EKSKLUZIVE/ “Prisja ftesë nga Kombëtarja”, Bitri: Rrapaj lideri i kuq, Partizani po “piqet”. Si Daja na motivonte me ‘Gladiatorin’ (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2024 | 20:26

EKSKLUZIVE/ “Prisja ftesë nga Kombëtarja”, Bitri: Rrapaj lideri i kuq, Partizani po “piqet”. Si Daja na motivonte me ‘Gladiatorin’ (E PLOTË)

Eneo Bitri është një nga prodhimet e mëdha të Partizanit në vitet e fundit dhe në Hungari, ku është transferuar së fundmi, po shkëlqen çdo ditë e më shumë.

Bitri-Eneo

Mbrojtësi luan me ETO Giori në ligën kryesore dhe ka zënë menjëherë vend titullari, madje ka shënuar edhe 3 gola, duke i dhënë skuadrës pikë të rëndësishme. Në një prononcim për “Panorama Sport”, beratasi rrëfen momentin e mirë, teksa flet edhe për Partizanin, ku nuk mungon as një prapaskenë e vjetër me Ilir Dajën.

Eneo, përveçse po bëni mirë në difensivë, jeni shndërruar edhe në goleador së fundmi. Si e përshkruani këtë moment tuajin?

Është e vërtetë që më ka ecur mirë me golat këtu tek ETO Gior, pasi kam bërë shumë mirë në javët e fundit. Shpresoj që të mos e ul ritmin, por të vazhdoj kështu, duke ndihmuar ekipin me një mbrojtje të mirë dhe me gola.

Nga 3 gola të shënuar, njërin e keni ekzekutuar me roveshatë, si Ramos dikur. Si erdhi ai finalizim?

(Qesh) Keni bërë një krahasim shumë të madh, sepse kur flasim për Ramos kalojmë në nivele të tjera, por e vërteta është se e kam provuar disa herë në stërvitje atë lloj goditjeje dhe disa nga shokët e ekipit janë habitur. Por ja që shënova dhe e bëra realitet në ndeshje atë që kisha provuar në stërvitje.

Ekipi është ngjitur në renditje në javët e fundit. Është shtuar besimi për të vazhduar edhe sezonin tjetër në elitë?

Patjetër që besojmë, madje mendoj se me organikën që kemi, mund të jemi mes 3-4 ekipeve më të mira në ligë. E kemi nisur sezonin keq, pasi na u desh pak kohë që të ambientoheshim me njëri-tjetrin, por me kalimin e kohës mendoj se do të bëhemi akoma më të fortë

Kombëtarja ka pasur shumë mungesa në mbrojtje në këtë grumbullim. E menduat ardhjen e një ftese drejt jush?

Të them të drejtën e prisja një ftesë pasi pashë në media që ekipi do të kishte mungesa në mbrojtje. Mendova përse jo, sepse po kaloj formë shumë të mirë dhe kam minuta të plota në këmbë. Por në fund vendimi i takon ekskluzivisht trajnerit dhe nuk më mbetet gjë tjetër veçse të respektoj çdo zgjedhje të tij.

Partizani fitoi derbin me Dinamon së fundmi. Ju duket se ekipi i kuq është në rritje pas ndryshimeve që pësoi në verë?

Partizani di të zëvendësojë çdo lojtar që largohet, pasi çdo futbollist që është pjesë e atij ekipi ka rëndësinë e vet. Në këto vitet e fundit nuk ka qenë hera e parë që Partizanit i janë larguar lojtarë në merkato, por ka ditur mirë si ta menaxhojë dhe mbeten pretendentë për titullin kampion. Ekipi më duket në rrugën e duhur drejt “Final 4” dhe mendoj se çdo ditë e më shumë po fiton besim dhe eksperiencë.

Por çfarë do t’i shtonit këtij Partizani?

Do t’i shtoja një mesfushor difensiv, sepse në dekadën e fundit te Partizani kanë kaluar lojtarët më të fortë në këtë rol. Pas ikjes së Maget, duket sikur janë në vështirësi sa i përket këtij roli.

Kush është lojtari më i rëndësishëm i ekipit dhe ai që prisni më shumë te Partizani?

Kualiteti i Rrapajt në Superiore dihet tashmë. Do të më vinte shumë mirë ta shikoja në një ligë akoma më të fortë, sepse i ka të gjithë treguesit për të luajtur në nivele të larta. Pres më shumë nga Preka, që të krijojë atë stabilitetin e tij në mbrojtje, pasi në sezonet e shkuara e kanë penguar shumë dëmtimet.

Keni qëndruar te Partizani disa vite, ku keni lënë edhe shenjë. Por cilat kanë qenë momentet më të veçanta jashtë fushës?

Javët para derbeve me Tiranën kanë qenë gjithnjë për tu veçuar. Ne nuk e përmendnim shumë gjatë javës, por mbaj mend një herë, kur trajneri Ilir Daja na ka motivuar para një derbi me filmin “Gladiatori”. Në fund të analizës ai na vuri disa fragmente të atij filmi dhe të them të drejtën funksionoi shumë mirë, pasi na motivoi shumë dhe e fituam atë derbi me gol të Çinarit, i cili kthehej të luante pas plot gjashtë muajsh pezullim nga FIFA.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"