EKSKLUZIVE/ Sfida me Vllazninë nuk i tremb, drejtori i Elbasanit: Nuk i ndahemi 4-shes, kemi më shumë forcë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2024 | 12:22

EKSKLUZIVE/ Sfida me Vllazninë nuk i tremb, drejtori i Elbasanit: Nuk i ndahemi 4-shes, kemi më shumë forcë

Elbasani ka mundësinë që pas kësaj jave të ngjitet në krye, nëse ia del të rrëzojë nga froni Vllazninë, duke e mundur të dielën në “Elbasan Arena”. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” drejtori sportiv i Elbasanit, Elton Guranjaku, është optimist para kësaj përballje, ku sigurisht pret edhe një mbështetje të madhe nga shkallët e stadiumit.

guranjaku

Guranjaku thekson se skuadra deri më tani ka bërë mirë, duke parë problematikat që kanë si një skuadër e re, por është nga ata që nuk e sheh klasifikimin kaq herët. Në fund, ai pohon se skuadra do të përpiqet ta shfrytëzojë në maksimum kalendarin, me tri ndeshjet që do t’i kenë në shtëpi.

Sa të kënaqur jeni me ecurinë e skuadrës deri më tani? Besoj se jemi në rrugën e duhur. Deri tani kemi bërë mirë, por i kemi të gjitha mundësitë të bëjmë akoma më mirë. Jemi një skuadër e re, e formuar vetëm para dy muajsh, kemi nevojë për kohë dhe ende nuk jemi në 100%- shin tonë.

Këtë javë prisni Vllazninë, çfarë synoni? Vllaznia është skuadër me shumë cilësi brenda dhe na pret një ndeshje e vështirë. Synimi ynë në çdo ndeshje është për të marrë maksimumin. Stafi teknik është duke e përgatitur mjaft mirë, duke i dhënë rëndësinë e duhur. Me rikthimin në fushë të kapitenit Lulaj dhe Ze Gomesh, besoj se do të na ndihmojnë akoma më shumë për arritjen e objektivit, atë të fitores ndaj shkodranëve.

Një mundësi për të kapur vendin e parë, sa ju stimulon ky fakt? Të them të drejtën, klasifikimin nuk e shikoj tani, është ende herët. Por fakti që jemi aty lart në klasifikim është një stimul më shumë për të qëndruar sa më gjatë aty dhe ta përfundojmë sezonin në vendet e para. Kemi një skuadër që i ka të gjitha mundësitë të luajë me këdo si e barabartë.

Keni tri ndeshje radhazi në shtëpi, do ta shfrytëzoni këtë mundësi? Kalendari na jep këtë favor, që të luajmë përpara tifozëve tanë dhe na duhet ta shfrytëzojmë këtë faktor, pasi të gjithë e dimë sa të rëndësishëm janë tifozët për ne. Është një mundësi e mirë për të bërë sa më shumë pikë.

Prisni një stadium të mbushur të dielën, meqenëse janë edhe dy skuadrat kryesuese? Deri tani jemi i vetmi stadium me një atmosferë të jashtëzakonshme në kampionat, aq më shumë që bëhet fjalë për dy skuadra me histori dhe traditë në Shqipëri. “Tigrat” dhe “Vllaznit” janë dy grupe tifozerie me një marrëdhënie mjaft të mirë dhe jam i sigurt që do jetë spektakël në fushë dhe tribuna, duke uruar që në fund të triumfojmë ne.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"