EKSKLUZIVE/ Nga letrat anonime te Bajerni, rrëfimi special i Rizës: Ngacmimet e Omurit dhe thënia epike e Mingës pas golit, çfarë na tha Hekuran Isai
Ka qenë titullar, protagonist në 17 Nëntorin e asaj periudhe, pjesë e një grupi fantastik futbollistësh. Bëhet fjalë për ish-mesfushorin me tipare sulmuese, Florian Riza, i cili ka përjetuar në fushë ndeshjet historike me Bajernin e Mynihut.
Riza risjell sot, pas 35 vitesh, emocionet që përcollën tek lojtarët e 17 Nëntorit ato 180 minuta në vitin 1989. “Nuk e harroj kurrë, ishte ndeshja më e mirë në karrierën time. Minga i shënoi gol skuadrës që admironte, Bajernit”, tregon ndër të tjera fillimisht Riza në intervistën për “Panorama Sport”.
Flori, u shpallët kampion me Tiranën në vitin 1989. Si e kujtoni atë sezon?
Në sezonin 1988-1989 u shpallëm kampionë pas një rivaliteti me Partizanin. Ishte barazimi 1-1 me të kuqtë disa javë para përfundimit që rezultoi vendimtar. Më pas luajtëm në Europë, ku pas kualifikimit me Sliemën, disa lojtarë të 17 Nëntorit e grumbulluan me Kombëtaren A dhe ekipin Shpresa për ndeshjet kundër. Të dyja këto takime u zhvilluan në Stokholm. Unë luajta me ekipin Shpresa.
Të flasim pak për ndeshjen e parë në atë sezon në Kupën e Kampioneve, sot Champions. Çfarë ndodhi para udhëtimit në Maltë, ku luajtët kundër Sliema Uanderers?
Pati një irritim të madh dhe gjithçka erdhi prej faktit që do të shkonim në Maltë. Para se të niseshim, ne patëm një takim me Ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai, të cilit i ishin drejtuar me letra anonime një numër i madh njerëzish. Bëhej fjalë për disa lojtarë të ekipit tonë që nuk do të ktheheshin nga Malta! Pra, skuadra duhet të nisej me 6, 7 lojtarë, pasi pjesa tjetër duhej të ndalohej të udhëtonte për shkak të letrave anonime. Si tani e kujtoj që është bërë një mbledhje në Komitetin e Partisë të Tiranës dhe aty ministri deklaroi se të gjitha letrat i kishte hedhur në koshin e plehrave.
Shkuat në Maltë dhe pësuar humbje, çfarë kujtoni?
Po. Sliema u hodh në sulm, duke e përqendruar lojën te dy anglezë që kishte në përbërje si Uolker dhe Gresh. Krijuan 3-4 raste, ku në njërin prej tyre, Uolker realizon, duke shmangur ndërhyrjen e Mersinit. Ne reaguam, por pa mundur të konkretizojmë me gol, pasi mungoi forca realizuese në sulm.
Kjo, e reflektuar me një lojë konfuze dhe pritjeve të portierit vendës. Nuk u shfrytëzuan goditjet standarde, teksa pati mungesë qetësie dhe qartësie. Humbja 1-0 e la të hapur kualifikimin. Në ndeshje e kthimit fituam 5-0 dhe kështu kaluam në raundin tjetër, aty ku përballë do të kishim Bajernin.
Çfarë ndryshoi më pas, qoftë edhe në udhëtimin drejt Gjermanisë?
Ishte ngjarja me letrat anonime pas të cilës për herë të parë në historinë e daljes së ekipeve apo grupeve artistike jashtë shtetit, u vendos që do të shkohej pa shoqërues të sigurimit të shtetit apo funksionar të partisë.
Edhe për në Gjermani, para disa ditësh në klub erdhën dy persona. Njëri ishte nga Ministria e Brendshme, duke na shpjeguar mënyrat si të silleshim gjatë qëndrimit në Mynih, si dhe marrëdhëniet që kishte Shqipëria me shtetin me të cilin do të luanim. Këto na i sqaroi një i deleguar nga Ministria e Jashtme.
Drejt Mynihut pati diçka të veçantë?
Për në Mynih udhëtuam me avionin e kompanisë “Lufthansa”, që për herë të parë kishte vendosur linjën direkte Frankfurt-Tiranë dy herë në javë, të martën dhe të premten. Kështu u nisëm të martën për në Frankfurt, pastaj për në Mynih dhe kthimin të premten. Në avion në vajtje ishim vetëm në futbollistët dhe një zyrtar i larë i shtetit, anëtar byroje. Nuk në kujtohet emri, por ishte një person i rëndësishëm i asaj kohe.
