EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Kombëtare e përçarë, nuk ka më frymë grupi. Igli Tare duhet të jetë president i FSHF-së (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2024 | 23:59

EKSKLUZIVE/ Rudi Vata: Kombëtare e përçarë, nuk ka më frymë grupi. Igli Tare duhet të jetë president i FSHF-së (E PLOTË)

Kishte kaluar pak kohë nga hera e fundit kur Rudi Vata fliste në gazetë. Kombëtarja shqiptare përfundoi rrugëtimin në Ligën e Kombeve duke u renditur në vendin e fundit, një dështim krahasuar me pritshmëritë që ishin ngritur. VATA

Megjithatë, se çfarë nuk shkoi, në intervistën për “Panorama Sport”, ish-kapiteni kuqezi ndan opinionet e tij në lidhje me ndeshjet e fundit të Shqipërisë. Ndër të tjera, Vata shprehet se fryma e grupit ka një problem, si dhe bën edhe një krahasim edhe me kohën e tij. Dëshira e tij është që të shohë Igli Taren në krye të FSHF-së.

Rudi, besoj se i keni ndjekur dy ndeshjet e fundit të Kombëtares, si i komentoni?

Ndeshjen me Çekinë, unë e kam parë me vëmendje shumë dhe prandaj po e nis që aty. Nuk kam parë në jetën time, ndeshje më të shëmtuar. Edhe çekët një skuadër shumë e shëmtuar që tentuan ta mbanin Shqipërinë nën presion dhe morën atë rezultat që morën. Goditën dy herë tranversën dhe ishin dominant. Kjo më bën të kuptoj se skuadra si Çekia apo Ukraina, këto vazhdojnë dhe ruajnë ritmin e tyre. Janë aty gjithmonë, shumë pak përmirësohen, nuk fitojnë, por janë në Europian, Botëror. Unë kuptoj nga Ukraina që luajti pardje, gjithë lojtarët që kanë, janë produkt i shkollës ukrainase. Mudrik ka dalë prej Shahtjorit, u shit për 70-80 mln paund te Çelsi. Ndërkohë te Shqipëria, ajo që unë shoh, ne bazohemi te lojtarët që i kemi marrë nga trojet shqiptare, sërish nuk bëhemi një skuadër speciale. Me privilegjin që ka pasur Kombëtarja shqiptare, duke mbledhur këta djem, kemi arritur në këtë pikë ku jemi tani.

Në çfarë pike është aktualisht Kombëtarja shqiptare?

Unë di të them se sot këta futbollistë janë rritur me kushte shumë të mira. Kanë ndërtuar një mentalitet inferiori më. Nuk është Shqipëria që u rrit pa deodorant, shampo, pa kushte, me baltë. Shoh disa video që dalin njerëz nëpër intervista dhe thonë që kur kemi luajtur ne, jemi mundur dhe kemi dalë të fundit në grup. Dakord jam. Nuk e mohoj. E di ndjenjën e emocionit kur kam luajtur kundër Gjermanisë, e di që kam qënë gjithmonë inferior dhe nuk kam pasur askënd që të më motivojë.

Kur i kam shënuar Gjermanisë në Hanover, golin e tretë të barazimit, nuk e besoja dhe thoja a jam në ëndërr apo është e vërtetë. Si ka mundësi që Shqipëria i shënon Gjermanisë tre gola? Kjo ndjenjë nuk ekziston më sot te futbollistët e Kombëtares sepse janë rritur dhe edukuar në shkolla europiane të futbollit. Pyetja që bëj unë tani është. Mirë ne që kemi qënë në kohën e baltës dhe pa uniforma, kur trajnerët tanë janë paguar nga 600-700 maksimumi 1 mijë dollarë në muaj, Hafizi, Zhega, Bajko dhe sot kemi trajnerë që paguhen 1 milionë euro në vit, kemi futbollistë që paguhen miliona euro dhe prapë dalim të fundit.

Përse ndodh diçka e tillë?

Në anglisht është një shprehje që thotë: “Ti je i mirë aq sa ndeshja e fundit”. A mundem unë ta vendos gishtin ku është plaga? Plagë ka gjithëandej sepse edhe energjia që ekziston në vend, është negative. Ti e shikon që një ditë përpara ndeshjes vritet një djalë i ri, i vogël, futbollist, energji negative! Emocion që të rrënqeth dhe në 12.30 vritet një djalë tjetër duke hyrë në makinë. Lajm i keq! Gjithë kjo energji negative që mblidhet dhe shkarkohet te ndeshja.

