EKSKLUZIVE/ “Niveli i Superiores ka rënë”, Dzaria këshillon Partizanin: Iberia është përmirësuar, kujdes numrin “5”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 22:30

EKSKLUZIVE/ “Niveli i Superiores ka rënë”, Dzaria këshillon Partizanin: Iberia është përmirësuar, kujdes numrin “5”

Nëse do të kërkonim informacion mbi Iberian, Irakli Dzaria mund të jetë një nga personat nga i cili mund të mbledhësh më shumë informacion mbi kundërshtarin e radhës në Ligën e Konferencës për Partizanin.

DZARIA

Për ju që s’e kujtoni, Dzaria pesë vite më parë ishte pjesë e Kukësit, ku spikaste si një lojtar potent dhe ndihmonte verilindorët të fitonin Kupën e Shqipërisë. 35-vjeçari, që ka luajtur edhe me kombëtaren e Gjeorgjisë, tashmë e ka lënë futbollin dhe është pjesë e stafit teknik të Dinamo Batumit. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ish-mesfushori tregon për Iberian, të cilën e etiketon si një skuadër më të fortë se dy vite më parë. Gjithsesi, sipas tij shanset janë 50-50.

Irakli, si është jeta pas mbylljes së karrierës në futbollin aktiv?
Unë vendosa ta mbyll karrierën si futbollist një vit e gjysmë më parë te skuadra e Torpedo Kutaisit. Direkt pas kësaj nisa kursin për të marrë licencën e trajnerit dhe tani jam ndihmëstrajner në ekipin e Dinamo Batumit, që është kampione e Gjeorgjisë. Mund të them se ndodhem në një situatë shumë të mirë edhe tani që e kam lënë futbollin.

E keni ndjekur kampionatin shqiptar? Cilat janë përshtypjet tuaja?
Sigurisht që e kam ndjekur në vazhdimësi kampionatin shqiptar, sepse para së gjithash kam shumë miq që janë ende pjesë e tij. I ndjek edhe ata. Jam pak zemërthyer për Kukësin, që do të duhet të luajë në Kategorinë Parë. Kur unë isha në atë klub, ishte skuadër shumë e mirë në kushte tejet të mira. Për mendimin tim, në kohën kur unë isha pjesë e futbollit shqiptar, kampionati ishte më i bukur dhe i fortë se tani. Më parë kishte skuadra “të hekurta” si Skënderbeu, Partizani, Kukësi, Teuta apo Laçi. Tani mendoj se niveli ka rënë. Ky është mendimi im, ndoshta e kam gabim.

Të enjten Iberia do të ndeshet me Partizanin, pas dy vitesh nga betejat e Ligës së Konferencës. Çfarë ka ndryshuar që atëherë?
Po, i mbaj mend ato ndeshje ku Iberia arriti të fitojë me penallti. Por që atëherë kanë ndryshuar shumë gjëra si te Partizani, ashtu edhe te Iberia. Këta të fundit janë një klub me akademi të zhvilluar dhe kanë ndërtuar një skuadër të re me lojtarë të ardhur nga akademia e tyre.

A është kjo Iberi më e fortë se ajo e dy viteve më parë?
Po, për mendimin kjo skuadër e sivjetshme është më e fortë dhe cilësore se ajo e dy viteve më parë.

Cila është skuadër më e fortë? Partizani apo Iberia?
Nuk mund të them se cila skuadër është më e mirë, por sipas meje shanset janë 50-50. Iberia ka lojtarë të rinj shumë të talentuar, ashtu si edhe Partizani ka lojtarët e vet cilësorë nga Shqipëria, por edhe të huaj.

Kush është lojtari më i mirë i skuadrës gjeorgjiane?
Do të veçoja numrin 5 të tyre, Nonikashvili. Është mesfushor qendre dhe më pëlqen shumë loja dhe veprimet e tij në fushë.

Përse klubi vendosi ta ndryshonte emrin nga Saburtalo në Iberia?
Iberia është emri i vjetër i skuadrës gjeorgjiane të futbollit dhe presidenti i klubit (Tariel Kheshikashvili) donte që ky emër të mos harrohej kurrë. Kjo është arsyeja e ndërrimit të emrit, që tashmë përfshin një komunitet më të gjerë. Saburtalo është thjesht një lagje apo zonë në qytetin e Tbilisit.

Ju keni luajtur kundër Orges Shehit në Shqipëri. Si ka qenë marrëdhënia juaj me të?
Po, unë kam luajtur kundër atij. Shehi ishte kapiteni dhe lideri i Skënderbeut. Ai është gjithashtu një trajner shumë i mirë dhe kam besim se Partizani do të bëhet i suksesshëm në duart e tij.

Shqipëri-Gjeorgji në Ligën e Kombeve. Çfarë mendoni për këtë duel?
Shpresoj që ato dy ndeshje mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë të jenë duele të bukura dhe shumë interesante. Të dyja skuadrat kanë pësuar rritje në vitet e fundit, çka është diçka shumë e mirë. Nëse do të më jepet mundësia të vij atje, do të jem në stadium me siguri. Sigurisht, nëse në aeroportin shqiptar do të më lejojnë. Kur unë u ktheva nga Gjeorgjia në Shqipëri, më gjobitën në aeroport për shkak se unë nuk kisha një vizë. Shpresoj që të më lejojnë kësaj here!!

DENIS LALAPANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"