EKSKLUZIVE/ “Problem ndryshimet e Brdariç dhe mungesat”, ish-fantazisti Kaçi: Vllaznia e mbyll me fitore, në janar kërkohet…
Albert Kaçi, një nga emrat e njohur të Vllaznisë së fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”.Ish-fantazisti, i cili është shpallur edhe kampion me kuqeblutë, analizon ecurinë e skuadrës deri më tani. Ai thekson se Vllaznia ka shfaqur luhatje, kjo ndikuar edhe nga mungesat. Ndër të tjera, Kaçi thotë se pavarësisht se ekipi qëndron lart në tabelën e klasifikimit, loja duhet përmirësuar dhe nuk duhet të ketë eufori. Ai shton që në fund të këtij edicioni skuadra të mos përsërisë gabimet e sezonit 2020-2021, ku ishte shumë pikë para në klasifikim dhe e humbi kampionatin në fund.
Kaçi, si ju është dukur ecuria e ekipit të Vllaznisë në këto dy faza të kampionatit?
Për shkak se tashmë jemi larg Shkodrës ndoshta nuk më takon t’i ndjek të gjitha ndeshjet. Por jam munduar të shikoj ato kryesoret, pasi dihet që Vllaznia është ajo çfarë më përfaqëson dhe një pjesë e rëndësishme e jetës sime.
Pse ka shfaqur kaq shumë luhatje ekipi gjatë kampionatit?
Në mendimin tim, kjo për shkak se formacioni është ndërruar thuajse çdo javë nga trajneri. Kjo edhe për shkak të mungesave, kuptohet. Por edhe kur i kishte lojtarët e të njëjtit pozicion për t’i zëvendësuar, Brdariç preferonte lojtarë të një roli tjetër. Dhe kjo patjetër ndikon te performanca dhe luhatjet e ekipit.
Vllaznia e mbyll me Partizanin vitin 2024. Si e mendoni dhe parashikoni këtë betejë mes pretendentësh?
Ndeshjet kundër Partizanit dhe Tiranës për ne janë cilësuar gjithmonë si “derbi”. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe e luftuar. Edhe Partizani ka pasur oshilacionet e tij gjatë këtij kampionati dhe nuk ka bindur gjithmonë. Dëshira ime është që të fitojë Vllaznia dhe kam besimin se e mbyll vitin 2024 me një rezultat pozitiv.
INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"