EKSKLUZIVE/ Nga Elbasani në Torino, talenti i Kombëtares rrëfen karrierën: Punoj për ëndrrën NBA, idhulli im… LeBron
Elbasani është një qytet që prodhon vazhdimisht sportistë, edhe sa i përket lojërave me dorë, më konkretisht nga basketbolli.I fundit që po spikat është Viktorio Hida, i cili aktualisht është pjesë e Son Bosco Crocetta në Divizionin B në Itali dhe njëkohësisht pjesë e ekipit tonë Kombëtar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, 18-vjeçari tregon aventurën e tij në Itali, ndërsa synimet i ka të qarta, që një ditë të jetë pjesë e NBA. Ai tregon edhe diferencat mes dy kampionateve, teksa rrëfen se përshtatjen nuk e ka pasur të lehtë në fillim. Si të gjithë, edhe Hida e ka një idhull dhe ai është legjenda LeBron Xhejms.
Viktorio, cilat janë fillimet tuaja në basketboll?
Pasioni për basketbollin ka nisur para shumë kohësh, por në moshën 14-vjeçare kam nisur të luaj për ekipin e Elbasanit. Kanë qenë një mbështetje e madh për mua dy trajnerët, Xhulio Isufi dhe Geri Biçoku, më pas edhe te Dinamo me trajner Aleksandar Curoviç.
Si përfunduat në Torino?
Në moshën 16-vjeçare një gazetar sportiv i Torinos ishte prezent në disa nga seancat stërvitore në pallatin e sportit. Pas dy javësh marr një ftesë nga Don Bosco Crocetta, ekip i Torinos. Pas disa provave më pranuan për të qenë pjesë e tyre. Luajta në pesëshen e parë U-17 dhe U-19 ekip ekselence si dhe zëvendësues në ekipin e parë në Divizionin C. Për momentin luaj në U-19 dhe ekipin e Parë, Divizioni B.
Si e shihni këtë lëvizje në karrierën tuaj?
Kjo lëvizje më ka ndihmuar shumë. Më ka rritur në shumë drejtime, si sportist, por edhe si individ. Me vendosmëri dhe përkushtim arrihet çdo gjë dhe unë do vazhdoj të punoj fort për të arrirë qëllimet e mia.
Nga ndryshon basketbolli në Itali në krahasim me shqiptarin?
Ajo që vë re si ndryshim midis kampionateve, lidhet me faktin se në Itali është fryma e bashkëpunimit dhe uria për të fituar.
Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Një lojtar i mirë, e di rëndësinë e të vendosuri qëllime për veten dhe punon duke i pasur këto qëllime në mendje. NBA është një ëndërr e të gjithë basketbollistëve, por, për mua nuk dua që të mbetet vetëm një ëndërr. Tashmë e kam si një qëllim, për të cilin unë luftoj çdo ditë, derisa ta arrij.
E keni pasur të vështirë përshtatjen?
Kanë qenë muaj shumë sfidues për mua, sepse përveç stërvitjes intensive, kam patur edhe kursin për gjuhën, duke qenë se vazhdoj dhe shkollën në Torino. Por, jam ambientuar dhe e kam kapur shpejt ritmin e jetesës këtu.
Do të riktheheni në një të ardhme në Shqipëri, apo Elbasan?
Dëshira ime për t’u rikthyer në atdhe është e madhe. Por, qëllimi im fillimisht është të promovoj vendin tim në mënyrë që mbështetja e këtij sporti në Shqipëri të arrijë maksimumin.
Kujt ia dedikoni suksesin që keni arritur?
Sukses është ende herët për ta quajtur, por këto arritje ia dedikoj vetes si fillim dhe familjes time që më ka lejuar dhe më ka dhënë mundësinë të jem këtu ku jam. Gjithashtu, trajnerëve dhe njerëzve që më kanë mbështetur gjithë këtë kohë.
Cili është idhulli juaj?
Idhulli im është Lebron Xhejms, lojtar nga i cili frymëzohem.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"