EKSKLUZIVE/ Ndarja nga jeta e Duamenës, kardiologu Shurdha: Heqja e aparatit, si dënim me vdekje ( E PLOTË)
Rafael Duamena ka bërë një gabim fatal kur ka vendosur të heqë aparatin e implantueshëm kardiak dhe po kaq gabim ka bërë edhe mjeku që e ka kryer si proces. Ishkapiteni i Egnatias gjatë qëndrimit të tij në Zvicër para se të zbarkonte në Shqipëri, ka hequr defibrilatorin që e kishte vendosur pas dy problemeve serioze që kishte pasur në fushë në të kaluarën, pikërisht për shkak të zemrës.
“Panorama Sport” intervistoi dr.Ormir Shurdhën, mjek kardiolog, aritmolog, i specializuar në vendosjen e aparaturave të implantueshme kardiake si “pacemaker” dhe defibrilator. Ai thotë se duhen protokolle të përbashkëta në të ardhmen, të cilat duhet të jenë shumë të rrepta, me qëllim që të parandalohen sa më shumë raste të tilla.
A duhej të luante ende si profesionist Duamena pas problemeve që kishte me zemrën?
Qëllimi i çdo klubi apo shoqate sporti duhet të jetë, që çdo sportisti i çdo moshe qoftë, pavarësisht sportit, nuk duhet t’i rrezikohet jeta gjatë ushtrimit fizik. Për këtë arsye ata duhet të bëjnë një “screening” kardiovaskular për të përcaktuar se kush prej tyre ka risk për vdekje të papritur, dhe të marrë të gjitha masat për ta parandaluar.
Lojtari kishte pasur edhe dy herë të tjera humbje ndjenjash në fushë, a mund të shmangej kjo tragjedi?
Prania e dy episodeve të mëparshme me humbje ndjenjash, ishte si alarm që kjo mund të ndodhte përsëri. Unë nuk e di saktë diagnozën që ka pasur, por fakti që kishte defibrilator të implantueshëm kardiak, i cili vendoset te personat që e kanë pasur një atak kardiak “dhe kanë shpëtuar njëherë nga vdekja”. Ose, tek ata persona që kanë një risk shumë të lartë për vdekje të papritur kardiake. Në qoftë se ai do ta kishte të vendosur defibrilatorin e implantueshëm kardiak mund të shpëtonte.
A mund të bëhej më shumë pas arrestit kardiak që pësoi të shtunën në fushë?
Çdo vend publik dhe aq më tepër në një stadium, duhet të ketë në dispozicion një defibrilator të jashtëm, sepse dhënia e ndihmës së parë te një person që ka humbur ndjenjat, në shumicën e rasteve këto janë aritmi kardiake vdekjeprurëse, defibrilatori është shumë i suksesshëm për mbajtjen në jetë.
Duamena në të kaluarën ka mbajtur defibrilator, por para se të vinte në Shqipëri vendosi ta hiqte… A është e lejueshme kjo? Cili është mendimi juaj?
Është e kundërindikuar dhe jo e lejueshme, që një doktor të rekomandojë, dhe aq më tepër ta heqë një defibrilator të implantueshëm kardiak. Kjo është si ta ketë dënuar me vdekje personin që e mban. Prania e defibrilatorit do t’i shpëtonte jetën. Vende të ndryshme kanë rregulla të ndryshme në lidhje me atë që duhet apo jo të luajnë futboll ata që mbajnë një defibrilator. P.sh. Eriksen që luante për Danimarkën në Europian, pësoi një atak kardiak gjatë një ndeshjeje. Tani ai luan në Angli në Premier League, ndërkohë që në Itali nuk e lejuan të luante më. Fakti që në shumë klube, Duamenën e kishin ndaluar të luante, edhe pse kishte defibrilator, do të thotë që ai ka pasur një patologji të rëndë kardiake, e cila i rrezikonte jetën.
A keni një këshillë për klubet e futbollit në lidhje me masat që duhet të marrin ndaj rasteve të ngjashme? (para tij edhe një tjetër lojtar ka pasur probleme në zemër dhe është lejuar të luante edhe pse në Perëndim ia kishin ndaluar…)
Mendoj që duhet të bëhen protokolle të përbashkëta dhe më të rrepta si nga klubet sportive, mjekët sportivë, ashtu dhe nga kardiologët për të mos lejuar që ngjarje të tilla të ndodhin prapë.
JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"