EKSKLUZIVE/ “Ndaj Partizanit pashë të rinj me karakter”, presidenti Bardhi: Kjo Dinamo më pëlqen, gati dhe dy afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2022 | 9:26

EKSKLUZIVE/ “Ndaj Partizanit pashë të rinj me karakter”, presidenti Bardhi: Kjo Dinamo më pëlqen, gati dhe dy afrime

Edhe pse ishte vetëm një miqësore, ndeshja me Partizanin dha sinjale se Dinamo është në gjendje të përballet denjësisht edhe me kundërshtarë nga Superiorja. Blutë barazuan 1-1 në Pogradec, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Adrian Bardhi, bashkë me ortakun e tij Kristjan Gjidodaj. Në një prononcim për “Panorama Sport”, numri një i klubit kryeqytetas thekson se ka mbetur i kënaqur nga ajo çfarë pa në fushë në miqësoren e fundit. Ai u shpreh se skuadra aktuale ndryshon shumë me atë të Superiores në aspektin e karakterit.

bardhi adrian

SKUADRA DHE TË RINJTË “Dinamo që pashë në ndeshjen me Partizanin më pëlqeu, jo se barazoi me një ekip të Superiores. Dua ta them se pashë një ndryshim të madh sa i takon skuadrës në fushë, në krahasim me Dinamon që kishim në Superiore. Pashë të rinj me karakter në fushë, që luftonin për skuadrën. Kjo është ajo që duam. Ne jemi munduar të bëjmë një gërshetim të Dinamos së Kategorisë së Parë, ku lojtarëve me eksperiencë u bashkohen disa të rinj të talentuar që nesër mund të jenë e ardhmja jonë”, ishin fjalët e para të presidentit të “Nëndetëses”.

Më pas ai shtoi: “Siç e kam thënë edhe më parë për ‘Panorama Sport’, qëllimi ynë është që Dinamo e Kategorisë së Parë duhet të jetë 60-70% edhe skuadra e Superiores. Rikthimin në elitë as që duhet ta vëmë në diskutim. Të rinjtë janë një nga përparësitë e projektit tonë për Dinamon e së ardhmes dhe me ta do të firmosim kontrata afatgjata. Në përgjithësi jam i kënaqur me gjendjen e skuadrës dhe përgatitjet që janë bërë. Besoj se dhe me stabilizimin në strukturën e re të të gjithë klubit në kompleksin e Arbanës, gjithçka do të shkojë mirë për Dinamon”, u shpreh fillimisht presidenti Bardhi për gazetën.

EDHE DY AFRIME NË MERKATO Më tej, i ngacmuar në lidhje me merkaton e bluve, presidenti Bardhi ka pohuar se do të ketë të tjera përforcime, ndërsa goditjet e radhës pritet të jenë një sulmues dhe një mbrojtës krahu.

“Po, presim akoma lojtarë. Kemi gati dy goditje, që shpresojmë t’i mbyllim shumë shpejt. Janë një sulmues dhe një mbrojtës krahu. Bëhet fjalë për lojtarë të huaj”, deklaroi Bardhi. Ai nuk ka përmendur emra, por është e qartë se blutë presin një qendërsulmues dhe një mbrojtës të djathtë. Sepse për krahun e majtë në skuadër janë Indrit Prodani dhe Ilir Allmuça. Për krahun e djathtë është afruar Patrik Fetaj. Objektiv ka qenë Erlis Frashëri i Skënderbeut, por ndoshta në këtë rast pengesë është kontrata që ai ka me korçarët. Tani mbetet të mësohen vetëm emrat e dy afrimeve të radhës, që do të forcojnë grupin që ka në dispozicion trajneri Nevil Dede. Deri tani me kryeqytetasit janë bashkuar lojtarë si, Asion Daja, Taulant Marku, Dikson, Patrik Fetaj, Ersil Ymeri, Ilir Allmuça, Aurel Marku, Sinan Dani, Redon Danaj dhe ndonjë i ri tjetër.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"