EKSKLUZIVE/ Qefalija: Kreu sjell moral, Egnatia rivali më i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2024 | 18:14

EKSKLUZIVE/ Qefalija: Kreu sjell moral, Egnatia rivali më i fortë

Nga ai start zhgënjyes me dy humbje, Dinamo ia doli ta mbyllë gjysmën e parë të kampionatit në vend të parë, duke bërë një ndryshim vërtet të madh me ardhjen e Ilir Dajës në stol. Nëse disa fitore të bluve nuk ishin bindëse, pasi loja nuk ishte në nivelin e kërkuar, gradualisht kryeqytetasit kanë përmirësuar edhe këtë aspekt dhe tashmë janë “certifikuar” si pretendentë seriozë për titullin kampion.

QEFALIJA

Trajneri Daja ka në dispozicion një grup goxha të mirë dhe me ndonjë element që mund të vijë në merkaton e dimrit, Dinamo do të luajë “kartat” e saj për t’u rikthyer te trofeu i rëndësishëm pa një kohe shumë të gjata. Premisat janë.

QEFALIJA – Klevi Qefalija, pasi atij fillimi të sezonit me disa shqetësime fizike, tani ka arritur formën e tij më të mirë dhe po luan si titullar. Ai gjeti edhe golin e parë sezonal në derbin me Tiranën. Mesfushori e ka fituar një titull kampion me Tiranën në elitë dhe shpreson për të dytin, por në një prononcim për “Panorama Sport” ai thekson se gjithçka duhet bërë hap pas hapi, me përqendrim maksimal te ndeshja e radhës. Qefalija veçon Egnatian si rivalin më të fortë në garën e titullit.

“Është një kënaqësi, kur shohim që jemi në vend të parë dhe që po e çojmë Dinamon në vendin që i takon në futbollin shqiptar. Është diçka e bukur, që sjell një moral më të lartë, por e dimë që nuk kemi bërë asgjë, sepse kemi edhe gjysmën tjetër të rrugës. Është fakt që kemi një skuadër të mirë, jemi një grup shumë i mirë lojtarësh, por duhet të vazhdojmë të punojmë me kokën ulur për të shkuar atje ku duam të gjithë. A kemi nevojë për përforcime? Nuk e di këtë pjesë, është klubi dhe stafi që vendosin. Për fat të mirë na kthehet Bregu që nga ndeshja e radhës dhe do të jemi më të plotë. Ne kemi për detyrë që të mos e ulim ritmin dhe përqendrimin, duke i marrë ndeshjet një e nga një. Kemi besim te forca jonë dhe shpresojmë për një ecuri akoma më të mirë në një kampionat, që realisht është shumë i fortë”, ka thënë fillimisht Qefalija për gazetën.

RIVALITETI – “Të gjitha skuadrat meritojnë respekt maksimal. Nëse do të veçoja një rival më të fortë. Mendoj se është Egnatia, sepse ajo ka lojtarë që luajnë prej vitesh me njëri-tjetrin, njihen mjaft mirë dhe kanë një lojë më të konsoliduar se të tjerët. Por edhe skuadrat e tjera, edhe ato që janë jashtë 4-shes për momentin, janë të gjitha të forta dhe nuk mund t’i përballosh, nëse nuk ke përqendrimin e duhur”, përfundon mesfushori 21- vjeçar i Dinamos. Qefalija ka luajtur në 13 ndeshje kampionati deri tani dhe ka realizuar një gol.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"