EKSKLUZIVE/ Mesfushori nigerian: Nuk u mendova dy herë për Elbasanin, e nisim vitin me fitore (E PLOTË)
Vitet e fundit ka ndodhur shpesh që futbollistët tanë shkojnë në Azerbajxhan për një mundësi më të mirë, për shkak të pagesave më të larta.
Mirëpo nuk mungojnë as ata që lënë Azerbajxhanin për të luajtur në Shqipëri, siç është rasti i mesfushorit të Elbasanit, Abas Ibrahim, i cili iu bashkua verdhebluve pak ditë më parë, duke nisur stërvitjen me skuadrën e re. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, nigeriani shprehet optimist për një aventurë pozitive me Elbasanin, ku i ka bërë përshtypje ambicia që ka klubi për të shkuar sa më lart.
“Kur më telefonoi Elbasani, nuk u mendova dy herë, por pranova menjëherë. Besoj se do të jetë një aventurë pozitive, mendoj se gjithçka do të shkojë mirë. Të them të drejtën, ajo që po më pëlqen më shumë te ky klub është se ka ambicie të mëdha për të shkuar sa më lart. Sapo erdha këtu e vërtetova, sepse shoh shumë përkushtim, të gjithë i shoh duke folur për futbollin”, u shpreh fillimisht lojtari më i ri i verdhebluve, që pritet të shtojë konkurrencën në mesfushën e elbasanasve.
FUTBOLLI SHQIPTAR – Për Shqipërinë dhe futbollin tonë flitet edhe në Azerbajxhan, për shkak të lojtarëve tanë që luajnë atje. Ky fakt ka bërë që Ibrahim të vijë “i përgatitur” dhe të ketë mjaftueshëm njohuri për futbollin shqiptar, çka mund t’ia bëjë më të lehtë përshtatjen. “Normalisht kisha njohje për futbollin në Shqipëri, pasi kam pasur të njohur në Azerbajxhan që janë nga Shqipëria, atje kanë luajtur disa lojtarë nga ky vend. Për këtë arsye e kam ndjekur sadopak edhe botën e futbollit në Shqipëri”, u shpreh më tej 27- vjeçari që vjen në Elbasan pas tri sezoneve me ekipin e Superligës azere, Zira.
TEUTA – Edhe pse ka vetëm dy ditë që po stërvitet me skuadrën, duket se Ibrahim po përshtatet shumë shpejt. Ai ka besim për një nisje të vitit me fitore, edhe pse Teutën nuk e njeh si kundërshtar. “Sa i përket ndeshjes së parë, për vetë synimet që ka klubi, duam të marrim maksimumin e mundshëm. Shpresoj shumë ta fillojmë këtë vit me fitore”, tha Ibrahim.
IDHUJT – Në fund nigeriani zbulon edhe idhujt e tij, emra të njohur, por edhe dikush jo dhe aq i famshëm. “Më kanë pëlqyer Ksavi dhe Iniesta, lojtarë që të gjithë i njohin dhe dihet karriera e tyre. Por kam ndjekur shumë edhe Zhan Mikael Seri, i cili tani luan në Arabi. Më parë ka luajtur me Nisën, Fulhemin dhe shumë skuadra të tjera”, e mbylli prononcimin e tij për gazetën lojtari i ri i Elbasanit.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"