EKSKLUZIVE/ “Rinovim i detyruar me Silvinjon”, Jupi: Është krijuar perceptimi se trajneri ka ndikime në listë, ose nuk qenka edhe aq i aftë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2024 | 23:35

EKSKLUZIVE/ “Rinovim i detyruar me Silvinjon”, Jupi: Është krijuar perceptimi se trajneri ka ndikime në listë, ose nuk qenka edhe aq i aftë (E PLOTË)

Gjithmonë është kënaqësi të marrësh në intervistë një zë si Redi Jupi. E njeh shumë mirë futbollin dhe për çdo pyetje, gjen përgjigjen e duhur.

jupi

Për “Panorama Sport”, ish-lojtari i ekipit kombëtar flet për kontratën e Silvinjos, menaxhimi që u bëri ndeshjeve të Europianit, diskutimet që u hapën për listën e trajnerit, por gjithashtu edhe për edicionin e ri që do të nisë Kombëtarja shqiptare në Ligën e Kombeve.

Redi, Silvinjo rinovoi kontratën dhe do të vazhdojë në stolin e Kombëtares shqiptare, a ishte një vendim i drejtë?

Rinovimi ishte i detyruar si për institucionin si për Silvinjon. FSHF-ja, e detyruar për rezultatet mëse të mira që Silvinjo arriti në kualifikueset për Europian, por edhe Silvinjo si rezultat i një oferte ekonomike, por edhe projekt teknik më të mirë sesa ofertat që ai ka në këtë fazë të karrierës së tij. Mund të thuhet se rinovimi i tij ishte logjik dhe i merituar.

Në një gjykim të ftohtë, si u menaxhuan 3 ndeshjet e Kampionatit Europian nga trajneri?

Ndeshjet e Kampionatit Europian mund të ishin menaxhuar më mirë. Me Italinë ishim jashtë loje pothuajse gjatë gjithë 90 minutave. Ekipi nuk e përballoi dot një kundërshtar që rezultoi në një gjendje jo të mirë, gjë që u vërtetua edhe nga rezultatet e Italisë në ndeshjet e tjera. Në ndeshjen me Kroacinë vërtet morëm një barazim, por më shumë ishte si rezultat i situatave emotive të krijuara gjatë ndeshjes. Nëse do të kishim bërë ndryshe disa gjëra mund të shfrytëzonim më mirë pjesën e parë shumë të keqe të kroatëve, por edhe në pjesën e dytë bëmë ndërrime pa lidhje dhe të gabuara.

Në ndeshjen me Spanjën mbase nuk kishte gabime të theksuara dhe të dukshme, por ekipi i dytë i Spanjës nuk na la të futeshim në lojë në asnjë moment. A ishte kjo për meritën e tyre apo për demeritat tona, pak e vështirë për t’u përcaktuar. Pra, në përgjithësi nuk është se i goditëm 3 ndeshjet në Europian.

Liga e Kombeve, lista hapi shumë diskutime. Broja u përfshi i dëmtuar, Uzuni jashtë, Muçi, Bare, po ashtu jashtë. Duket sikur këta tre të fundit nuk janë në planet e Silvinjos, apo jo?

Listat e Silvinjos kanë hapur shumë diskutime, si lista e Europianit, ashtu edhe lista tani për “Nations League”. Është krijuar një perceptim i përgjithshëm se trajneri ka ndikime në listën që bën në rastin më të mirë, ose nuk qenka edhe aq i aftë në rastin më të keq. Mendimi im është që lënia jashtë e disa lojtarëve në radhë të parë nuk është e drejtë në aspektin teknik dhe në radhë të dytë nuk ka koherencë.

Zeka dhe Spahiu janë thirrur për herë të parë. Mesa duket Silvinjo po kërkon një anësor nga krahu i djathtë që të hyjë në qendër me këmbën e majtë dhe të zëvendësojë Asanin…

Në ekipin kombëtar thërriten lojtarët më të mirë shqiptarë në qarkullim dhe nuk thërriten për të zëvendësuar njërin apo tjetrin. Secili nga lojtarët është unik në cilësitë e tij.

Ekipi i De Biazit pas Europianit pati një rënie, sa e rrezikshme është kjo periudhë?

Këto ndeshjet e Ligës së Kombeve janë pak si ato miqësoret e gushtit dhe është mëse normale që mund të ketë surpriza në rezultate dhe në performancë. Por, është edhe fakti që kundërshtarët tanë në këto 2 ndeshje janë dinjitozë dhe më të kuotuar se ne në raport me paraqitjet në Europian dhe mbase ky mund të jetë një motiv për lojtarët që të bëjnë mirë.

Si i parashikon Redi Jupi dy ndeshjet e para, me Ukrainën dhe Gjeorgjinë?

Do të jenë ndeshje të vështira të dyja. Jemi në nivel të përafërt teknik dhe shpresoj që të bëhen përballje të bukura ku lojtarët të shprehen në maksimum.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"