Çfarë kujtoni si hera e parë?
Sapo zbritëm, autobusi na çoi te “Arabela Park”, një vend shumë i njohur në Mynih dhe aty në “Sheraton Hotel”. Ishte hoteli i Bajernit që sistemonte të gjitha ekipet udhëtuese, pasi në atë kohë sapo kishte nisur praktika që klubet vendëse prisnin skuadrat me të cilat do të ndesheshin. E njëjta gjë edhe në kthim, jo si sot që çdo ekip e gjen vetë ku do të akomodohet, gjithçka sipas nivelit.
Kështu për fatin tonë të mirë, qëndruam në një nga hotelet më të shtrenjta të Mynihut, nisur nga mikpritja dhe niveli i standardit që Bajerni kishte. Kujtoj se në dhomë isha unë me Hodjen, Minga me Josën, Daja me Kepën, Lekebello me Alimemetin, Kola me Sharrën, etj.
Mbrëmja gjermane ishte befasi e madhe për ju?
Në mbrëmje stërvitja njohëse, programuar në orën e ndeshjes, në “Olimpia Stadium”. Kënaqësi e madhe. Ajo që binte në sy ishte niveli i barit të fushës, me kushte optimale, që bënte ndryshim me stadiumet e tjera ku kishim luajtur. Të mërkurën paradite bëmë një shëtitje në qytet me autobusin që na kishte vënë në dispozicion klubi.
Por ne kishim edhe të enjten pushim. Interesim i madh, erdhën shumë shqiptarë, tifozë që merrnin autografe në hotel, sepse për Bajernin ishte ndeshje e nivelit të lartë. Raundi i dytë i Kupës së Kampioneve, dhe pas këtij numri i skuadrave reduktohej në 16-të. Pra, teorikisht të dyja klubet ishin shumë afër turit vijues.
Si është historia e pazarit të përbashkët në Athinë?
Kur u kthyem nga Malta, ndaluam në Athinë dhe aty bëmë atë pazarin e famshëm të atyre viteve. Pothuajse të gjithë blemë xhupa dhe gjatë qëndrimit në Mynih kishim të njëjtën veshje sportive, pra ato xhupa, që dukej sikur ishin të porositura për atë takim. Por ishte krejt rastësi.
Po analiza para takimit si ishte, çfarë orientoi më tepër trajneri Rreli?
Ne ishim një ekip i strukturuar mirë dhe patëm krijuar një traditë. Në mënyrë sistematike bënim analizë dhe se çfarë do të bënim gjatë ditës. E bënim te dhoma e famshme e bilardos në klubin tonë, sidomos para se të niseshim për në stadium. Në Mynih, kujtoj se Rreli zhvilloi një analizë të thjeshtë, me konceptin se sa më i fortë kundërshtari, aq më shumë motivohet ekipi. Rreli injektonte dhe nxiste lojën e grupit. E trajtonte shumë seriozisht ekipin kundërshtar.
Një kundërshtar me lojtarë nga më cilësorët e asaj kohe, ishin të frikësuar?
Ndonëse nuk kishim shumë informacion për Bajernin, njihnim lojtarët kryesorë të tij që ishin të ekipit kombëtar. Auman, Kohler, Augentaler, Dornfer, Shtrunz, Rojter dhe trajnerin Jup Hejnkes. Bajerni ishte një ekip me shumë cilësi. Kur po dilnim në fushë, duke u parë me njëri-tjetrin si me shaka, dikush tha: “Pse jeni të heshtur, flisni një fjalë, mos i keni frikë këto”. Ishte Bedri Omuri që tentoi të na ngacmonte. Sigurisht që kishim emocion. Ishte mbrëmje, plus tifozëri e madhe, por kishim edhe besim. Ishim të motivuar.
Ju u bëtë protagonist në atë ndeshje falë një episodi. Na i tregoni?
Ndeshja nisi e fortë dhe si gjithmonë kur ke eksperiencë të paktë në takime të këtij niveli, detyrimisht që ndëshkohesh edhe nga episode. Gol i parë i Bajernit ishte me penallti. Unë kam ndërhyrë te topi dhe ndonëse lojtari gjerman më shkeli me këmbë mbi gjoks, u rrëzua nga humbja e ekuilibrit dhe arbitri akordoi 11- metërsh. Edhe sot e kam në memorien time si mund të akordohet një penallti e tillë. Interesant mbetet një tjetër fakt, pasi unë isha qendërsulmues i ekipit kundër Bajernit dhe ndëshkohem për një ndërhyrje në zonën time. E them këtë detaj, se në variantin mbrojtës, ktheheshim edhe ne sulmuesit, për të treguar sa kompakt ishim në atë përballje.
