EKSKLUZIVE/ Ruzgis, një lituanez bën “bomberin” në futbollin shqiptar: Ndihmoj Vorën dhe hyjmë në histori
Vora është ngjitur në krye pas fitores me Lushnjën. Një fitore e vështirë, megjithatë u arrit ajo që kishin projektuar. Vendimtar në këtë ndeshje ishte lituanezi 27-vjeçar, i rritur në Gjermani, Manfredas Ruzgis. Ai zgjidhi situatën e krijuar në minutën e 63-të në portën lushnjare, duke kërcyer mbi të tjerët e goditur topin me kokë.Ky ishte dhe goli i katërt personal për të në këtë sezon. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” shtatlarti Ruzgis tregon si përfundoi nga futbolli gjerman në Shqipëri te Vora dhe si po e përjeton aventurën në Kategorinë e Parë.
Mani, (kështu thirret shkurt lituanezi i Vorës) keni shënuar 4 gola nga 10 që ka gjithsej skuadra. Si e vlerësoni këtë arritje personale deri në këto momente?
Jam i lumtur, por në fund të fundit kemi kryer vetëm detyrën. Unë jam qendërsulmuesi i Vorës e ndoshta mund ta kishim bërë edhe më mirë atë, po të kishim shënuar më shumë. Detyra e qendërsulmuesit është të shënojë gjithmonë për ekipin e tij. Te Vora ndihem i kënaqur, pasi të gjithë më respektojnë dhe po trajtohem si vendas.
Pse zgjodhët Vorën dhe jo një ekip të Kategorisë Superiore?
Zgjodha Vorën sepse isha adresuar që kur luaja në Gjermani. Projekti i klubit është ambicioz dhe njerëzit që më adresuan këtu janë mjaft korrekt. Korrektësia gjithmonë më pëlqen edhe unë jam besnik i tyre.
E kishit menduar se do të shkëlqenit me këtë ekip?
Nuk kisha asnjë njohuri për ekipin. Faza përgatitore dy mujore bëri që unë të njihja lojtarët, të cilët kanë mjaft cilësi dhe përvojë. Këtu, nëse luan me pasion dhe me përgjegjësi, gjithmonë bën më të mirën për skuadrën. Loja kolektive e grupit e ka lehtësuar edhe më shumë rolin tim për të qenë sa më pranë portës e për të nuhatur golin.
Si janë marrëdhëniet tuaja me skuadrën dhe trajnerin?
Ashtu siç e theksova, faza përgatitore na bëri që të njiheshim më shumë me njëri-tjetrin. Ja kaloj shumë mirë me të gjithë. Trajneri dhe shokët gjithmonë më përgëzojnë për atë që jap në fushë.
A ju ndjek ndokush nga Lituania dhe a mund të merrni ndonjë ftesë nga ekipi juaj kombëtar?
Nuk e kam menduar një gjë të tillë dhe nuk e di nëse më ndjek ndokush nga vendi im. Gjithsesi, ekipet kombëtare kanë menaxherët e tyre që shikojnë performancat e lojtarëve që kanë jashtë vendit. Ndoshta mund të kujtohen edhe për mua. Aktualisht dëshira ime është që të kontribuoj sa më shumë këtu ku jam dhe sa më mirë, për të realizuar atë objektiv madhor që ka Vora këtë sezon.
Vora është një ekip pa shumë histori në futbollin shqiptar, si ndiheni kur dikush ju thotë: “Hë se te Vora luan”?
Kjo më nxit që unë të jap kontribut edhe më të madh, në mënyrë që edhe kjo skuadër periferike e kryeqytetit shqiptar, të ngrihet e të ecë drejt historisë. Pra, po kontribuojmë që klubi të ngjisë shkallën e nivelit më të lartë në futbollin shqiptar.
Këtë javë keni një përballje shumë të vështirë me skuadrën që ka mbajtur kreun në këto javët e para të kampionatit, Besën. Si e mendoni këtë ndeshje dhe cilat janë synimet e ekipit tuaj?
Besa, me sa kam dëgjuar dhe kam njohuri, është një nga klubet më të vjetra në Shqipëri dhe me emër të madh. Këtë sezon është bërë një punë kolosale në investimin e klubit dhe jo më kot, cilësitë e skuadrës janë shfaqur gjatë këtyre ndeshjeve të para të kampionatit. Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Pavarësisht se kemi marrë kreun, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë e të përqendrohemi te ky takim i radhës. Të tillë e konsideroj këtë përballje. Sigurisht që synimi im i vetëm është fitorja e për këtë do të punojmë gjatë gjithë javës me stafin teknik dhe shokët e mi.
Skeda
Manfredas Ruzgis
Datëlindja: 05.01.1997
Vendlindja: Siegen, Gjermani
Kombësia: Lituaneze
Gjatësia: 1.89m
Pozicioni: Sulmues
Karriera :
014–2016 Paderborn II
2016–2018 Këln II
2020–2021 UNA Strasen
2021–2023 SC Uiedenbryk
2023–2024 Rot-Vaiz Oberhausen
2024 Uiedenbryk
2024– 2025 Vora
4 Gola ka shënuar Manfredas Ruzgis për Vorën në tetë javë kampionat. Lituanezi është golashënuesi më i mirë i ekipit dhe me golat e tij po i merr vorakët për dore drejt arritjes së objektivit madhor.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"