EKSKLUZIVE/ “Reforma” te Partizani, 4 lojtarë pranë largimit. Pritet takimi me drejtuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2024 | 22:05

EKSKLUZIVE/ “Reforma” te Partizani, 4 lojtarë pranë largimit. Pritet takimi me drejtuesit

Nëse në sezonin që u mbyll kishte një skuadër të plotësuar, ndoshta edhe të ngarkuar me futbollistë, ajo ishte Partizani.partizaniTë kuqtë kanë nisur largimet e para, ku të konfirmuara janë ato të Atanaskoskit, Zekollit dhe Mikuliçit, teksa në dyshim mbeten emra si Sota apo Rrapaj e Maget, që mund të shiten në këtë verë. Por lista e lojtarëve që mund të largohen është edhe më e zgjeruar.

MEHMETI – “Panorama Sport” mëson se edhe një nga blerjet më të shtrenjta të merkatos së verës së shkuar mund të largohet. Adnard Mehmeti erdhi nga Erzeni për 100 mijë euro, por ndryshimet e trajnerëve dhe dëmtimet e shumta nuk e lanë të “ngulë rrënjë” në formacion. Me Zekiçin ishte titullar stabël, thuajse e njëjta gjë edhe me Abilaliajn, por me Shehin minutat për Mehmetin ishin më të pakta. Mbipopullimi në mesfushë bën që 23-vjeçari të mos jetë zgjedhje e parë për trajnerin. Ky detaj vë në dyshim qëndrimin e të riut nga Vushtrria, situata e të cilit është tejet e pasigurt. Në ditët në vijim ai pritet të ketë një takim kokë më kokë me drejtuesit e lartë të klubit për të sqaruar të ardhmen. Për Mehmetin ka interes nga klube më të pasura jashtë vendit.

MENSAH – Duket se këtë verë, ajo që është folur thuajse në çdo sesion merkatoje, do të ndodhë. Alfred Mensah do të largohet nga Partizani, me palët, që pritet të gjejnë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e kontratës. Ganezi ka shënuar gola të rëndë gjatë vitit, por forma e tij ka shumë luhatje dhe nuk ofron garanci. E vërteta është se në skuadër ka shumë qendërsulmues dhe duhen liruar vendet për lojtarë anësorë. Mensah është mes të sakrifikuarve.

KEKO – Një tjetër lojtar drejt largimit mësohet të jetë edhe Albers Keko. Sulmuesi i blerë nga Korabi nuk ka plotësuar pritshmëritë te drejtuesit, që pritet të gjejnë mënyrën më të përshtatshme për të zgjidhur çështjen e tij. Një nga opsionet është edhe shitja, me Ballkanin, që në janar ofroi mbi 100 mijë euro për kartonin e të riut.

VILA – Emiljano Vila pritet t’i shtohet gjithashtu emrave që do të largohen këtë verë. 36-vjeçari është në hapat e fundit të karrierës dhe në sezonin e shkuar luajti vetëm 360 minuta. Sot vuloset gjithçka edhe mbi të.

DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"