EKSKLUZIVE/ Modriçi shqiptar bën “tifo” për Barçën, Fetai pret debutimin: Për Shqipërinë nuk u mendova dy herë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2024 | 23:18

EKSKLUZIVE/ Modriçi shqiptar bën “tifo” për Barçën, Fetai pret debutimin: Për Shqipërinë nuk u mendova dy herë (E PLOTË)

Ka një ngjashmëri fizike të paparë me Luka Modriçin, por është një tifoz i Barcelonës.

Fetai

Bëhet fjalë për Feta Fetain, lojtarin vetëm 19 vjeç që është grumbulluar nga Silvinjo në Kombëtaren shqiptare për të dytën herë. Fillimisht ai ishte i gatshëm në stol për ndeshjen me Gjeorgjinë, ndërsa edhe në dy takimet e nëntorit, trajneri rezervoi një ftesë për të. Mesfushori nga Shkupi, që luan në kampionatin kroat me Lokomotivën e Zagrebit, ka dhënë një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku rrëfen hapat e parë në futboll, paragjykimet që i vogël, si ra në sy të kroatëve dhe deri te ushqimi i preferuar.

Fetai, ku kanë qenë hapat e parë në futboll?

Mund të them se hapat e mi të parë në futboll kanë qenë në moshën 7-vjeçare. Atëherë kam filluar të luaj.

Kush ju ka shtyrë të fillonit stërvitjen?

Pasioni im për futbollin më ka shtyrë që në moshë të vogël që të shkoj vetëm të regjistrohem në shkollë futbolli.

Ju jeni një lojtar shumë teknik me topin dhe shtatshkurtër, keni dëgjuar dikë që t’iu paragjykojë më parë duke thënë se “ky nuk bëhet futbollist se është shumë i shkurtër”…?

Jo, me thënë të drejtën. Paragjykime se nuk do të bëhesha futbollist nuk kam dëgjuar, por kam dëgjuar që thonë se nëse do të isha fizikisht më mirë, do isha futbollist shumë i kompletuar.

Si kalove nga kampionati maqedonas në atë kroat?

Më kujtohet që ka qenë ndeshja Rabotniçki-Bregalnica dhe agjenti im më tregoi se do të jenë prezent skautët e Lokomotiva Zagrebit për të më parë nga afër në atë ndeshje. Më pëlqyen, pastaj vazhduan kontaktet dhe u realizua transferimi.

Këtë sezon ju po luani rregullisht, çfarë ndjesie është që të jesh 19 vjeç dhe të aktivizohesh në kampionatin kroat?

Falë Zotit kontributi im në stërvitje dhe ndeshjet që kam luajtur, po shpërblehet këtë sezon që po luaj rregullisht. Është privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe të aktivizohem në moshën 19-vjeçare në një ligë prestigjioze si ajo e Kroacisë.

Ua përmendin shpesh ngjashmërinë me Luka Modriçin?

Po, është e vërtet dhe ma përmendin shpeshherë. Shpresoj që një ditë të arrij të bëhem si i madhi Luka Modriç.

Për cilën skuadër bëni tifo?

Jam tifoz i Barcelonës.

Pse vendosët që të përfaqësoni Shqipërinë U-21, ndërsa më parë luanit për Maqedoninë?

Shumë e lehtë, sepse ëndrra e çdo shqiptari është që një ditë të veshë fanellën e Kombëtares sonë.

Jeni grumbulluar dy herë nga Silvinjo, si je ndjerë?

Është një ndjenjë që nuk mundesh ta përshkruash, por vetëm përjetohet. Një falënderim për Silvinjon që ma dha këtë mundësi.

Si të pritën lojtarët e Kombëtares A?

Të gjithë më kanë pritur mirë. Ishte një ndjenjë shumë e mirë që unë stërvitem me ta dhe i përshëndes të gjithë.

A pret një debutim me fanellën kuqezi në ndeshjet me Çekinë dhe Ukrainën?

Shpresojmë, unë jam gati. Stërvitem mirë dhe kam luajtur rregullisht këtë sezon me Lokomotivën e Zagrebit.

Çfarë synoni në karrierë?

Shpresoj dhe synoj që në të ardhmen të luaj në 5 ligat më të mira në Europë.

Si e kalon kohën e lirë?

Nuk jam adhurues i lojërave kompjuterike. Preferoj më shumë të kërkoj filma.

Për ta mbyllur, cili është ushqimi juaj i preferuar?

Lazanja.

 

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"