EKSKLUZIVE/ “Ndeshje e vështirë me Teutën”, Balaj: Vllaznia po kthehet, tani prisni gola të tjerë… (E PLOTË)
Kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj e quan me shumë vlera fitoren kundër Egnatias, kampione në fuqi. Golashënuesi më i mirë i Vllaznisë dhe i kampionatit, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet se kërkon që të jetë sërish në ndihmë të ekipit me lojën dhe me golat e tij. Ai është optimist që Vllaznia do ta ruajë këtë vazhdimësi edhe në përballjen kundër Teutës.Bekim, sa e rëndësishme ishte fitorja kundër Egnatias?
Normalisht që ishte një fitore e rëndësishme, pasi vinte përballë një skuadre si Egnatia dhe pas humbjes me Skënderbeun. Ajo humbje na la një shije të hidhur, por ekipi diti të reagojë ndaj Egnatias dhe treguam se jemi të gatshëm për të bërë më të mirën. Ishte gjithçka e merituar nga ana jonë.
Kemi parë një skuadër me më shumë grintë dhe dëshirë nga ndeshjet e tjera, cili ishte ndryshimi?
Siç e thashë, vinim nga një humbje dhe përqendrimi ishte maksimal te kjo ndeshje. Luanim kundër Egnatias kampione dhe për këtë fitorja na jep më shumë optimizëm për të ardhmen. Tre gola në katër ndeshje.
E synoni sërish “Këpucën e Artë”?
Unë po mundohem që të bëj maksimalisht punën time. Jam në shërbim të skuadrës dhe ndihmoj skuadrën me të gjitha forcat e mia. Për mua si sulmues, e rëndësishme është që të kem kontakt me golin dhe do të mundohem që të shënoj sa më shumë. Puna ime është që të kontribuoj sa më shumë për ekipin në çdo ndeshje.
Besoni se do të vijojë kjo ecuri pozitive edhe në takimin e radhës kundër Teutës?
Do të jetë një ndeshje jo e lehtë edhe për faktin se Teuta vjen pas një fitoreje me shumë vlerë. Ne do të shkojmë për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin. Për të arritur objektivat që kemi duhet që të arrijmë edhe fitimin e pikëve jashtë fushe.
Katër javët e para po tregojnë se të gjitha ekipet kanë luhatje, mendoni se te Vllaznia gjërat po stabilizohen?
Edhe për ne fillimi i sezonit nuk ka qenë i lehtë, pasi edhe ekipi ka pasur dëmtime. Shpresoj shumë se me rikthimin e lojtarëve të munguar, skuadra do të kompletohet më tepër dhe do të bëjmë më mirë si skuadër. Pavarësisht se deri tani kemi bërë mirë, mund të bëjmë edhe më mirë. Rikuperimi i lojtarëve do të rrisë konkurrencën dhe kjo do të sjellë rezultatet.
Ku mund të bëni më mirë, që të ruhet ecuria pozitive?
Të gjithë kemi nevojë për përmirësim. Lojtarët e bashkuar me ekipin në merkaton e verës po ingranohen mirë dhe kjo po shihet nga ndeshja në ndeshje. Siç e thashë, edhe më sipër rikuperimi i lojtarëve të dëmtuar do të bëjë mirë për vazhdimësinë.
Me këtë start, deri ku mund të shkojë kjo Vllazni?
Është herët që të flasim se ku mund të shkojë Vllaznia me këtë start, por sigurisht që dihen objektivat. Mendoj që duhet ta kemi mendjen vetëm te takimi i radhës e në rastin konkret te ndeshja me Teutën.
ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"