EKSKLUZIVE/ Partizani do Redon Xhixhën në janar, zbardhet “formula” e afrimit (E PLOTË)
Ish-sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha, është objektivi i madh i Partizanit në merkaton e janarit. Sulmuesi prej thuajse dy vitesh është pjesë e Karabagut në Azerbajxhan, ku në këtë sezon është aktivizuar në 7 ndeshje dhe ka arritur të shënojë 2 gola.
PRAPASKENAT – “Panorama Sport” mëson nga burime pranë Partizanit se drejtuesit e kuq janë vënë në lëvizje për të arritur të fitojnë shërbimet e Xhixhës. “Kuzhinieri” i kësaj lëvizjeje mësohet të jetë menaxheri Ilir Halili, i cili ka nën patronazh lojtarin dhe njëkohësisht është njeri i afërt i klubit të kuq prej disa muajsh, duke qenë ideator i ardhjes së trajnerit Veselinoviç, por edhe të lojtarëve të caktuar në merkato. Halili gjatë javës së shkuar ka udhëtuar drejt Azerbajxhanit për të tentuar këtë lëvizje, që do të ishte me siguri një nga më të mëdhatë gjatë janarit.
KONTRATA – Xhixha me Karabagun ka kontratë deri në verën e 2026-ës, pra afro edhe një vit e gjysmë. Paga e konsiderueshme që merr në klubin aktual bën që tendenca të mos jetë ndërprerja e marrëveshjes, por një huazim i mundshëm, ku Partizani të paguajë një pjesë të rrogës së sulmuesit. Vetë Xhixha në të shkuarën ka shprehur hapur se nuk është i prirur të kthehet në Shqipëri dhe me siguri do të përpiqet të shohë edhe opsione të tjera jashtë vendit, përpara se t’i thotë “po” Partizanit. Mbetet të shihet sesi do të vijojë dinamika e këtij operacioni.
KARAKTERISTIKAT – Duhet thënë se Xhixha luan në të tria pozicionet e sulmit, çka do të ishte bonus i madh për Veselinoviç. Një lojtar më karakteristika të tilla Partizani e kërkon prej kohësh, por të gjitha lëvizjet nuk i kanë çuar në rendimentin që premton 26-vjeçari. Nëse e transferon, Partizani do të merrte “vrasësin” e fundit të të kuqve në derbi. Që nga tetori 2022, kur Xhixha mposhtte i vetëm të kuqtë me atë dopietë spektakolare, Partizani nuk njeh më humbje në derbi.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"