EKSKLUZIVE/ Nga shkarkimi te kritikat, flet ish-trajneri Memushi: Flamurtari e teproi në Ballsh, Idrizi u nxitua me Çelën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2023 | 23:06

EKSKLUZIVE/ Nga shkarkimi te kritikat, flet ish-trajneri Memushi: Flamurtari e teproi në Ballsh, Idrizi u nxitua me Çelën (E PLOTË)

Eqerem Memushi fut në “skaner” Flamurtarin. Nga shkarkimi i Çelës, përplasja që trazoi ujërat në Ballsh apo mbledhja që zhvilloi Sinan Idrizi, analizohen në detaje nga ish-trajneri i njohur vlonjat.

eqerem memushi

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, ai e cilëson të nxituar vendimin për ndryshimin e trajnerit. Kritikat e administratorit ndaj lojtarëve i cilëson të drejta dhe aspak pjesë të një shou. Ish-mbrojtësi ishte dëshmitar i “arrogancës” që treguan futbollistët në “Adush Muçaj” ndaj stafit teknik dhe tregon se çfarë pa me sytë e tij. Ndërsa sa i përket ngjitjes në Superiore, pohon se ajo arrihet vetëm nëse fitohet çdo ndeshje, duke nisur me Kastriotin.

Flamurtari shkarkoi Emiljano Çelën pas humbjes me Bylisin. Ju e shikoni të drejtë si vendim?
Për mua duhet të bënte njëherë llogaritë dhe të mbyllte vitin kalendarik, pasi pak ndeshje ishin. Të uleshin dhe të flisnin, të bënin bilancin dhe pastaj të bënin edhe lëvizjen e trajnerit. Më duket pak e nxituar, por e di vetë presidenti këtë gjë.

Rikthehet në stol Dritan Resuli, i larguar që në javën e parë sezonin e shkuar. Keni një koment?
Nuk jap dot ndonjë opinion. Këto janë shijet e presidentit. Urojmë që të jetë zgjidhja e duhur kjo që ka bërë.

Sinan Idrizi ka zhvilluar një analizë, ku ka pasur kritika të forta për titullarët. E shikoni pak të tepruar këtë nga ana e administratorit?
Bëri shumë mirë, madje kjo analizë është pak e vonuar nga ana e tij. Duhet që ta bënte më përpara këtë gjë. Skuadra ka nevojë që presidenti të qëndrojë afër. Në fakt, Idrizi ka qenë afër gjithmonë, por këto mbledhje tregojnë seriozitetin. Një skuadër serioze, nuk duhet të analizojë vetëm humbjen… Për këtë ka bërë shumë mirë. Jam plotësisht dakord me të gjitha. Në fund të fundit ai është korrekt me pagesat dhe me të gjitha. Është e drejta e tij të kërkojë llogari deri në një. Nuk e shikoj të tepruar, sesa një përgjegjësi.

Kritika kishte edhe për kapitenin Denis Pjeshka, si e lexoni?
Kritika ishte e drejtë. Edhe mua më bëri përshtypje, sepse e kam ndjekur nga afër takimin në Ballsh. Më kanë bërë të gjitha përshtypje ato skenat që ndodhën aty. Qoftë ajo e brazilianit Estefano, por edhe veprimi i Denis Pjeshkës. Kur u ndërrua që iku direkt në dhomat e zhveshjes dhe nuk begenisi të shkonte deri te pankina. Megjithatë, unë flas nga jashtë. Nuk i di problemet, nuk e di se çfarë ka ndodhur brenda. Ato i dinë vetë ata që i kanë sqaruar edhe në analizën që kanë bërë.

Çfarë patë ju në Ballsh, na tregoni më shumë?
Mënyra se si u soll braziliani karshi stafit, nuk e di… Po të isha unë do ta pezulloja si lojtar. Në mënyrën më arrogante i është kthyer stafit teknik. Dhe këtë e panë edhe tribuna dhe pjesa tjetër e kundërshtarëve. Ishte një moment që krijon një imazh jo të mirë për skuadrën.

Nuk u kursye as Ramadani, Imami apo ndonjë tjetër…
Patjetër që do të ketë kritika. Ata janë shtylla e skuadrës. Pjeshka, Ramadani, Imami, Teqja, Zogaj, Vucaj, Estefano janë shtyllat e skuadrës dhe këtyre do t’u kërkohet llogaria. Ishte analizë e vonuar. Që me humbjen me Burrelin duhej të binin kambanat.

E shikoni ende të arritshme Superioren?
Unë e kam thënë që në fillim dhe vazhdoj ta them, Flamurtari kundërshtar ka veten e tij dhe pas kësaj vijnë Bylisi dhe Elbasani. Janë dy ekipe shumë të forta…. Unë nuk shikoj ndonjë pretendente tjetër. Kjo varet nga ecuria dhe nga ndeshjet direkte që do të luhen. Të mos harrojmë se me Elbasanin luajmë në transfertë në ndeshjen direkt. Kemi një transfertë shumë të vështirë në Vorë ku duhet të marrim patjetër tri pikët. Flamurtari me këtë ecuri, vetëm duke marrë tri pikë jashtë dhe tri pikë brenda mund të arrijë të grumbullojë dhe të vendosë në presion Elbasanin dhe Bylisin.

Ndeshja e radhës është me Kastriotin, por në Vlorë. Çfarë pritet?
Nëse Flamurtari do të ngjitet atje lart, ne diskutojmë trepikëshin që duhet të marrë jashtë, me skuadrat kundërshtare, se në Vlorë është detyrë shtëpie. Të gjitha ndeshjet që janë në Vlorë janë tri pikë dhe është detyrë shtëpie për skuadrën. Nuk duhet të diskutohen pikët brenda. Ne themi që t’u bëjmë presion skuadrave rivale dhe për t’u afruar për të kapur objektivin. Duhet t’i fitojmë të gjitha jashtë dhe nuk bëhet fjalë për brenda që është detyrim.

Një këshillë se çfarë duhet të bëjnë në merkaton e janarit?
Ndërhyrjet, çdo skuadre i kërkohet që t’i bëjë. Varet tani nga trajneri i ri dhe stafi i ri që do të shikojnë ku “pikon çatia”. Ata do ta vendosin se çfarë kërkojnë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"