EKSKLUZIVE/ Heroi i derbit, Pano Qirko: Viti i Partizanit, ja si e kuptova Prengën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2024 | 22:28

EKSKLUZIVE/ Heroi i derbit, Pano Qirko: Viti i Partizanit, ja si e kuptova Prengën (E PLOTË)

Pano Qirko konfirmohet portieri i momentit në Superiore. Vlonjati shkëlqeu me atë penallti të pritur në minutat e fundit në derbi, duke shmangur një humbje dramatike ndaj Tiranës në fund.

TRYURU

Pas ndeshjes ai foli për “Panorama Sport”, ku tregoi rreth momentit të penalltisë dhe shtoi se ky mund të jetë viti i titullit për Partizanin.

Vendimtar me penallti të pritur, si ndiheni?

Jam shumë i lumtur që po kaloj këtë moment kaq të bukur. Ishte një ndeshje me raste dhe mendoj se kishim më shumë mundësi se Tiranë për të fituar. Por mund të them se ndonjëherë në futboll fati të kthehet mbrapsht dhe falënderoj Zotin që më dha shansin të isha të pjesë e kësaj ndeshje dhe të kontribuoja në këtë mënyrë.

Përse u hodhët në atë krah, ishte instiktive apo e studiuar?

Të them të drejtën më së shumti kam përdorur instiktin, ishte minuta e fundit dhe lojtarët përgjithësisht në atë moment provojnë në krahun e tyre më të fortë. Sidomos ata që gjuajnë me të djathtën, e kanë më të fortë gjuajtjen nga e djathta ime dhe mendova të hidhem në atë krah.

Është ky Partizan për titullin, që vjet iku në ndeshjen e fundit?

Partizani në çdo vit është për titullin. Ndoshta vjet nuk kishim fat, nuk ishim në ditën tonë më të mirë në finale. Duhej të ishim shumë më të motivuar. Këtë vit jemi më të motivuar, më të pjekur dhe mendoj se mund të jetë viti jonë. Nuk dua të flas para kohe, shpresoj të kemi këtë vazhdimësi, të vazhdojmë kështu dhe të paktën të mos humbim. Kjo është e rëndësishmja, pa humbje është rrugë më e thjeshtë.

Te Tirana ishit portier i dytë, ishte kjo penallti si hakmarrje?

Ah, Tirana. Është e shkuar tashmë, unë atje isha çun i ri. Mendova që gjëja më e mirë ishte të largohesha. Pata fat në Ballsh, ku gjeta ngrohtësi nga trajneri i portierëve, Rizvani. Këtu kam fatin që kam Vokën. Çelësi i suksesit për një portier janë trajnerët e profilizuar.

PRONONCIMI – Portieri vlonjat foli edhe për “RTSH”, ku u shpreh: “Në këto raste mendoj që penalltinë e pret portieri. Ndryshon kur sulmuesi godet shtyllën ose e dërgon jashtë. Mundohemi ditaditës të stërvitemi dhe të përmirësojmë mangësitë.

Me punë mund të arrihet gjithçka. Me qendërmbrojtësit kemi raporte shumë të mira, jemi gjithë kohës bashkë, argëtohemi dhe stërvitemi bashkë. Çelësi i suksesit është raporti i mirë me lojtarët, i cili pasqyrohet edhe në fushë. Me të gjithë mbrojtësit ndihemi mirë dhe kuptohemi mirë.

Prekën e kam ‘bablokun’ tim. Penalltia është pjesë e lojës. Është ndjesë që çdo lojtar do ta donte. Është pika kulminante për atë penallti, më e rëndësishme ishte që mos ta humbnim derbin”, u shpreh Qirko.

OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"