EKSKLUZIVE/ Pesë barazime radhazi për Tiranën, kapiteni Mici: Fitojmë derbin se ua kemi borxh tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2024 | 8:33

EKSKLUZIVE/ Pesë barazime radhazi për Tiranën, kapiteni Mici: Fitojmë derbin se ua kemi borxh tifozëve

Gledi Mici është kapiteni i skuadrës së Tiranës dhe një nga të mbijetuarit e sezonit të shkuar së bashku me, Haxhiun, Përgjonin dhe Jonuzin. Tani është lideri i skuadrës, duke u aktivizuar titullar në të pesë takimet e para të kampionatit.

gledi mici

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mbrojtësi rrëfeu sezonin e bardhebluve që sapo ka nisur. Po kështu, ai tha se skuadra ka një ngërç psikologjik dhe mosmarrja e fitores ka bërë që ekipi të bllokohet. Nga ana tjetër, ai pranoi se tri pikët në derbi vlejnë gjashtë dhe ekipi do të bëjë të pamundurën që kryeqyteti të vishet bardheblu.

Mici, një kapiten i kësaj skuadre, por sfida me Elbasanin mori një rrjedhë që edhe mund ta kishit humbur…
Besoj se ishte një ndeshje e luftuar. Për mendimin tim ishim pak më lart se kundërshtari si në lojë dhe në raste. Në fund takimi mund të merrte nga të dy krahët. Mund ta kishim fituar dhe mund ta kishim humbur. Më vjen keq se po bëjmë lojëra të mira, por nuk po marrim pikët.

Fitorja e munguar është çështje e cilësisë, mospërqendrimit apo çështje fati?
Fitorja që nuk vjen më shumë është çështje fati. Hiq një pjesë të parë me Egnatian, që nuk ishim në nivelin maksimal, të gjitha takimet e tjera kemi qenë në lartësinë e duhur dhe shumë mirë.

Mund të themi se skuadra dhe fitorja janë të lidhura me një çështje psikologjike?
Kemi këtë ngërçin psikologjik të fitores. Me një takim të fituar çdo gjë do të kthehet në anën tonë. Kam besim dhe shpresoj që të vijë sa më shpejt, sidomos në javën tjetër që vlen gjashtë pikë.

Siç e thatë edhe ju, tani është derbi, një ndeshje që vjet nuk e fituat dot?
Patjetër që derbi është i rëndësishëm. Ua kemi borxh tifozëve nga vjet dhe duhet ta fitojmë. Shpresojmë që të jenë të numër si ndaj sfidës me Elbasanin. U kemi një derbi borxh.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"