EKSKLUZIVE/ Plane të qarta për merkaton e janarit, zbulohen 3 dëshirat e Ilir Dajës te Dinamo (E PLOTË)
Dinamo të fuqizohet akoma më shumë për gjysmën e dytë të kampionatit. Presidenti Adrian Bardhi dhe trajneri Ilir Daja kanë një plan të qartë për të merkaton e dimrit, për aq sa lejon ky sesion, ku dihet që është më e vështirë të gjesh lojtarë me kualitet të lirë.
Drejtuesit e klubit dinamovit duan të “blindojnë” ekipin me disa elementë që nevojiten për të përballuar çdo vështirësi që mund të dalë gjatë kampionatit nga kartonët apo dëmtimet.
Para se të bëjë afrimet që pretendon, Dinamo kryesuese ka një plan të qartë edhe për “xhevahiret” e saj dhe gjithçka lidhet direkt me objektivin madhor të rikthimit të “Nëndetëses” te trofetë.
YJET QËNDROJNË
“Panorama Sport” ka mësuar se presidenti i Dinamos, Adrian Bardhi, nuk dëshiron të shesë asnjë nga lojtarët më të mirë të skuadrës në merkaton e dimrit. Vetëm ndonjë megaofertë për lojtarë si Mandela, Zabërgja e ndonjë tjetër mund ta ndryshojë kursin e klubit blu. Dinamo kryeson renditjen me një lojë bindëse dhe ka shanse reale për të shkuar te titulli, ndaj dhe ka nevojë për të gjithë titullarët që ka aktualisht në grup, plus ndonjë përforcim nga merkatoja.
Kjo situatë në një farë mënyre ka diktuar edhe vendimin e drejtuesve dinamovitë. Ndonjë shitje, gjithmonë nëse është me leverdi për klubin kryeqytetas, me shumë gjasa do të bëhet në verë. Ofertat për disa nga lojtarët e sulmit të Dinamos, me në krye Mandelën dhe Zabërgjën, nuk mungojnë. Megjithatë, presidenti Bardhi është i vendosur për të arritur së pari qëllimet sportive, që nënkupton fitimin e trofeve nga skuadra që ai drejton, para atyre financiare.
3 DËSHIRAT E DAJËS
Janë të paktën 3 lojtarët që trajneri Ilir Daja kërkon t’ia bashkojë grupit aktual në merkaton e dimrit. Në konferencën e fundit për shtyp ai e bëri të qartë se nuk do të pritet fundi i janarit për merkaton, ndaj dhe klubi ka nisur punën në këtë drejtim. Trajneri i bluve ka besim të plotë tek ekipi aktual, por kërkon të sigurohet në disa pozicione, ku mungojnë alternativat dhe ky fakt mund të krijojë probleme gjatë rrugës. Në listën e afrimeve të mundshme të Dinamos janë një mbrojtës i djathtë, një mesfushor qendre dhe një qendërsulmues.
Në të djathtë të mbrojtjes luan Meksi titullar dhe trajneri do një alternativë për të, sepse Maliqin e llogarit si mesfushor. Sa i takon mesfushës, blutë kanë në organikë Gudiabin, Tolin, Qefalijën dhe Karambën e Doçin, pasi kapiteni Bruno Dita tashmë shihet vetëm si mbrojtës qendre. Nëse Gudiabi, Toli dhe Qefalija janë në fushë, në stol mbeten vetëm dy të rinjtë Karamba e Doçi, në ndonjë rast edhe vetëm njëri prej tyre, kështu që duhet edhe një mesfushor me eksperiencë në këtë sektor për të përballuar kampionatin e ngjeshur.
Dhe objektivi i 3-të i merkatos është një qendërsulmues që të jetë zëvendësuesi i Mandelës. Nigeriani është lojtari i vetëm që si pozicion natyral ka atë të sulmuesit të qendrës, pavarësisht se këtë rol e ka mbuluar edhe Zabërgja në ndonjë rast. Sulmuesit e tjerë, Bregu, Vila, Nani, Zhordi e Qardaku luajnë në krahë, ose si sulmues të dytë. Në fokus janë kryesisht lojtarë që mund ta njohin kampionatin shqiptar, ndërsa për emrat konkretë është ende shpejt.
FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"