EKSKLUZIVE/ Sherri në derbi, lojtarja e Tiranës rrëfen incidentin në parket: Po sikur goditjen ta merrte gabimisht djali im…?! (E PLOTË)
Ngjarja e ndodhur në derbin e basketbollit të femrave mes Partizanit dhe Tiranës ka tronditur mbarë opinionin publik në vend. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes në parket shpërtheu një sherr i paprecedentë i përmasave masive, mes lojtareve, por edhe me persona nga jashtë. Përplasja verbale për t’u kthyer në fizike nisi fillimisht mes amerikanes së Partizanit, Antoinette Bannister dhe lojtares së Tiranës, Ebi Dishnica.
Kjo e fundit në një rrëfim për “Panorama Sport” tregon se si gjithçka degradoi në dhunë. Dishnica sqaron edhe përfshirjen e një prej familjarëve të saj në këtë situatë, duke e konsideruar gjithçka një reagim instiktiv. Teksa tregon se është mjaft e tronditur nga kjo situatë, ajo bën apel që ngjarje të tilla nuk duhet të ndodhin më në sportin e koshit.
Ebi, cili është komenti juaj për këtë ngjarje?
Fillimisht dua të shpreh se situata, incidenti i ndodhur ndeshjen e fundit ndërmjet dy klubeve elitare është një shfaqje e cila nuk i bën krenare klubet, tifozët dhe për me tepër mua personalisht, familjarët e mi, ashtu siç besoj se as lojtaret e tjera të përfshira. Pasi personalisht përtej situatës provokuese dhe faktit se jam goditur pabesisht në momentin pas përfundimit të ndeshjes. Ne po jepnim dorën dhe ndërkohë familjari im po më sillte djalin, pra ndodhej afër meje. Ndërsa pikërisht në këtë moment ndodhi edhe goditja. Unë isha e drejtuar drejt djalit tim të vogël, e painteresuar përkundrejt lojtares në fjalë dhe çfarë po ndodhte në fushë dëshiroj ta konsideroj si një aksident, ku palët vepruan në një mënyrë aspak të hijshme. Një ngjarje në kundërshtim me vlerat të cilat duhet të përcjellë sporti. Por duke marrë shkas nga ndodhitë e fundit dhe nga mënyra se si pasqyrohet me anë të filmimeve do të doja të tregoja dhe faktoja incidentin që ndodhi.
Si nisi sherri dhe si erdhi përplasja?
Incidenti filloi që në sekondat e fundit të lojës, moment ku dhe lojtarja ka marrë teknike për dhunë verbale të ushtruar ndaj stolit tonë. Në momentin që ne kemi përfunduar ndeshjen dhe shkuam për t’u dhënë dorën lojtareve, duke e pranuar që ishte një ndeshje e bukur me rivalitet të madh dhe më se e merituar fitorja nga skuadra e Partizanit, lojtarja e tyre Antoinette Bannister filloi të bënte dhunë verbale ndaj meje dhe përfundoi duke më goditur. Ndërkohë në këtë moment s’mund të lë pa përmendur që pranë meje ishte familjari im bashkë më fëmijën tim të vogël, i cili ishte afruar për të më sjellë fëmijën, duke qenë se ndeshja kishte mbaruar. Në këtë moment, si një veprim instiktiv vetëmbrojtjeje me djalin në krah, që duket fare mirë edhe në video, ai ka reaguar ndaj lojtares. Vetëmbrojtja në çdo vend të botës është shkak-pasojë e goditjes që mora, goditje që më solli edhe probleme në sy, të cilën mundeni ta keni të faktuar edhe me foto.
Keni shkëmbyer fjalë gjatë ndeshjes?
Gjatë ndeshjes lojtaret kanë provokuar me veprime dhe fjale si “Shut the ‘F*ck up*’”, gjithashtu duke na duartrokitur në fytyrë që në fillimet e ndeshjes dhe këto janë lehtësisht të vërtetueshme në të dyja ndeshjet e zhvilluara. Por kulmi ishte sulmi i zhvilluar në mbarim të ndeshjes, kur çdo gjë kishte përfunduar. Unë jam një lojtare profesioniste, ku përpara një sezoni kam qenë vetë pjesë e Partizanit dhe isha faktor kyç në fitimet e kupave dhe me lojtaret e Partizanit jam mike. Kurrë në 16 vite eksperiencë si basketbolliste nuk më ka ndodhur një incident i tillë. Ndërsa më duhet të përmend që lojtarja, e cila më sulmoi, nëse kërkohet për të del që është një lojtare e larguar edhe nga kolegjet në Amerikë, duke pasur një “background” jo të mirë karakterial.
Po në ndeshjen e kaluar keni pasur probleme?
Siç e shpreha më lart edhe në ndeshjen e parë lojtaret e huaja të ekipit kundërshtar kanë bërë dhunë verbale ndaj nesh dhe ndaj tifozëve. Kjo është lehtësisht e faktuar në ndeshjet e filmuara.
Një prej familjarëve tuaj gjithashtu është përfshirë në këtë situate. Si qëndron e vërteta?
E vërteta qëndron që unë mora një goditje në kokë në momentin e përshëndetjes. Në krah tim ndodhej një familjar i im që kishte ardhur të më jepte fëmijën 14-muajsh, që e kishte në krahë. Reagimi i tij ka qenë reagim instiktiv vetëmbrojtës i momentit, pasi u frikësua duke më parë të rrezikuar nga agresiviteti i lojtares në fjalë ndaj meje dhe fëmijës tim. Po sikur ky grusht që erdhi ndaj meje t’i kishte shkuar gabimisht fëmijës tim, për çfarë do të flisnim sot? Sherri më pas ka vazhduar dhe me prindërit e mi, ku është kthyer në një kaos masiv. Partizani dhe Tirana janë dy skuadra elitare, që incidente të tilla nuk i shkojnë për shtat historisë që kanë në supe dhe përgjegjësia është e dyanshme dhe duhet lënë çdo gjë në kuadrin e lojës pa pasur asgjë personale.
Ndërkohë nga Partizani kanë ardhur akuza se kemi pasur sharje raciste…
Nga ana jonë nuk ka pasur asnjë ofendim racial ndaj tyre, pasi ne kemi vetë lojtare të huaja dhe jemi shumë të lumtura që janë pjesë e jona për të rritur nivelin e basketbollit shqiptar. Asgjë çfarë aludohet me video të përgjysmuara nuk nxjerr fillesën e asgjëje, pasi dëshmitarët që ndodheshin aty, duke përfshirë dhe lojtare të Partizanit, që panë fare mirë sulmin, të cilat mund të dëshmojnë çdo gjë. Por siç thashë këto veprime nuk duhet të ndodhin më. Ne duhet të jemi pozitivë për të dhënë më të mirën tonë e për ta rritur nivelin e basketbollit shqiptar, për ta ngritur sa më lart.
ARTIN LELESHAJ – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"