EKSKLUZIVE/ Rikthehet Arvid Hoxha: Vllazni, je për titull! Ja çfarë duhet të bëjë ekipi për të pasur më shumë tifozë në stadium (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2024 | 20:46

EKSKLUZIVE/ Rikthehet Arvid Hoxha: Vllazni, je për titull! Ja çfarë duhet të bëjë ekipi për të pasur më shumë tifozë në stadium (E PLOTË)

I rikthyer në Shkodër pas tri dekadash emigrim në SHBA, Arvid Hoxha u nderua nga klubi Vllaznia para ndeshjes kundër Laçit.

Ish-portieri i Vllaznisë, Arvid Hoxha, duke përshëndetur tifozët shkodranë para ndeshjes kundër Laçit

Ish-portieri i Vllaznisë, Arvid Hoxha, duke përshëndetur tifozët shkodranë para ndeshjes kundër Laçit

Në një ceremoni simbolike, ish-portierit iu dhurua një fanellë me numrin 1 për kontributin e tij te kuqeblutë në vitet ’80. Hoxha foli për “Panorama Sport”, duke theksuar se u emocionua për këtë nderim që i bëri klubi i zemrës. Ndër të tjera ai ndalet edhe tek ndeshja Vllaznia-Laçi, e ndërsa shkëput edhe një mendim për duelin e radhës me Partizanin.

Arvid, sa emocione ndjeve që u riktheve pas kaq shumë vitesh në stadiumin “Loro Boriçi”?

Realisht në fillim thoja që s’do kisha emocione, por kur shkela sërish në atë fushë dhe stadium, ku kam pasur fatin dhe kënaqësinë të luaj, më hynë të dridhurat. Gjej rastin të falënderoj klubin Vllaznia dhe presidentin Xhaferri, të cilët më nderuan mua. Ishte me të vërtetë diçka e veçantë dhe që të them të vërtetën u surprizova kur ma propozuan.

Prej më shumë se tri dekadash në SHBA. Sa keni pasur mundësi ta ndiqni kampionatin shqiptar?

Pavarësisht ndryshimit të orarit dhe angazhimeve që mund të kem, mundohem ta ndjek në maksimum kampionatin. Me sa kam parë janë një grup skuadrash, 3-4 të tilla, që bëjnë diferencën paksa ndaj të tjerave. Kampionati më duket shumë i fortë dhe i barabartë. Ndoshta s’ka cilësinë e viteve të shkuara, por që ka garë dhe rivalitet.

Cilën mund të veçosh nga skuadrat?

Vllazninë patjetër, sepse po qëndron prej vitesh në garë për vendet e para dhe titullin kampion. Por, po ashtu do përmendja edhe Partizanin e Egnatian, që më duken ekipe të mira. Ndërsa mund të them se më ka befasuar për mirë Dinamo. Një zhgënjim i madh më duket Tirana.

Ndalemi pak tek ndeshja Vllaznia-Laçi, që ju e ndoqët nga afërt. E merituar fitorja e shkodranëve?

Po, ishte totalisht e merituar. Skuadrat në mendimin tim dhanë një futboll të kënaqshëm, ku u shënuan edhe 3 gola. Besoj se Vllaznia e meritoi në fund, pasi pjesën më të madhe të lojës ishte dominante. Duke krijuar raste për gol dhe duke konkretizuar me dy “perla” mund të them.

Çfarë duhet të përmirësojë kjo Vllazni?

Duhet të krijojë qëndrueshmëri. Ekipi duhet të gjejë vazhdimësinë dhe të tentojë dy vendet e para. Megjithatë, kritika të shumta s’mund të ketë, pasi ekipi është brenda objektivave dhe aspak larg vendit të pare, që të jep një avantazh në ndeshjet e “Final 4”

Një këshillë për futbollistët kuqeblu keni?

Gjithmonë të japin maksimumin dhe të mendojnë për tifozët. Pra, për tifozët e thjeshtë shkodranë, të cilët nuk mjaftojnë fjalët për t’i falënderuar. Kur i ke ata në krah gjithçka është edhe më e lehtë për futbollistët. Duhet t’i afrojnë me “zor” në stadium, me lojërat e tyre dhe patjetër duke dhënë maksimumin për fanellën e Vllaznisë.

Si të duket portieri Qarri në syrin e një eksperti të portës siç ju jeni?

Realisht portieri nuk pati ndonjë punë të madhe për të bërë kundër Laçit. Ishte i saktë në 2-3 momente në pjesën e parë, por ndoshta duhet ta zgjidhte më mirë në momentin e golit të Laçit. Një dalje më e shpejtë dhe marrja e një vendimi më të shpejtë po ashtu mund të shmangte golin. Megjithatë, këto janë momente që ndodhin dhe në syrin tim, Qarri ka zhvilluar një sezon pozitiv deri në këto momente.

Është kjo Vllazni për titull?

Po, dhe e them me bindje. Ekipi ka cilësi dhe po ashtu i ka mposhtur rivalët direktë. Duhet ndoshta të bëjë kujdes me ekipet e ashtuquajtura të “vogla”. Por, me rikthimin edhe të shumë titullarëve nga dëmtimi, besoj se skuadra do jetë edhe më e fortë në vitin 2025 dhe do të dijë ta përballojë kampionatin deri në fund.

Viti 2024 mbyllet në Tiranë përballë Partizanit. Si e parashikon Hoxhaj?

Ndeshjet me Partizanin kanë qenë gjithmonë të bukura dhe kanë prodhuar duele të forta. Pres një ndeshje me gola nga ana e të dy skuadrave. Besoj dhe mendoj se Vllaznia del me një rezultat pozitiv nga kjo transfertë dhe e mbyll vitin 2024 siç duhet.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"