EKSKLUZIVE/ “Partizani mbetet ekip i fortë, Elbasani si gur prove”, Ardit Beqiri: Me Veselinoviç skuadra u “shtrëngua”, ju tregoj rivalin për t’u mundur (E PLOTË)
Kur kanë kaluar tetë javë nga Kategoria Superiore, Partizani ka arritur të marrë i vetëm kreun e renditjes dhe të vërë kandidaturën si një nga skuadrat për tu mundur në garën për titullin kampion.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, të kuqtë i analizon ish-kapiteni Ardit Beqiri. Ai shprehet se Partizani është po aq i fortë sa vjet, teksa të vetmin boshllëk e sheh te largimi i Maget. Sipas tij, skuadra për tu mundur mbetet Egnatia, që ka ruajtur filozofinë.
Çfarë përshtypjeje ju ka lënë ky fillim i sezonit sa i përket nivelit, apo cilësisë së treguar?
Sikur është më ndryshe se vjet, më duket disi më mirë. Janë disa ekipe që luftojnë për vendet e para, nuk janë vetëm katër dhe pak a shumë po aty rrotullohet çështja e katërshes. Kjo e ka bërë më të bukur garën. Elbasani pretendon, Dinamo u rregullua goxha me ardhjen e Dajës, Partizani dihet se është pretendent, Egnatia është pak a shumë e vjetshmja, Vllaznia gjithashtu e fortë. Kjo e ka bërë më interesant.
Po sa u përket emrave të përveçëm? Duket sikur skuadrat janë përqendruar te grupi, jo individët…
Ndoshta vërtet nuk ka individë shumë të spikatur, por mendoj se ka individë të talentuar, të cilët besoj se do t’i tregojë koha. Pak a shumë niveli i lojtarëve ai është, nuk shoh ndonjë diferencë të madhe nga vjet. Pastaj disa “kokrra” të spikatura është normale të ikin, sepse kampionati ynë nuk i mban dot. Klubet tona dorëzohen para ofertave.
Po Partizani, si ju është dukur pas ndryshimeve të bëra në pankinë dhe në emra?
I fortë , i fortë është po aq sa vjet. E nisi keq sezonin, largoi trajnerin pak ditë para nisjes së kampionatit, çka nuk është gjë e mirë. Por sërish jam i mendimit se është ekip i fortë. Në mungesë të trajnerit e nisën si në gjumë dhe nuk mund t’i bëje një vlerësim tamam. Tashmë që janë nën autoritetin e plotë të trajnerit, çka ka të bëjë shumë, duket se ekipi luan i karikuar, i shtrënguar dhe me 100% të forcave.
U larguan disa lojtarë gjatë verës, mungesa e kujt po ndihet më shumë sipas jush?
Në një panoramë të përgjithshme duket se largimi i Magetit i ka prishur punë. Nga ajo që shihej vjet, ngjante sikur ekipi kishte krijuar varësi nga ai lojtar, nga forma e mirë që ai po kalonte. Tani që ekipi po luan me 100% të forcave, duket mungesa e tij. Maget mbante peshë, bënte lidhjen me repartet, njëkohësisht edhe ndërprerjen e aksioneve. Mehmeti ka dhënë prova se do ta zëvendësojë, por akoma nuk ka arritur në nivelin që të mos ia ndjejnë mungesën Magetit. Mungesa e Magetit i shkarkon më shumë energji Rrapajt, që duhet të bëjë më shumë bllokime. Për pjesën tjetër është po aq i fortë, është sërish pretendent. Nuk mund të ankohesh se ka ndonjë mungesë si ekip.
Në ndeshjen e fundit me Bylisin humbën disa raste të pastra, çka lanë shije jo të mirë. Ka mungesa në këtë repart?
Nuk e shoh si problem. Ndoshta mund të duhet ndonjë sulmues më i ashpër sa i përket zonës së vogël, por Mba e shoh si lojtar me shumë potencial. Ndoshta duhet t’i jepet më shumë hapësirë Kekos. Nuk mund të them se Partizani nuk ka sulmues. Mendoj se te Partizani mund të dalë një sulmues goli nga ata që janë aty. Mendoj se e gjen brenda radhëve që ka, nuk më duket ndonjë alarm për merkaton. E rëndësishme është që ekipi del, prodhon, është edhe i disiplinuar. Këtu duket edhe dora e trajnerit, autoriteti i tij.
Si ju duket Veselinoviç, çfarë përshtypjeje ju ka lënë?
Kjo është çështje perceptimi, sepse ne nga televizioni po e shohim, nuk jemi aty afër dhe po e shohim me detaje. Më duket trajner me autoritet, që ka krijuar një klimë serioziteti në ekip. Lojtarët janë shumë të preokupuar për detyrat e tyre. Kjo tregon se figura e trajnerit është e mirë, e plotë. Veselinoviç ka hyrë në rrugën për t’i dhënë ekipit idetë e veta, por nuk është akoma 100%, sepse ka nevojë ende për kohën. Shenjat e para i ka dhënë me grintën dhe me luftën, ekipi është shumë i impenjuar.
Cili prej lojtarëve, sipas jush, ka cilësinë dhe personalitetin për të bërë rolin e liderit te Partizani?
Kështu si po luhet futbolli sot, gjithsecili ka vlerën e vet në ekip. Po të jenë njerëzit të përgjegjshëm, nuk ka nevojë të kërkojmë një lider që të japë shembullin e vet. Mendoj se çdo lojtar duhet të ndihet lider në pozicionin e vet dhe se te Partizani ekziston kjo.
Nuk mund të thuash se nuk është lider Rrapaj në mesfushë apo Sembene e Hadroj në mbrojtje. Ky i fundit për mua është i djathti më i mirë në Superiore. Mba mund të jetë lider gjithashtu dhe ta tërheqë ekipin vetëm, sepse është lojtar shumë i fortë në lojën një kundër një. Nesër mund të jetë lider edhe Mehmeti. Të gjithë duhet ta ndiejnë veten liderë, sepse luajnë me ekipin më të mirë në Shqipëri.
Në ndeshjen e radhës luajnë me Elbasanin, fanellë të cilën e keni veshur edhe ju. Si e prisni këtë ndeshje?
Ne e pritëm Elbasanin si një ekip që do të garonte për të mbijetuar, por nuk rezultoi kështu. Elbasani tani është “gur prove” për forcën e të gjitha ekipeve pretendente. Plus ka pretendimet e vetë për katërshe. Elbasani është një transfertë që i “shtrydh” ekipet. Duhet bërë maksimumi që të dalin më tri pikë nga Elbasani, kështu që e shoh shumë të vështirë.
Cili ju duket ekipi për t’u mundur në këtë sezon?
Siç e thashë më lart, nuk është garë dyshe, sepse Vllaznia ka ndërtuar ekip shumë simpatik. Brdariç mesa duket di të ndërtojë një ekip të bukur, siç ishin atë vit kur u shkëputën dhe desh dolën kampionë. Janë 5-6 ekipe që luftojnë për vendet e para. Por mendoj se ekipi për tu mundur mbetet Egnatia. Pavarësisht se ka pasur lëvizje lojtarësh dhe ndryshime, e shoh të plotë si ekip dhe me një filozofi të sajën. Për këtë ndikon edhe fakti që kanë të njëjtin trajner. Partizani u lëkund me lëvizjet në stol, por aty po shkon. Tirana ka probleme.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"