EKSKLUZIVE/ Sfida në “Air Albania”, Gvozdenoviç: E kemi si derbi, me kokën lart në Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2024 | 11:28

EKSKLUZIVE/ Sfida në “Air Albania”, Gvozdenoviç: E kemi si derbi, me kokën lart në Tiranë

Skënderbeu kërkon vijimësinë në ndeshjen e radhës ndaj Tiranës. Përtej faktit se bëhet fjalë për një ndeshje të vështirë në transfertë, korçarët do të mundohen të marrin maksimumin e mundshëm në këtë ndeshje për të përmirësuar ndjeshëm situatën sezonale të ekipit.

ivan gvozdenovic

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” kryepankina e Skënderbeut, Ivan Gvozdenoviç flet për gjendjen e ekipit dhe për vështirësinë e këtij takimi që sipas tij mbetet një derbi dhe ndeshje të tilla janë gjithmonë të vështira.

Ivan, fitorja me Laçin ju hoqi presionin. Si duket gjendja në ekipi e Skënderbeut? Po është e vërtetë ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne për vetë faktin që vinim nga dy humbje dhe në një pozicion jo të mirë në renditje. Ishim të presionuar nga mungesa e rezultateve dhe kjo na bënte që të kërkonim fitoren si të vetme mundësi për të larguar presionin dhe për të ngritur moralin. Përtej gjithçkaje ne e kemi kaluar këtë moment. Kemi marrë një fitore dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për ne.

Pas kësaj fitoreje ekipi është më i qetë? Normalisht që jemi më të qetë. Pas atij rezultati kemi moralin më të lartë dhe jemi të përqendruar për të bërë mirë në këtë ndeshje radhe. Ekipi ka punuar mirë dhe e kam parë shumë të përqendruar gjatë kësaj jave. Kjo është e rëndësishme, pasi për ne kryesorja është që të kemi një skuadër të kompletuar dhe mbi të gjitha të karikuar në maksimum për çdo ndeshje.

Skënderbeu është i karikuar përpara Tiranës? Patjetër që po, pasi këto ndeshje janë vetë karikim për lojtarët. Unë i quaj derbi dhe në ndeshje të tilla çdo lojtar vetëmotivohet. Ne duhet të jemi të motivuar, por edhe të përqendruar. Le ta menaxhojmë mire këtë situatë dhe të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë më të mirë në këtë moment.

Si shkon Skënderbeu përballë Tiranës? Deri tani gjithçka po shkon shumë mirë. Sot kemi edhe seancën e fundit stërvitore dhe do të shohim se si do të mbyllë përgatitjet grupi dhe më pas të vendosim se çfarë do të bëjmë sa i përket formacionit. E rëndësishme në këtë moment është që ekipin e kam të plotë dhe mundësia e zgjedhjeve është e madhe për mua.

Skënderbeu shkon vetëm për fitore në kryeqytet? Ne jemi Skënderbeu dhe gjithmonë do të mundohemi që të marrim objektivin maksimal. Fitorja është detyrim për ne në çdo ndeshje, por kjo nuk duhet të na kushtëzojë. Le të hyjmë në fushë me kokën lart dhe të shohim se si do të shkojë ndeshja. E rëndësishme është të japim maksimumin në fushë dhe të përpiqemi të jemi të përqendruar në çdo moment të lojës.

Sa e vështirëson ndeshjen fakti që edhe Tirana është në kërkim të pikëve? Tirana ka kampionatin e saj dhe normalisht ne e respektojmë si ekip. Nuk na intereson se çfarë situate kanë ekipet e tjera apo se janë në kërkim të pikëve. Ne kemi kampionatin tonë dhe objektivat tona ndaj vetëm për këto jemi duke menduar. Do të shkojmë në Tiranë për të dhënë maksimumin dhe kjo ka shumë rëndësi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"