EKSKLUZIVE/ “Për kreun flasim në maj”, Veselinoviç: Pa humbje me mua, por Partizani nuk është ende skuadër e madhe (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2024 | 22:01

EKSKLUZIVE/ “Për kreun flasim në maj”, Veselinoviç: Pa humbje me mua, por Partizani nuk është ende skuadër e madhe (E PLOTË)

Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinoviç, foli për “Panorama Sport” pas fitores që të kuqtë arritën kundër Bylisit.

veselinovic

Ai u shpreh se skuadra ia vështirësoi punën vetes gjatë ndeshjes, por shtoi se është shumë e rëndësishme që në gjashtë ndeshje, që kur ai ka marrë ekipin, nuk kanë humbur asnjë ndeshje. 54- vjeçari shton gjithashtu se djemtë duhet ta kenë të qartë se ende nuk janë një ekip i madh dhe se ka ende shumë gjëra për të përmirësuar.

Merrni fitoren e dytë radhazi, sa e rëndësishme është për vazhdimësinë e ekipit?

Për sa kohë unë e udhëheq ekipin, nuk kemi marrë asnjë humbje në gjashtë ndeshje gjithsej. Për këtë ekip, në këtë moshë për pjesën e vetëbesimit dhe mënyrën sesi ndërtohet është shumë e rëndësishme. Por patjetër duhet të vazhdojmë të jemi të përgjegjshëm, të mos mendojmë se mbase jemi ekip i madh.

Sa e vështirë ishte ajo ndeshje kundër Bylisit?

E kam thënë se çdo ndeshje në Superiore është e vështirë dhe e paparashikueshme, por mbase ne ia vështirësuam pak vetes ndeshjen. Ishte e dukshme që në pjesën e parë krijuam 3-4 raste shënimi. Edhe pse ishim më mirë nga organizimi i ndeshjes, nuk arritëm të shënonim në pjesën e parë.

Mbase në pjesën e dytë u bëmë pak nervozë, çka është diçka normale në futboll. Nëse flasim në përgjithësi për një ekip të ri ne, rëndësi kishin tri pikët. I falënderoj lojtarët për paraqitjen dhe kundërshtarin për lojën e zhvilluar! Gjithashtu, i uroj dy Kombëtareve kuqezi sa më shumë suksese në ndeshjet e këtij grumbullimi të radhës.

Shënuat me goditje standarde. Ishte diçka e punuar në stërvitje apo e zgjidhi individualiteti i lojtarit?

Është mëse normale që ashtu siç punojmë dy fazat e lojës, të punojmë edhe këto detaje. Këtë ndeshje e arritëm golin në këtë mënyrë, në ndeshje të tjera do ta gjejmë në tjetër formë. E rëndësishme ishte fitorja e ndeshjes.

Pushoni pak ditë dhe më pas ktheheni. Si do të jetë situata sa i përket mungesave dhe sa ju pengojnë?

Nuk do të kemi Hadrojn, Ismailin, Bintsukën dhe Prekën. Siç nuk jemi ankuar në shtator, nuk do të ankohemi as tani. Nëse lojtarët janë të motivuar për të punuar sa më fort çdo ditë, aq më shumë do ta shijojmë punën tonë. Kemi një grup të jashtëzakonshëm çunash.

Bytyçi po bën mirë si mbrojtës i majtë, mos do ta llogarisni edhe si lojtar të këtij roli në vazhdim?

Nuk kam një përgjigje definitive, sepse ne kemi edhe lojtarë si Taipi, Keko, Bintsuka, Kote apo Shanaj dhe rrethi nis të zgjerohet. Ka ardhur edhe Domgjoni. U kam thënë të gjithë djemve se kampionati është i gjatë dhe të gjithë do të kenë hapësirat dhe minutat e veta. Rëndësi ka që ndërrimet që bëhen i japin diçka lojës në ritëm apo edhe në cilësi.

Merrni kreun e renditjes, keni besim se mund ta mbani deri në fund të sezonit, kur nis faza “Final 4”?

Është shumë herët, jemi në javën e parë të tetorit. Do të flasim në fund të majit nëse do të jemi këtu.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

 

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"