EKSKLUZIVE/ Plas te Partizani, Veselinoviç rrezikon të shkarkohet. Ja prapaskenat e krisjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2025 | 8:13

EKSKLUZIVE/ Plas te Partizani, Veselinoviç rrezikon të shkarkohet. Ja prapaskenat e krisjes

Që më 4 dhjetor 2024, “Panorama Sport” në fjalët e trajnerit Aleksandar Veselinoviç lexonte një ftohje mes tij dhe drejtorit Abilaliaj, por menjëherë pas kësaj, përmes një “fletërrufeje” klubi përgënjeshtronte lajmin dhe shpallte të padëshiruar gazetarin.

Veselinoviç

Që atëherë, ky i fundit trajtohet si i persekutuar dhe nuk lejohet të marrë pjesë në konferenca dhe në ndeshje si gazetar, madje as si tifoz i thjeshtë. Të shtunën e vërteta u “bërtit” me të madhe nga vetë trajneri Veselinoviç, që tregoi se ka jo “ftohje”, por “akullnajë” mes tij dhe drejtorit Abilaliaj.

DEKLARATA – Siç e kemi lexuar, trajneri Veselinoviç është shprehur se më datë 5 janar ka dërguar një raport me shkrim në zyrën e presidentit Demi dhe drejtuesve të tjerë, ku argumenton se skuadra që i është vënë në dispozicion nuk është në nivelin për të fituar titullin dhe Kupën e Shqipërisë, objektivat e Partizanit. Mesa duket kjo nuk është marrë parasysh dhe ai shpërtheu në deklaratën pas ndeshjes, duke treguar se drejtuesit nuk po bashkëpunojnë me të mbi largimet dhe afrimet e janarit. Sipas tij, Guxhufi, afrimi i fundit, ka ardhur në ekip pa konsultën me trajnerin. Gjithashtu, ai u shpreh se Sodiq “ka humbur” dhe se afrimi i vetëm është Podstrelov, të cilin e aktivizoi titullar. Ai kishte rezerva edhe për ikjen e Mba.

PRAPASKENAT – Fakti është se java para ndeshjes me Skënderbeun ka qenë plot tension. Burime pranë skuadrës bëjnë me dije se ditën që trajneri u informua për largimin e Mba, është dukur shumë i tensionuar në mimikën e tij dhe ka qëndruar gjithë kohës i ulur, duke ia lënë dy ndihmësve të tij drejtimin e stërvitjes. Tensioni vijoi edhe para stërvitjes së fundit, ku nga klubi u komunikua jo zyrtarisht për një gjendje gripale, por situata e fundit zbulon se arsyeja mund të ketë qenë tjetër. Në stërvitjen e fundit edhe skuadra ka qenë jo e motivuar, ndikuar nga situata që është krijuar në klub. Fakti është që mes stafit teknik dhe atij drejtues ka një “krisje”, që ose do të ngjitet, ose do të thyhet përfundimisht.

MBLEDHJA – Në klub presidenti Gazment Demi ka lajmëruar një mbledhje, e cila pritet të vendosë përfundimisht edhe pikat mbi “i”. Në atë mbledhje, që pritet të mbahet sot, dy palët do të paraqesin pretendimet e tyre dhe pritet që presidenti të marrë një vendim, që do të zgjidhë edhe situatën konfliktuale të krijuar. Në këtë “lëmsh”, më i rrezikuari duket të jetë trajneri Veselinoviç, por nuk përjashtohet as një “tërmet” në rolet e tjera drejtuese të klubit. Vetë trajneri në deklaratën e tij u shpreh se po flet që gjërat të rregullohen dhe bashkëpunimi të vazhdojë. E sotmja dhe e nesërmja janë vendimtare.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"