EKSKLUZIVE/ “Mendojmë për derbin pas fitores”, Ahmataj: Me Erzenin, tani një histori tjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 27, 2023 | 8:44

EKSKLUZIVE/ “Mendojmë për derbin pas fitores”, Ahmataj: Me Erzenin, tani një histori tjetër

Julian Ahmataj kërkon me çdo kusht fitoren ndaj Erzenit për vazhdimësinë e ekipit. Trajneri i bardhebluve insiston se skuadra e Tiranës është e fokusuar te ndeshja që luan sot ndaj Erzenit.Ahmataj

Tekniku i bardhebluve, edhe pse në fundjavën e ardhshme do të luajë ndaj Partizanit, është i bindur se ekipi është i fokusuar plotësisht te ndeshja ndaj Erzenit, pasi kjo ka po aq rëndësi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, flet për ekipin dhe luksin që ka në sulm.

Zoti Ahmataj keni fituar me sakrificë ndaj Kukësit, por tani duhet të vazhdoni serinë e fitoreve ndaj Erzenit?

Duhet sakrificë shumë e madhe për të arritur te fitorja, gjë që ne duhet ta shprehim në fushën e lojës. Kjo është ajo që kërkojmë prej kohësh, që të gjejmë ekuilibrat, stabilitetin dhe sidomos agresivitetin që duhet për të qenë një skuadër e fortë.

Tirana në sfidën e parë ndaj Erzenit është mundur. Çfarë historie do të ketë kjo sfidë e dytë?

Ndeshjet kanë histori të ndryshme, por Erzeni është një skuadër e fortë, me lojtarë teknikë, shumë të mirë, me elementë të rinj. Është një skuadër e paparashikueshme në disa momente, por kemi forca dhe kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin për të shkuar në ndeshje.

Mund të themi që takimi me Erzenin është testi për Tiranën që të tregojë vazhdimësinë…

Çdo javë dhe çdo ditë në stërvitje është test për çdo futbollist dhe çdo trajner.

Tirana duket se e ka kaluar çështjen e dëmtimeve dhe në sulm keni gjashtë lojtarë titullarë…

Është e vërtetë që përdora në ndeshjen e fundit të gjithë potencialin ofensiv që kemi në dispozicion. Duke u kthyer edhe Patrik, mendoj se mund të na japë freski në minutat e fundit se kemi mundësi për të alternuar lojtarë.

Patrik u kthye në fushë pas tetë muajve. Mund të jetë titullar në sfidën ndaj Erzenit?

Patrik vjen nga dëmtimi dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm në menaxhimin e situatës së tij se vjen nga 8 muaj stop dhe do të marrë dalëngadalë minuta, por jo direkt, se mund të pësojë dëmtime të tjera.

Rezultatet e fundit me katër sfida që nuk humbisni kanë sjellë qetësi te Tirana. Jeni në ritmin që kërkon Ahmataj?

Në futboll nuk ka asnjëherë qetësi se gjërat prishen për një sekondë dhe për t’u rregulluar duhet sakrificë dhe punë. Ne do të vazhdojmë të sakrifikojmë dhe punojmë çdo ditë sa më fort e të shohim se ku do të arrijmë.

Disa herë shkarazi keni folur për ekipin. Në merkaton e janarit ku do të ketë ndërhyrje në skuadër?

Është shumë herët për të folur për merkaton e janarit se ne kemi goxha potencial në skuadër. Nuk kemi hequr dorë nga kjo, kemi skuadër me shumë cilësi brenda, vetëm duhet sakrifica e lufta e të gjithëve për të ecur përpara.

Ndaj Erzenit është testi gjeneral, po a është Tirana gati ta fitojë derbin?

Duhet të kalojmë Erzenin se luajmë me ta nesër(sot), nuk e kemi fare në mendje derbin. Ajo është ndeshja tjetër dhe të gjithë janë përqendruar te Erzeni. Ky është trepikëshi që duhet, jo patjetër, por ta trajtojmë ndeshjen në maksimumin tonë se nuk ka kohë për neglizhenca.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"