EKSKLUZIVE/ “Mund ti shënonim sërish Kroacisë”, Arbër Hoxha beson: Me 4 pikë e kalojmë grupin (E PLOTË)
Nga i dërguari ynë në Gjermani, KRISTI SEJATLLARIArbër Hoxha është pa dyshim një nga surprizat më të bukura kuqezi të Europianit të Gjermanisë. Në dy ndeshjet e luajtura deri tani nga Shqipëria, me Italinë dhe Kroacinë, ai është futur në fushë si zëvendësues, por në të dy rastet i ka dhënë impuls lojës së Kombëtares tonë. Veçanërisht me Kroacinë, edhe pse trajneri Silvinjo e hodhi në fushë 5 minuta para fundit të kohës së rregullt, sulmuesi anësor e ndihmoi shumë skuadrën me driblimet dhe shpërthimet e tij.
Hoxha ishte protagonist edhe në aksionin e golit të barazimit të shënuar nga Gjasula. Të gjithë gjykojnë se ky lojtar meriton të luajë më shumë, pse jo dhe të jetë titullar. Në një prononcim për “Panorama Sport”, futbollisti 25-vjeçar thekson se kuqezinjtë bënë një ndeshje të mirë me Kroacinë. Ai beson te një fitore e mundshme me Spanjën për të kaluar grupin me 4 pikë.
KROACIA- “Është një kënaqësi shumë e madhe për ne që jemi këtu, për lojtarët dhe tifozët që kemi marrë rezultat pozitiv me Kroacinë. Kemi shënuar gol në minutën e fundit dhe kemi marrë pikë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi dihet që Kroacia ka një skuadër shumë të mirë, me kualitet. Ne kemi marrë një pikë, edhe pse i kemi pasur mundësitë për të shënuar edhe gol tjetër. Besoj që ishte një ndeshje e mirë për Shqipërinë, e kaluar me sukses. Ishte një atmosferë fantastike, një shtysë e fortë nga tifozët për të dhënë maksimumin në fushë”, është shprehur Hoxha për ndeshjen e së mërkurës në Hamburg
SPANJA-KUALIFIKIMI – Sulmuesi i Dinamos së Zagrebit më pas ka folur për ndeshjen e fundit në grup me Spanjën, duke shprehur optimizmin për një kualifikim të mundshëm. “Është nivel shumë i lartë në Europian, në grupin tonë janë skuadra të mëdha, si Italia, Kroacia dhe Spanja. Kemi rritje nga ndeshja e parë, mendoj që ishim mjaft mirë me Kroacinë dhe e kemi merituar barazimin. Shënuam gol të parët dhe kishim edhe dy-tre raste të tjera. Pësuam më pas, por mbetëm sërish në lojë dhe në fund shënuam edhe golin e dytë. Kishim rast për të shënuar edhe të tretin, por ky është futbolli. Me Spanjën shpresojmë që të jemi në 100%-shin tonë, të marrim 3 pikët dhe pastaj me 4 pikë mund ta kalojmë grupin”, theksoi Hoxha. Me siguri Silvinjo dhe stafi i tij e kanë në konsideratë formën mjaft të mirë të Hoxhës dhe pritet që të hënën e ardhshme t’i japin më shumë minuta lojtarit. Në anën tjetër, kjo paraqitje pozitive që sulmuesi kuqezi po bën në “Euro 2024” mund të ndikojë edhe në shitjen e mundshme të tij nga Dinamo e Zagrebit. Eventi gjerman është një vitrinë shumë e mirë për lojtarët për kalimin në klube dhe kampionate më të forta.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"