Dëgjoj që thonë se duhet larguar trajneri. Për mendimin tim, unë e shoh energjinë sesi vjen. Këta futbollistë që janë në nivel të lartë, kanë nevojë për menaxhim profesional. Nuk kanë nevojë për energji amatorësh. Në futbollin shqiptar ka djem që flasin në intervista si: Erjon Bogdani, Edmond Kapllani, Igli Tare, Bledar Kola, Arjan Peço. Janë këta djem të rinj që kanë energji dhe mund të kontribojnë në futbollin shqiptar. Janë burra që kanë një eksperiencë dhe kanë fituar një lloj statusi me punën që kanë bërë. Nuk i shikoj që i shërbejnë futbollit shqiptar, por shikoj shumë njerëz që janë në nivele më të dobët sesa këta dhe kanë poste në FSHF. Këta figura që përmenda, nëse vihen përballë trajnerëve që janë përgjegjës për rezultatet e ekipeve kombëtare, këta nuk mund t’i gënjesh dhe t’i driblosh.

Po të kesh një Igli Tare në Federatë që të prezanton, sigurisht që është një energji tjetër. Pashë ditët e fundit se kreu i federatës maqedonase kishte dhënë dorëheqjen pasi e kualifikoi ekipin në Europian dhe së fundmi e la në vendin e parë në grup. Më erdhi mirë si shqiptar. Kurse te ne ekziston sistemi diktatorial. Edhe ky presidenti jonë nuk shkulet, sado i zoti të jetë. Ka bërë para dhe është multimilioner dhe bravo i qoftë, por në futboll duhet punë dhe të kuptosh idenë e teknikës dhe taktikës, inteligjencë profesionale. Unë e shikoj, kam respekt për punën që ka bërë, sepse ka bërë edhe punë të mira, por kur ke ndërmend t’i thuash vetes mjaft. Edhe Ajnshtajni thoshte që kam limitet e mia.

A ishte një goditje e rëndë rrëzimi në Ligën C pas Europianit apo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe?

Pas Europianit të parë patëm prapë një zbritje. Pritshmëritë ishin për tu rritur. Edhe pas këtij Europiani, bëhen llogaritë si mund të shkojmë në Botëror. Kjo është një goditje e jashtëzakonshme në të gjitha drejtimet që edhe tregu nuk e pranon më. Dakord që ishim në një grup të vështirë, por duhet të tregonim vlerat e momentit, gjë të cilën nuk e bëmë. Për mua, skuadra që luajti më mirë futboll ishte Ukraina, as Gjeorgjia as Çekia. Ne u treguam prapë inferiorë, kjo më vjen keq.

Ne e filluam me inferioritet dhe është gabim i madh. Nuk po luanim me ato të Ligës A, apo nuk po luanim në Uembli, apo Madrid. T’i po luan me skuadra që janë të bllokut komunist, kanë pasur një të kaluar si ne dhe mentalitet është pak a shumë si ne.

Nuk e kuptova pse duhet të ishim aq të frikësuar sa për 30 minuta, Çekia të na mbante nën presion në shtëpinë tonë. Mendoj se e njëjta gjë po ndodh si pas Europianit të fundit, por tani është një goditje më e madhe sepse në aspektin psikologjik t’i ke pasur dy ndeshje në shtëpi dhe je 70% i favorizuar edhe me tifozët. Është një sirenë alarmi shumë e madhe, sepse ishim në një grup ku minimalisht duhet të luanim për vendin e dytë.

Si person nga jashtë dhe një ish-kapiteni, çfarë mendon se nuk shkon në skuadër?

Po t’i analizojmë gjërat, diçka nuk shkon me grupin. Përderisa në Europian, Ismajli nuk luajti, u krijua një lloj pakënaqësie automatikisht. Pak muaj mbrapa, Ismajli është kapiteni i Kombëtares dhe lojtari më i mirë i ekipit. Tani pyetja është: Kush e kishte gabim, trajneri apo Ismajli? Broja kur vjen në Shqipëri, si ka mundësi që nuk merr minuta. Informacionet që më vijnë, më thonë se aty ka problem grupi sepse në momentin që Broja ka kulturë tjetër, i rritur në Angli, kur vjen këtu dhe i shikon gjërat shqip…

Lojtari më i mirë që ka Kombëtarja është Broja dhe me siguri koncepti i tij i të menduarit, i bisedave dhe shkrirjes me grupin, nuk është i njëjtë. Ka një hendek dhe shumë kritikojnë Brojën. Për mendimin tim, është mënyra sesi ne qasemi dhe nuk arrijmë ta menaxhojmë situatën. Po të kesh 25 lojtarë, janë 25 karaktere dhe duhet t’i menaxhosh. Energjia e pakënaqësisë është e pashmangshme. Këto janë gjëra që ndikojnë në frymën e grupit dhe një ambient të brishtë siç është Shqipëria. Historikisht ne kemi pasur përçarje.

KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"