EKSKLUZIVE/ “Rivali direkt është Partizani”, fantazisti Vucaj: Vllazni, ky është viti i duhur për titullin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2024 | 22:20

EKSKLUZIVE/ “Rivali direkt është Partizani”, fantazisti Vucaj: Vllazni, ky është viti i duhur për titullin (E PLOTË)

Erjon Vucaj, një nga mesfushorët më të spikatur të kampionatit shqiptar në 10 vitet e fundit ka folur ekskluzivisht për “Panorama Sport”.VUCAJShkodrani që luan te Luftëtari i Gjirokastrës është ndalur te Superiorja e këtij sezoni dhe niveli që po shfaqin skuadrat. Gjithashtu ai flet edhe për rolin e fantazistit në ligën tonë. Në fjalët e tij Vucaj nuk harron as duelin e fundjavës, Laçi-Vllaznia, dy skuadra me të cilat ka kontribuar suksesshëm në karrierën e tij.

Vucaj, nga sa keni pasur mundësi të shihni deri më tani, si ju është dukur Superliga?
Shoh si zakonisht në këto sezonet e fundit një kampionat të balancuar. Një grumbull skuadrash që do të luftojnë për zonat e larta të renditjes. Por ajo që na intereson ne si shkodranë është ecuria e Vllaznisë. Për mendimin tim, është skuadra më në formë e kampionatit. Dhe përveç futbollit fitues, ka zhvilluar edhe futboll të bukur deri tani dhe shpresoj të vijojë kështu.

Mund të ketë ndonjë surprizë ky sezon apo ekipet pretendente do të jenë po ato?
Nuk besoj se do të ketë surpriza, shoh si pretendentë kryesorë dy ekipe, Vllaznia dhe Partizani. Por nuk dua të përjashtoj edhe dyshen Egnatia dhe Dinamo, që për mua kanë skuadra të mira po ashtu.

Nuk po shohim më në Superiore fantazistë siç ishit ju apo kolegët tuaj në të shkuarën. Përse ndodh kjo?
Unë them se fantazistë dhe lojtarë që dinë të luajnë futboll ka çdo sezon. S’mund të them që mbaruan me brezin tim (qesh). Por futbollistët cilësorë qëndrojnë vetëm gjysmë sezoni në kampionatin tonë, pasi transferohen direkt në kampionate të huaja. Në vitet e shkuara kanë qëndruar shumë kohë në Shqipëri, prandaj edhe mbahen mend.

Ndalemi pak te Vllaznia, një vend i dytë i merituar aktualisht për kuqeblutë?
Vendi i dytë më se i merituar për Vllazninë, pasi ato pikë i kanë marrë në fushë. Janë pikë me “gjak e djersë”, siç i thuhet në futboll. Besoj se me pak fat Vllaznia do të ishte kryesuese e kampionatit. Por kam besimin se shumë shpejt do të kapë kreun e tabelës.

Laçi-Vllaznia në fundjavë, ekipi juaj i zemrës dhe ai ku u bëtë i njohur në futbollin shqiptar. Si e pret Vucaj një duel të tillë?
Këtë ndeshje për mua është e vështirë ta komentoj. Jo formën e ekipeve, pasi dihet dhe dallohet që Vllaznia është më lart dhe uroj të vijojë kështu! Por më vjen keq për Laçin, në gjendjen ku ka arritur. Uroj që ata po ashtu të largohen sa më shpejt nga zona e kuqe e renditjes. Megjithatë i uroj fitore Vllaznisë, sepse ky besoj se është sezoni i duhur.

Sezoni i duhur për titullin kampion?
Jo vetëm për dëshirën time, por edhe nga ajo çfarë kam parë këtë sezon, Vllaznia është ekipi që ka treguar futbollin më cilësor. Edhe në dy ndeshjet e fundit ndoshta vetëm fati i pengoi të merrnin pikët e plota. Prandaj them dhe besoj se ky është viti i duhur që titulli kampion të rikthehet në Shkodër pas shumë sezonesh.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"