Megjithatë, arritët të rihapnit takimin, duke shënuar me Mingën…
E kujtoj mirë golin. Kola pasoi te Josa, i cili kombinoi me Mingën, që brenda zonës, goditi shpejt dhe fuqishëm, duke i befasuar gjermanët, sepse nuk e prisnin. Por siç mund ta dini, Beni ishte tifoz i futbollit gjerman dhe sapo shënoi na tha:
“Ti bëja gol edhe gjermanëve, nuk e kisha menduar”. Ai ka qenë një takim me raste të shumta. Unë kam patur dyluftime të ashpra me Kohlerin dhe Augentalerin. Për fatin tim ajo mund të ketë qenë nga ndeshjet më spektakolare dhe më të bukura të karrierës time. Në përfundim të saj shkëmbyem uniformat. Atje ishte e mundur, sepse në Tiranë do të kishte fjalë.
Të nesërmen e ndeshjes e kishit ditë të lirë. Çfarë bëtë?
Të enjten secili nga ne u organizua në mënyrë spontane, duke takuar ndonjë të njohur, tifozë që erdhën aty dhe qëndruan me ne. Erdhi edhe djali i xhaxhait të Agustinit. Vetëm sa u pa, nuk u takuan, sepse nuk donte t’i prishte punë. Po kështu edhe disa raste të tjera, të kësaj natyre që kishin lidhje me letrat anonime. Kujtoj se njëri prej tyre, një shqiptar, dashamirës i yni, na dhuroi të gjithëve nga një orë dorë.
Riktheheni më pas në Tiranë, si ju pritën dhe si ishte grumbullimi?
Kur u kthyem në Tiranë, sapo kishte përfunduar pallati i sportit “Fahrie Hoti” dhe në katin e sipërm kishim hotelin tonë, kur më parë grumbulloheshim te “Arbëria” ose “Arbana”. U sistemuam tek hoteli ynë edhe për faktin se kuzhina jonë gatuante mjaft mirë edhe në krahasim me ushqimin që servirej në hotele.
Ju priste Spartakiada dhe takimet derbi para ndeshjes së kthimit me Bajernin?
Ishte një veprimtari që nuk mund ta evitoje. Ndryshe në kampionat se mund të shtyhej një ndeshje apo dy, para një përballje të rëndësishme siç edhe veprohej. Luajtëm dy derbi me Dinamon 2-2 dhe në finale humbëm 2-1 me Partizanin. U zhvillua ndeshje e fortë, skuadrat aktivizuan lojtarët më të mirë. Edhe pse pas pak ditëve do të luanim me Bajernin dhe dikush mund të dëmtohej, kjo as mund të mendohej, siç ndodh sot, kur bëhet rrotacion në ekipe.
Në ndeshjen e kthimit nuk mjaftoi dëshira apo jo?
Ishim në formë të jashtëzakonshme, kjo duhet thënë dhe të gjithë lojtarët po e prisnim me padurim ndeshjen. Krijuam dy raste në pjesën e parë. Pas një kombinimi Kola-Minga dhe goditjes me kokë të Mingës, Augentaler e ka larguar topin nga vija fatale. I dyti pas një kombinimi të Mingës me mua, nga porta nga RTSH. Unë godita me kokë, por Shtrumc, apo dikush tjetër, e devijoi topin po me kokë dhe ai përfundoi jashtë, pranë shtyllës nga kRahu i majtë i portierit.
Një rezultat pak befasues, nisur nga zhvillimi i lojës…?
Ata realizuan në fundin e pjesës së parë. Një faull shumë larg portës, asaj jugore, një goditje infantile nga një lojtar i Bajernit e çoi topin në rrjetë. Në pjesën e dytë, u bë një zëvendësim, Sharra në vend të Mersinit në portë. Që në minutën e 46-të, sulmi i parë i tyre në portën tonë përfundoi në rrjetë për 2-0. Vazhdojmë luajmë, ndonëse pa moral se rezultati total është 1-5. Në fund të ndeshjes, ata shënuan edhe të tretin.
Flitet për një debat në fund lojë, si është e vërteta?
Në një moment të lojës, Kola i bërtiti Stojës. Ishte çështje pasimi. Klaus Augentaler e sheh dhe ja bën me shenjë, duke i dhënë të kuptojë Agustinit që mos i kërko llogari kolegut, por shiko në çfarë gjëndje është terreni. Fusha e “Qemal Stafës”, që për ne ka qenë më e mira në Shqipëri, në atë muaj ishte përdorur për manifestimet e kohës, Spartakiadën dhe bari thuajse nuk ekzistonte.
UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL