EKSKLUZIVE/ Nga shtanga në shah, drejtori Muça analizon rezultatet: Vit super për Partizanin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2025 | 14:01

EKSKLUZIVE/ Nga shtanga në shah, drejtori Muça analizon rezultatet: Vit super për Partizanin!

Klubi Shumësportësh Partizani mbylli një vit me rezultate të rëndësishme, duke dominuar në disa disiplina sportive, ndërsa tashmë në ekipin e kuq fokusi është te viti 2025.-1000-0-Shkelqim-MucaNë një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori i klubit, Shkëlqim Muça, ka bërë bilancin sezonal, duke u shprehur i kënaqur me rezultatet e arritura nga Partizani. Nga shtanga në shah, për të kaluar në volejboll, basketboll apo atletikë, Muça analizon paraqitjet në kampin e kuq, duke vendosur edhe objektivat e reja. Teksa thotë se momenti më i bukur ishte titulli kampion në volejbollin e meshkujve, i ardhur me përmbysje kundër Tiranës, Muça komenton gjithashtu edhe ngërçin me kthimin e klubeve në shoqata, ndërsa thekson edhe një herë rëndësinë e Ligjit të Sponsorizimit.

Muça, cili është bilanci i përgjithshëm vitit që lamë pas në Klubin Shumësportësh Partizani?

Duke parë bilancin 2024- ës, natyrisht që jemi mjaft të kënaqur, pasi pothuajse i kemi arritur objektivat që ne kishim vendosur për cilësinë dhe rezultatet në disiplina të ndryshme sportive. Partizani është ekip i parë në disa disiplina, në volejboll për meshkuj jemi shpallur kampion të Shqipërisë. Në peshëngritje ekipi i femrave është shpallur kampion për herë të pestë që prej kohës që jam në drejtim të klubit. Ekipi i karatesë është shpallur kampion për vitin e pestë radhazi. Jemi shumë të lumtur që kemi fituar titullin kampion në shah, një sukses që vjen pas shumë e shumë vitesh. Jemi vërtetë shumë të kënaqur, pasi parvjet ishim nënkampionë, vjet në vend të dytë dhe më pas ia arritëm të triumfonin. Në këto disiplina sportive kemi arritur edhe rezultatet maksimale, por edhe në sporte të tjera, si në volejbollin e femrave ku kemi qenë në treshen e parë, gjithashtu edhe në basketbollin e femrave. Edhe në atletikë kemi qenë në vend të tretë dhe kemi një sportist cilësorë si David Nikolli, i cili ka arritur rezultatet të larta, duke u shpallur edhe kampion i Ballkanit. Pra duke parë të gjitha rezultatet mund të themi që i kemi arritur objektivat dhe kjo ka ardhur edhe në bazë të mbështetjes financiare që kemi nga Bashkia e Tiranës. Që kur jemi pjesë e bashkisë jemi trajtuar në mënyrë të barabartë edhe me Tiranën, direkt me mbështetjen e kryetarit Erion Veliaj, i cili ka qenë gjithmonë i gatshëm për të na plotësuar kërkesat që ne kemi pasur. Jemi të lumtur që jemi pjesë e Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2019, pasi fytyra e Klubit Partizani ka ndryshuar. Nga një klub që ishte duke u shkrirë dhe duke i humbur emri, jemi rikthyer të marrim pjesë në të gjitha disiplinat, duke u përfaqësuar në nivelet më të mira në Shqipëri.

Kë do të veçonit si momentin më të rëndësishëm?

Momenti më i bukur ka qenë finalja në volejbollin e meshkujve kundër Tiranës. Ishim rivalë në një derbi shumë të bukur me 5 ndeshje. Tirana vinte pas dy viteve radhazi si kampione, ndërsa në ishim kampionë më parë. Ishte vërtetë një garë shumë e bukur, ku dy ndeshjet e para i fitoi Tirana, ndërsa më pas ne përmbysëm gjithçka, duke marrë edhe titullin. Ai ishte edhe momenti më i bukur, pasi e kishim objektivin kryesor. Sigurisht ishte edhe merita e trajnerit Ylli Tomorri, i cili nuk u dorëzua kurrë edhe gjatë dy viteve kur nuk e fituam titullin, dhe arriti me këmbëngulje, duke krijuar një ekip kompetitiv. Ashtu sikurse e shikoni edhe këtë sezon, ku në fazën e parë nuk kemi pasur kundërshtarë, duke mos humbur asnjë set dhe duke i fituar të gjithë trofetë dhe pretendojmë që të jemi sërish në këtë nivel.

Çfarë prisni nga viti 2025?

