EKSKLUZIVE/ “Merkatoja nuk spikati”, ish-mbrojtësi Daiu: Partizan më i dobët se vjet, mungon një bomber (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2024 | 21:07

EKSKLUZIVE/ “Merkatoja nuk spikati”, ish-mbrojtësi Daiu: Partizan më i dobët se vjet, mungon një bomber (E PLOTË)

Partizani i këtij sezoni e ka nisur sezonin me një diagramë shumë dinamike sa i përket lojës dhe rezultateve, por në ndeshjen e fundit arriti një fitore bindëse kundër Egnatias, kampione në fuqi. perparim daiuPërparim Daiu, ish-mbrojtës i shquar i të kuqve, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” i bën një analizë mjaft të detajuar dhe objektive situatës në ekipin e kuq. Sipas tij, Partizani është dobësuar në krahasim me vjet, por e ka ende “brumin” për të fituar titullin kampion.

Sa ju bind Partizani i këtij sezoni?

Në krahasim me sezonin e shkuar, mendoj se është pak më i dobët, por me kalimin e kohës ndoshta do të vijë në rritje dhe do të përmirësoje potencialin e vet. Nga lojtarët që kanë ardhur në merkaton e verës, unë nuk shoh ndonjë emër që spikat. Gjithsesi, Partizani e ka boshtin, e ka kontingjentin e lojtarëve që mbajnë “barrën” e skuadrës, ndiejnë peshën e fanellës që mbajnë veshur. Kanë përvojë, janë edhe lojtarë që janë shpallur kampion. Nuk shoh ndonjë diferencë që “të vësh duart në kokë” se ku po shkon ky Partizan. Unë besoj se nëse ky bosht do të jetë në pozita pune dhe liderët do të bëjnë mirë detyrat, mund të arrijnë goxha.

Kur thoni bosht i ekipit, për cilët e keni fjalën?

Nuk më pëlqen të përmend emra, por e kam fjalën për lojtarë që spikasin, si Rrapaj, Mehmeti. Në sulm Bintsuka po shfaqet më bindës deri më tani, por edhe Cara e Mba janë lojtarë që padiskutim duhet të vlerësohen dhe do të mbajnë peshën e skuadrës.

Partizani fitoi kundër Egnatias, si e patë paraqitjen e dy ekipeve në atë ndeshje?

Unë pashë një Partizan të vendosur mirë dhe që në dy të tretat e fushës bëri presing dhe nuk e la kundërshtarin të shprehej me lojën e vet. Padiskutim që edhe Egnatia nuk është ajo e vjetshmja, por kur përballen skuadra pretendente, ndeshjet mbeten të forta. Loja, rastet e krijuara dhe rezultati treguan që ishin të gjitha pozitive për Partizanin.

Por me një ndeshje të fituar nuk mjafton që të flasësh me superlativa për këtë ekip. Duhet vazhdimësi, që Partizanit i ka munguar deri më tani. Ka pasur shumë luhatje në rezultate. Duhet stabilitet që edhe skuadra të krijojë besimin se është më lart se kundërshtarët dhe mund t’ia dalë. Padiskutim që e shoh Partizanin si pretendent për titullin kampion.

Çfarë mendoni se duhet të ndryshojë tek ekipi trajneri i ri, Veselinoviç?

Trajneri padiskutim duhet të ketë kohën në dispozicion, sepse ka vetëm afro katër javë që punon me ekipin. Duke parë edhe pikat e dobëta, merkatoja e janarit vjen shpejt dhe trajneri duhet të pikëtojë pozicionet apo repartet ku ka cedime.

Sipas jush, çfarë lojtari i mungon këtij Partizani?

Unë shoh se Partizanit i mungon një “bomber” tipik. Nëse Partizani do të ketë sulm agresiv, që i fut “frikën” ekipeve të tjera, për mendimin tim, me pjesën tjetër të reparteve, mbulohet mirë. Së fundmi kanë afruar edhe qendërmbrojtësin Domgjoni, i cili duhet parë nëse do të përshtatet, çfarë forme ka e të tjera. Janë shumë pikëpyetje, sepse edhe disa nga afrimet e bëra në verë, jo se nuk kanë bindur, por nuk i kam parë të aktivizohen. Kur nuk aktivizohen, ndoshta tregon se trajneri apo stafi nuk kanë besim. Kur afron lojtarë, duhet të aktivizohen që të japësh njëfarë mendimi. Përderisa nuk e kanë bërë këtë, nuk di çfarë të them më shumë.

Së fundmi ka ndodhur një pezullim në dëm të Vangjel Zguros. Cili është opinioni juaj rreth kësaj?

Zguro ka përvojë dhe shumë elemente të tjera, që më krijojnë mendimin se i vlen Partizanit. Ndoshta nuk e dimë thellë se çfarë ka ndodhur, por duke parë çfarë është shkruar, mendoj se nganjëherë duhen zbutur dhe menaxhuar më me qetësi gjërat për të mirën e ekipit. U largua Atanaskoski, erdhi Zguro dhe mendova se është plotësuar krahu i majtë.

Nganjëherë mendoj se nuk duhet shkuar menjëherë te “dënimi me vdekje”, e them këtë në mënyrë figurative. Mendoj se me të tillë personazhe duhet punuar dhe duhen afruar, sepse edhe lojtarët “e vjetër” padiskutim që kanë ato tekat e tyre, por me ndërhyrje, për të mirën e ekipit, duhet gjetur një emërues i përbashkët. Zguro është një lojtar që mund ta ndihmojë shumë Partizanin.

Ka një individ që ju ka pëlqyer nga ekipi i sivjetshëm? Ju ka bërë dikush përshtypje për mirë?

Unë përmenda Rrapajn. Është nga ato lojtarë që bëjnë kilometra, ka eksperiencë në Superiore, ka krijimtarinë, gjuajtjen. Është një lojtar që të bën për vete. Por edhe Mehmetin, nëse do të jetë në gjendje të mirë fizike, mendoj se është një numër 6, që mund ta mbulojë largimin e Magetit. Edhe ai më pëlqen.

Po dikush që keni pritur të bëjë më shumë për ekipin?

Unë shoh shumë luhatje te mbrojtësi i djathtë, Hadroj. Prisnim shumë të shpërthente ky lojtar. Nuk mund të themi se ka ceduar, por nuk është ai lojtar që ne prisnim. Prisja që niveli i tij pas kësaj kohe në Superiore të ishte akoma më i lartë.

Kush mendoni se janë rivalët direkt të Partizanit për titullin?

Padyshim Egnatia është kampione në fuqi dhe e ruan kandidaturën për titullin edhe sivjet. Vllazninë gjithashtu po e shohim që merr rezultate. Elbasani është rikthyer bindshëm në Superiore, por edhe Dinamo me kontingjentin dhe ardhjen e Dajës mund të jetë. Gjithashtu Tirana, që dihet kush është, ka traditë dhe potencial. Këto ekipe do të rivalizojnë për katërshen dhe më pas për finalen e titullit

DENIS LALA-PANORAMA SPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"