EKSKLUZIVE/ Nga dopieta te batutat e Dajës, Zabërgja: Dinamo është fantastike, derbi i hapur (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2024 | 23:19

EKSKLUZIVE/ Nga dopieta te batutat e Dajës, Zabërgja: Dinamo është fantastike, derbi i hapur (E PLOTË)

Dinamo e pret derbin e dytë se zonal me Partizanin në një moment shumë të mirë. Vjen pas fitores 0-5 ndaj Elbasanit dhe morali është mjaft i lartë, por në anën tjetër pritshmëritë rriten dhe në kampin dinamovit e kanë të qartë situatën. Baton Zabërgja, sulmuesi anësor që luan sezonin e dytë me fanellën blu, ishte autori i një dopiete në ndeshjen e fundit, ndërsa në total e ka gjetur rrugën e rrjetës 5 herë.

ZABERGJA

Ai, bashkë me Bregun dhe Mandelën, kanë formuar një treshe mjaft simpatike në sulmin e “Nëndetëses”. Ata janë “violinat e para” të një “orkestre” që në ndeshjen e fundit funksionoi në mënyrë perfekte.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 23- vjeçari rrëfen momentin e mirë të tijin dhe të skuadrës, si dhe ndonjë “sekret” të trajnerit Ilir Daja. Zabërgja thotë se Dinamo ka një grup fantastik lojtarësh dhe nuk i mungon asgjë për të fituar trofe këtë sezon.

Baton, dopieta e parë në Superiore për ju. Është e para në gjithë karrierën tuaj?

Në Superiore ishte e para ajo kundër Elbasanit, ndërsa në karrierë kam shënuar 2 gola në një ndeshje kupe në Kosovë me Drenicën. Atë ditë ishte diçka e bukur për mua, sepse para ndeshjes më telefonoi mbesa dhe më tha: ‘Dajë, a po na kënaq sot?’ Me 2 gola patjetër që u kënaq, ashtu si dhe prindërit që ishin në stadium.

E prisnit atë fitore të thellë kundër Elbasanit, ku Dinamo mbi të gjitha bëri ndeshjen perfekte?

Ndoshta me atë rezultat jo, por e prisnim të fitonim me Elbasanin. I dimë vlerat tona, kemi një skuadër të fortë, me kualitet dhe të kompletuar. Kemi punuar shumë dhe donim të ktheheshim te fitorja pas atyre barazimeve radhazi që sikur na prishën pak punë. Siç u pa në fushë, bëmë çdo gjë mirë në atë ndeshje. Gjithë puna në stërvitje u konkretizua në ndeshje dhe ne ishim dominues ndaj kundërshtarit nga fillimi në fund. Shënuam 5 gola, bëmë një lojë të bukur dhe të dyja këto na shtojnë besimin për më tej. Tani na duhet që të kemi vazhdimësi dhe pse jo të rritemi më shumë javë pas jave.

Dhe përpara është derbi me Partizanin. Çfarë ndeshjeje prisni të shtunën në Elbasan?

Shpresoj shumë të jemi në po atë nivel që ishim në ndeshjen e fundit. Do të jetë e vështirë, por Dinamo jam i bindur se nuk ka asgjë mangët ndaj Partizanit dhe ndaj rivalëve të tjerë. Në derbin e fazës së parë me Partizanin u paraqitëm shumë mirë, shënuam të parët dhe kishim raste për ta mbyllur ndeshjen. Edhe tani pres një ndeshje të fortë dhe të hapur, ku ne do të kemi shanset tona. Ne na takon t’ia bëjmë shërbimin si duhet kësaj sfide dhe të kërkojmë fitoren, pastaj se çfarë do të rezervojë fusha, do ta shohim.

Pas dy humbjeve në dy javët e para, Dinamo ka pasur një seri rezultatesh pozitive, që e kanë ngjitur në vend të tretë. Ku e shihni skuadrën tuaj në fund të këtij sezoni?

