EKSKLUZIVE/ Nga fjalët e para në gjuhën shqipe te tava me presh, rrëfimi special i Nanit të Dinamos: Kimi fantastike në sulm, ju tregoj si erdha këtu (E PLOTË)
Tiago Nani është “ylli” i fundit që po shkëlqen në sulmin e Dinamos, pas Mandelës, Zabërgjës e Bregut. Portugezi me mbiemrin e njohur në botën e futbollit ka rezultuar efikas javët e fundit, me 4 gola të shënuar.
Tani që po i jepet shansi të luajë titullar, ai po tregon një nivel të lartë, sidomos në raportin me portën kundërshtare. Ndoshta pak e kujtojnë, por ai ka qenë protagonist edhe në fitoren e parë të Dinamos në kampionat, teksa fitoi një penallti në fund ndaj Elbasanit, që Bregu e ktheu në gol. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 26- vjeçari rrëfen si erdhi në Shqipëri pas aventurave me skuadra të vogla në Portugali e Greqi, ditët e tij në Tiranë dhe sigurisht “sekretet” e kësaj Dinamoje. Nani thekson se skuadra e tij ka një kimi fantastike në sulm dhe kjo është një shtysë e fortë për të shkuar te titulli kampion.
Nani, së pari, mund të na thoni diçka më shumë për karrierën tuaj, pasi dimë pak për ju?
Sigurisht. Fillova të luaj futboll në moshë shumë të re, i frymëzuar nga familja dhe miqtë që e donin këtë sport. Kam shkuar në disa akademi në vendin tim, ku kam zhvilluar aftësitë e mia. Para se të mbërrija në Dinamo, pata mundësinë të luaja për disa klube më të vogla në Portugali dhe Greqi, që më ndihmuan të rritesha si lojtar dhe të përgatitesha për sfida më të mëdha.
Ju mbani një mbiemër të njohur në botën e futbollit, Nani, si ai që ka luajtur për Portugalinë dhe luani në të njëjtin pozicion me të. Ju kanë ngatërruar ndonjëherë, ju ndihmon, apo ju pengon ky fakt?
Është e vërtetë qe ndaj mbiemrin dhe pozicionin e Nanit. Kjo gjë bën që ndonjëherë të bëhen edhe krahasime. Është krenari të krahasohesh me një lojtar kaq cilësor, por është edhe përgjegjësi. Mundohem të mos rrëmbehem nga krahasimet dhe fokusohem të jem versioni më i mirë i vetes. Në fund mendoj se kjo më ndihmon të kem më shumë motivim për të treguar vlerën time.
Si erdhët te Dinamo në Shqipëri, çfarë menduat kur ju propozuan këtë ekip?
Një nga vëllezërit e mi më të mëdhenj, Mauro Rocha Rodrigues, është menaxheri kryesor i karrierës sime. Ai punon si skaut, njeh shumë njerëz në futboll dhe gjatë këtyre viteve janë shfaqur agjentë të ndryshëm. Ka krijuar partneritet. Në rastin konkret ishte me Panos (agjent grek) dhe një shqiptar, Albani. U fol për mundësinë e ardhjes në Shqipëri në fund të sezonit, pasi po shkëlqeja në divizionin e 3-të të Greqisë. Lindi mundësia për të ardhur te Dinamo, kështu që nuk u mendova dy herë dhe pranova sfidën për të ardhur këtu, sepse është një klub i madh në Shqipëri, me histori. Kam gjetur një ambient shumë të mirë në çdo drejtim.
Çfarë mendoni për futbollin shqiptar, për kampionatin që e kryeson aktualisht Dinamo juaj?
Çfarë ju bën më shumë përshtypje? Futbolli shqiptar ka evoluar shumë. Është konkurrues dhe plot talente të reja. Kampionati është i balancuar dhe çdo ekip mund të befasojë. Ajo që më bën më shumë përshtypje është pasioni i tifozëve dhe intensiteti i lojërave. Është një ambient që më motivon shumë.
Po e shfrytëzoni mirë shansin që ju ka dhënë trajneri, me 4 gola në 3 ndeshje… E prisnit këtë moment?
Gjithmonë kam besuar në punën time, e dija që me përkushtim do të vinin rezultatet. Sigurisht që nuk e prisja që gjithçka të ndodhte kaq shpejt, por jam shumë i lumtur që po ndihmoj skuadrën. Dua të vazhdoj të përmirësohem dhe të shpërblej besimin e trajnerit dhe bashkëlojtarëve të mi.
Sulmi i Dinamos është ndër më të mirët në kampionat. A është një “armë” e fortë për të shkuar te titulli kampion?
Kemi lojtarë shumë të talentuar në sulm dhe kimia jonë në fushë është fantastike. Ne punojmë shumë në stërvitje për të qenë efektivë dhe kjo ka dhënë rezultat. Besoj se sulmi ynë do të jetë vendimtar për të fituar titullin.
Si është një ditë për Nanin në Tiranë, çfarë bën përveç stërvitjes, kush është shoku juaj më i mirë, vendi ku shkoni më shpesh dhe ushqimi që ju pëlqen më shumë?
Ditët e mia në Tiranë janë shumë të thjeshta. Pas stërvitjes më pëlqen të pushoj, të shikoj filma, ose të dëgjoj muzikë. Ndonjëherë eci nëpër qytet me shokët e mi të skuadrës. Para disa javësh kam pasur edhe një vizitë nga familja ime. Lorrani dhe Toli janë miqtë e mi më të mirë, më ndihmojnë shumë kur kam nevojë për diçka. Më pëlqen të eksploroj kuzhinën lokale dhe tashmë kam rënë në dashuri me ushqime si, mish shqeto dhe tavë me presh.
Keni mësuar ndonjë fjalë në gjuhën shqipe?
Po, tashmë kam mësuar disa fjalë dhe shprehje bazë si, faleminderit, mirëmëngjes, si jeni… Mundohem të mësoj më shumë për t’u integruar më mirë me njerëzit dhe kolegët.
Ndeshja e fundit e 2024- ës me Egnatian. Në çfarë pozicioni do t’i festojë Dinamo festat e fundvitit?
Ambicia jonë është ta mbyllim vitin në kryesim. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Egnatias, por jemi të përgatitur dhe të sigurt. Ne duam t’ua japim këtë gëzim tifozëve dhe ta fillojmë vitin e ri në krye të tabelës.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"