Në pretendojmë që me ekipet që jemi shpallur kampionë, ta mbrojmë titullin. Kemi edhe disiplina të tjera si xhudo, taekuondoja, atletika, mundja, etj., ku presim rezultate të larta. Pra pretendojmë të mbajmë këto nivele, sidomos në peshëngritje për femra, ku jemi të bindur se do të shpallemi sërish kampion. Trajner Ervis Tabaku është shumë pasionant dhe ka në përbërje edhe sportiste shumë të mira, me të cilat pretendon rezultate edhe në arenën ndërkombëtare, ndërsa synojmë që shtojmë edhe numrin e kampioneve kombëtare. Me ekipin e karatesë jemi absolutë, pesë vite radhazi kampionë dhe nuk besoj që kemi rivalë, ku duhet përgëzuar edhe trajneri për punën e madhe që bën.

Ndërkohë në basketboll, nëse me femrat Partizani është konkurrues, me meshkujt nuk po ndodh e njëjta gjë…

Në basketbollin e femrave të trajneres Eliverta Bujari jemi konkurrues dhe do të luftojmë deri në fund edhe këtë sezon. Me meshkujt është e vërtetë që akoma nuk jemi në nivelin e duhur dhe do të luftojmë fort këtë sezon që të ngjitemi në Superligë. Por kjo ka të bëjë edhe me sponsorizimet dhe ka qenë pak problem kjo pjesë. Por e përsëris, nëse Ligji i Sponsorizmit do të bëhet efektiv, Partizani do të jetë një ekip konkurrues, sepse ka shumë sportdashës biznesmenë që e duan ekipin, por në këto kushte nuk janë të favorizuar që të afrohen.

Këtu del në pah edhe një herë rëndësia e Ligjit të Sponsorizmit…

Ju e dini shumë mirë Ligji i Sponsorizimit ende nuk po bëhet efektiv dhe vazhdon të jetë në tavolinë të atyre që e kanë për detyrë që ta bëjnë. Bërja e këtij ligji do të sjellë edhe ndikim të madh në sport, duke ngritur nivelin jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe në rang ndërkombëtar. Të gjitha klubet në Shqipëri do të marrin një hov të rëndësishëm në momentin që do të bëhet Ligji për Sponsorizimin, ashtu sikurse e ka edhe Kosova. Në Kosovë ka ligj sponsorizimi shumë të mirë dhe po na kalon ne në disa sporte ku kemi qenë shumë më përpara si në volejboll, apo në basketboll për femra. Ku ligj e ka zhvilluar shumë sportin e atje, pasi ka bërë që klubet të kenë buxhete mjaft të mira. Të gjithë njerëzit e sportit këtu e duan këtë ligj, edhe vetë presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, e kërkon me ngulm.

Cili është komenti juaj për problemin me kthimin në shoqata, ku Partizani nuk do të ketë të drejtë vote në Asamblenë e Volejbollit?

Ky nuk është një problem i këtij viti, por ka qenë në vazhdimësi. Prej disa vitesh, që me ndryshimet e Ligjit për Sportin, parashikohet që të gjithë klubet të kthehen në OJF ose ShA. Federata Shqiptare e Volejbollit ka të drejtë, sepse vetë ajo nuk mund të regjistrohet në gjykatë nëse zhvillon një asamble ku votojnë anëtarë të pa regjistruar në gjykatë. Ekipet që janë ende publike, në varësi të bashkive, me status ligjorë ende publike, pra shtetërore, nuk mund të regjistrohen në gjykatë. Kjo nuk ndodh vetëm me Federatën shqiptare të Volejbollit, edhe te Federata Shqiptare e Peshëngritjes që bëri zgjedhjet pak kohë më parë, ne nuk ishim me të drejtë vote. Bashkia e Tiranës ka për detyrë që të bëjë transformimin e klubeve dhe e ka filluar me Tiranën, duke marrë një vendim. Pra Tirana është tashmë në procedurë për të marrë vendimin e gjykatës, pasi edhe ajo ku na ka të drejtë për të votuar. Edhe ne jemi në procedurë së bashku me Studentin dhe unë mendoj që brenda 6-mujorit të parë të vitit 2025 edhe në do të marrim formën ligjore në bazë të ligjit. Ky është një handikap që e kanë pasur shumë klube në bashki të ndryshme dhe të gjithë kanë filluar procedurat. Këto janë probleme që kanë ndodhur edhe në Federatën e Atletikës, ku u anulua asambleja, sepse janë shumë klube që akoma nuk janë të regjistruar në gjykatë. Besoj që brenda këtij viti, ky problem do të jetë i zgjidhur për të gjitha klubet.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"