Është akoma herët për të folur me saktësi, por me siguri do të jemi pretendentë deri në fund për të fituar diçka këtë sezon. Dinamo i ka të gjithë kushtet, në çdo aspekt. Presidenti është shumë korrekt dhe skuadra ka cilësi për të qenë fituese. Unë do të veçoja faktin se kemi një grup fantastik lojtarësh, ku të gjithë janë të kënaqur me atë që po bëjmë, edhe ata që nuk kanë pasur mundësi të luajnë. Te Dinamo nuk ka fytyra të trishtuara, por të buzëqeshura dhe kjo na ndihmon për të ecur përpara.

Cilët janë rivalët kryesorë të Dinamos?

Kampionati është shumë i fortë, duket nga ngjeshja e skuadrave në renditje. Mendoj se Partizani dhe Vllaznia janë dy skuadrat rivale më të forta për ne.

Mund të na tregoni ndonjë “sekret” të trajnerit Daja, çfarë e bën atë ndryshe nga të tjerët?

Me profesorin punojmë shumë dhe kemi tjetër ritëm, kjo duket qartë. Ai është shumë kërkues dhe do maksimumin në gjithçka që ne bëjmë. Do maksimumin edhe te gjërat e vogla për të arritur gjërat e mëdha. Rezultatet flasin vetë, sigurisht që jemi ndryshe me të. Trajneri komunikon me çdo lojtar dhe bëjmë edhe ndonjë batutë. Për shembull, na thotë “jemi ende makinë me kamio manuale, nuk jemi bërë me kamio automatike”.

Edhe në rendimentin tuaj personal trajneri Daja ka ndikuar, pasi keni arritur numrin e golave që shënuat gjithë sezonin e shkuar…

Po, patjetër edhe tek unë, si te gjithë skuadra. Më ka kërkuar që të jem më afër portës kundërshtare, afër zonës së “thesarit” dhe rezultati është ky që është, me 5 gola.

Të gjithë golat që keni shënuar janë të bukur, po ju vetë cilin do të veçonit?

Mendoj goli kundër Laçit është më i bukur që kam shënuar deri tani, edhe pse secili të fal kënaqësi më vete.

Stadiumi i Elbasanit ju sjell fat, pasi aty keni shënuar 4 gola, apo jo?

Po, ashtu është. Më ka ecur aty. Mendoj se është fusha më e mirë në Shqipëri, sa shumë ndeshje luhen aty dhe përsëri mbetet e njëjtë. Është më e mirë edhe se “Air Albania”.

Golat te Dinamo duket se janë “monopol” i sulmit, vetëm Meksi e ka prishur “rregullin”…

E vërtetë është, kemi shënuar ne sulmuesit, por meritat janë të gjithë skuadrës, patjetër. Edhe sezonin e shkuar kishim lojtarë të mirë në sulm, tani jemi akoma më mirë. Të gjithë ndihmojmë njëritjetrin. Me Bregun në ekip është ndryshe, edhe sikur asgjë të mos bëjë gjithë ndeshjen ai ta jep një top për të shënuar gol. Me Elbasanin shënuam të dy nga dy gola. Bashkë me Brunon (Ditën) inkurajuam Mandelën, duke i thënë se do të shënonte, por ai nuk u shqetësua fare për veten, ishte i gëzuar që po fitonim bindshëm dhe kaq. Po e përsëris, kemi një grup të mrekullueshëm, lojtarë që sakrifikojnë për njëri-tjetrin. Qëllimi është i njëjtë për të gjithë, ta çojmë Dinamon në majën e futbollit shqiptar.

Për kë bën tifo Zabërgja, a keni një model që përpiqeni ta imitoni?

Jam tifoz i Arsenalit, më ka pëlqyer ai ekip që kur isha fëmija. Më pëlqente shumë Henri, që e kujtoj në fundin e karrierës së tij. Por nuk është se kam një model, apo një idhull.

Po në futbollin shqiptar, cili është lojtari që ju ka impresionuar më shumë?

Ka vërtet shumë lojtarë cilësorë, por do të veçoja të ndjerin Duamena. Ai bënte disa gola të veçantë, që e dallonin nga të tjerët.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"