EKSKLUZIVE/ “Nga trajneri Daja do të përfitojë çdo lojtar”, Zabërgja: Si në derbi me Skënderbeun, Dinamo ka 2 ekipe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2024 | 16:21

EKSKLUZIVE/ “Nga trajneri Daja do të përfitojë çdo lojtar”, Zabërgja: Si në derbi me Skënderbeun, Dinamo ka 2 ekipe

Dinamo e derbit me Partizanin, që përkoi edhe me debutimin e trajnerit Ilir Daja, dha sinjale premtuese për një sezon kompetitiv. Në fushë u pa një skuadër më dinamike, përballë një rivali të fortë dhe që kishte mundësitë e saj për ta fituar ndeshjen.

ZABERGJA

Jo më kot të gjithë e konsiderojnë si një pikënisje për ngjitjen e bluve drejt kreut. Me Dajën në stol dhe një skuadër të kompletuar, 18 herë kampionët e vendit pretendojnë të jenë minimalisht në “Final 4” dhe të sigurojnë në vend në kompeticionet europiane, ku mungojnë prej një kohe të gjatë. Baton Zabërgja, një nga titullarët kryesorë të Dinamos, thekson në një intervistë për “Panorama Sport” se këtë sezon skuadra është shumë më ndryshe.

Ai shprehet se konkurrenca e madhe që është krijuar, pasi tashmë Dinamo ka dy formacione, do t’i bëjë mirë çdo lojtari dhe klubit. Sulmuesi anësor që në derbi u pa të luante edhe në disa pozicione të tjera, pohon se ndeshja me Skënderbeun fitohet, nëse skuadra do të ketë të njëjtën qasje si me Partizanin.

Baton, me atë që Dinamo dha në fushë kundër Partizanit, përtej rezultatit, duket se është futur në rrjedhën e duhur të kampionatit…
Besoj që po. Kemi bërë një ndeshje vërtet të mirë me Partizanin, me intensitet shumë të lartë. Kishim shanset tona për ta fituar ndeshjen, siç i kishte dhe kundërshtari, por niveli i lojës ishte ndryshe dhe na jep shumë besim për vazhdimin e kampionatit. Pas fitores me Elbasanin dhe barazimit në derbi ka shumë rëndësi që të vazhdojmë me rritemi dhe të marrim sa më shumë pikë. Sepse kemi një skuadër të fortë.

Çfarë ka ndryshuar në skuadër me ardhjen e trajnerit Ilir Daja?
Të gjithë e dimë se kush është trajneri Ilir Daja. Ai e ka dëshmuar qartë kudo që ka qenë se çfarë bën me skuadrat që drejton. Mund të them se çdo lojtar do të përfitojë prej tij dhe jam i bindur se do të rritemi shumë individualisht dhe si skuadër.

Ju pamë të luanit në disa pozicione në derbi?
Isha si një lojtar i lirë, luajta në mesfushë, si sulmues anësor, si numër 10, por pak rëndësi ka kjo. U mundova të jap më të mirën në fushë.

Ju mungon goli, mos e keni “ruajtur” për ndeshjen me Skënderbeun?
Shpresoj që të shënoj në këtë ndeshje, do të ishte bukur, por rëndësi ka të fitojmë.

Si e parashikoni sfidën e radhës në Elbasan, a është gati Dinamo për fitoren e dytë?
Çdo ndeshje është e vështirë dhe kështu do të jetë edhe kjo me Skënderbeun. Ne jemi munduar të përgatitemi sa më mirë dhe e kemi vlerësuar kundërshtarin, që luan mirë futboll. Për mendimin tim, nëse Dinamo do të ketë të njëjtën qasje si në derbin me Partizanin, do të marrim rezultat pozitiv dhe këtu kam parasysh fitoren. Duhet të luajmë me përqendrim maksimal.

Me afrimet e bëra në fundin e merkatos duket se është rritur forca e skuadrës. Deri ku mund të shkojë Dinamo këtë sezon?
Po, është e vërtetë që jemi forcuar me afrimet e fundit. Do të thosha se Dinamo është e kompletuar, madje ka dy skuadra tashmë, kështu që besoj shumë për një sezon të suksesshëm, por llogaritë bëhen në fund. Ajo që do të veçoja është se tashmë ka shumë rivalitet, ka shumë konkurrencë në skuadër dhe pa dyshim kjo do të na bëjë mirë të gjithave ne dhe mbi të gjitha Dinamos.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"