?
Nuk e di ende. Para 2 javësh kam bërë operacionin dhe gjithçka shkoi mirë. Dje (pardje) fillova stërvitjen. Kam besim se do të jem gati në janar 100% dhe shpresoj që të kem ndonjë ofertë.
ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"