EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i ish-trajnerit kampion, Gega: Partizani i brishtë, ja çfarë u duhet “demave”
Partizani dhe Dinamo sfidohet për herë të parë që nga viti i largët 2008 si dy ekipe që luftojnë për titullin. Për shumë sezone të kuqtë militonin në ligat e ulëta e më pas erdhi radha e bluve, por tashmë të dy janë kthyer në majën e futbollit tonë.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, derbin e së shtunës e ka analizuar trajneri i njohur, kampion me “Demat”, Skënder Gega. Ish-mbrojtësi pret një derbi të bukur, teksa analizon edhe elemente që mungojnë te të dyja ekipet, duke u ndalur më shumë te nënkampionët.
Profesor, si i gjen Partizanin dhe Dinamon ky derbi?
Të dyja janë ekipe që e meritojnë të jenë në vendet e para, jo vetëm për nga cilësia, por edhe nga historia që përfaqësojnë. Të paktën deri më tani, i shoh si dy ekipe pretendente për atë që kanë treguar.
Që nga 2008-a këto dy klube nuk luftonin së bashku për titullin. Sa ju kënaq rikthimi i kësaj konkurrence?
Absolutisht është gjë e bukur dhe shumë e rëndësishme për futbollin shqiptar dhe njerëzit që kanë kontribuar për të dy klubet, aq më tepër Dinamon, që kishte vite në hije. Kjo i ndodhi edhe Partizanit para shumë kohësh. Kthimi i Dinamos në këto nivele është shumë e rëndësishme, sepse kjo është pasuria e futbollit tonë. Këta janë klube që mbajnë futbollin në nivele të larta.
Siç e thatë, Partizani është mbi klubet e tjera në shumë aspekte, por përse nuk e ndërton dot një cikël fitues?
Në kushtet tona Partizani është më mirë se të tjerat, por klubet tona nuk mund të heqin dorë nga disa gjëra, siç është mospranimi i të qenit i dyti. Nuk pranohet lehtë humbja dhe ndoshta jo në mënyrë profesionale marrin vendime radikale, që kryesisht bien mbi trajnerët. Por ky është futbolli, trajnerët i pranojnë vendimet dhe marrin përgjegjësi sfida që nuk e dinë ku do t’i nxjerrin.
Është shumë e rëndësishme që mes klubit dhe trajnerit të ketë gradë besimi. Java e dhjetë nuk të humbet titullin, por as të nxjerr kampion. Varet shumë sesa presion vihet mbi trajnerin dhe sa besim kanë klubet tek ata. Nga ana tjetër, ka trajnerë që i kthehen problemeve dhe kjo s’është e mirë. Duhet të ngrenë zërin dhe të pozicionohen qartë në qëndrimin e tyre.
LAJMIN E PLOTË E LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”
DENI LALA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"