EKSKLUZIVE/ Rekordi 15 gola i Flamurtarit, Shkurtaj: E bëmë si Siti dhe Bajerni (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2024 | 21:52

EKSKLUZIVE/ Rekordi 15 gola i Flamurtarit, Shkurtaj: E bëmë si Siti dhe Bajerni (E PLOTË)

Flamurtari hyri në histori, duke shënuar 15 gola në ndeshjen me Devollin, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Kuqezinjtë thyen rekordin e Partizanit 73 vjet më parë. Në 31 janarin e vitit 1951, Partizani mundi me shifrat 14-0 Punën e Beratit në ndeshjen e kampionatit, ku Refik Resmja shënoi 7 gola.

flamurtari

Vasil Shkurtaj shënoi 5 gola ndaj Devollit dhe në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi tha se është i lumtur për këtë rekord. Pas dëmtimit, Shkurtaj tashmë është 100% gati për t’u aktivizuar në çdo ndeshje.

Flamurtari shkruan historinë në futbollin shqiptar me fitoren në Kupë, ku thyet rekordin 73 vjeçar të Partizanit. Ishte Devolli dobët, apo ky është Flamurtari më i fortë në këto vitet e fundit?

Në këtë ndeshje luajtën lojtarë që nuk kishin shumë minuta deri tani. Të gjithë hynë në fushë për të treguar se e meritojnë të jenë pjesë e këtij ekipi. Ne e respektuam Devollin 100% dhe krijuam shumë raste. Si një futbollist profesionist duhet të shfrytëzosh çdo mundësi. Nuk mund të jem vetëm përballë portës dhe të mos shënoj. Ky do të ishte amatorizëm. Besoj se është mënyra më e mirë për të respektuar kundërshtarin dhe konkurrencën. Shiko ekipe si Mançester Siti ose Bajern, që kanë shënuar mbi 9 gola në një ndeshje.

Më 31 janar të vitit 1951, Partizani mundi 14-0 Punën e Beratit në kampionatit, ku Refik Resmja u bë protagonist duke shënuar 7 gola. Kundër Devollit ishit ju që shkuat afër bëmave të Resmjes, duke shënuar 5 gola. Si ndiheni për këtë rekord ekipor dhe personal?

Jam i lumtur që ky rekord i përket ekipit tonë. Personalisht jam thjesht i lumtur që jam rikthyer pas dëmtimit dhe mund të kontribuoj për Flamurtarin.

Çfarë do të thonë këto 5 gola dhe a e kishit menduar këtë goleadë?

Jam thjesht i lumtur që jam rikthyer dhe mund të jap kontributin tim. Golat më japin vetëbesim, pavarësisht se në çfarë ndeshje.

Jeni rikuperuar plotësisht nga dëmtimi?

Po, e kam kaluar dëmtimin dhe jam 100% në dispozicion të trajnerit.

Pra, jeni plotësisht i gatshëm të luani me Pogradecin…

Jam plotësisht i gatshëm dhe i përgatitur për këtë sfidë.

Me Pogradecin, për fitoren e 7 radhazi, apo…?

Patjetër, shpresoj që të arrijmë edhe një tjetër fitore për të vazhduar serinë e tyre. Ekipi është në një moment të mirë dhe kemi shumë besim në veten tonë. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe ne do të japim maksimumin për të marrë rezultatin e dëshiruar.

Çfarë ka ndryshe ky Flamurtar nga ai i sezonit të shkuar?

Këtë vit ekipi është më i kompletuar. Kemi “thellësi” në stol, në çdo pozicion kemi 2-3 lojtarë. Është mirë të ketë konkurrencë brenda ekipit. Sigurisht, nuk mund të jenë të gjithë të kënaqur, por rëndësi ka që ekipi të fitojë dhe ta çojmë Flamurtarin aty ku i takon. Ky është qëllimi ynë.

Flitet se ju keni kërkuar 100 mijë euro për të rinovuar. Sa e vërtetë është dhe realisht çfarë ju bindi?

Në atë kohë ishim në negociata për kontratën e re, por nuk është e vërtetë që kërkova 100 mijë euro. Qëllimi im, që nga fillimi, ka qenë të vazhdoj te Flamurtari.

U bë një kohë relativisht e gjatë që po jetoni në Vlorë. Po çmalleni me qytetin tuaj?

Kam jetuar këtu për një kohë të gjatë, ndiej një lidhje të fortë me qytetin dhe jam krenar që e përfaqësoj atë në çdo mundësi.

Me kë shoqëroheni më shumë te Flamurtari jashtë fushës?

Kam marrëdhënie të shkëlqyer me të gjithë djemtë dhe jam i lumtur që jam shok skuadre me ta. Shoqërohem më shumë me Albi Allën, pasi na lidh një kumbari.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"