EKSKLUZIVE/ “Sirena” sllovene për Kristian Mba! Partizani bën rezistencë, por është gati të negociojë çmimin
Pas Hadrojt dhe Rrapajt, Kristian Mba mund të jetë një tjetër largim nga Partizani gjatë merkatos së janarit.
Nigeriani e ka nisur shumë mirë këtë sezon më 5 gola të shënuar dhe bie gjithnjë në sy për mënyrën e tij të të luajturit dhe fizikun që ka. Këto tregues kanë ngjallur interes të disa skuadrave nga jashtë vendit dhe në thuajse çdo merkato ai ka pasur oferta për tu transferuar në liga më të forta.
“Panorama Sport” mëson nga burime pranë klubit se sllovenët e Olimpija Ljubjana janë të interesuar për Mba dhe kanë bërë edhe një propozim, shifrat e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin. Sllovenia ka qenë një opsion për Mba edhe më parë, kur Partizani refuzoi ofertën e klubit të Celje. Tashmë është Olimpija Ljubjana, që për shkak dëmtimesh nuk ka shumë opsione në sulm dhe ka zgjedhur Mba për të përforcuar skuadrën.
KONTRATA – Nigeriani është i gatshëm për ta kryer këtë lëvizje, por ai ka kontratë deri në verën e vitit 2026. Në këto kushte gjithçka mbetet në dorën e Partizanit dhe çelësi i operacionit janë paratë. Çfarë nuk blihet me para, blihet me më shumë para. Partizani ka shpenzuar plot 180 mijë euro në janar të vitit 2023 për ta blerë nga Trepça 89 dhe kërkon që minimalisht të mbulojë shpenzimet e blerjes dhe pagave të lojtarit.
Të kuqtë do të ishin të gatshëm ta shisnin për një shifër prej afro 400 mijë eurosh, nisur edhe nga potenciali dhe cilësitë që nigeriani zotëron. Mbetet për tu parë sesa sllovenët janë të gatshëm t’i afrohen kësaj shifre. Duhet thënë se ata po mundohen të shfrytëzojnë edhe dëshirën e lojtarit për tu larguar.
Olimpija Ljubjana në këtë sezon po dominon futbollin slloven, duke u renditur e para në kampionat, por edhe duke korrur sukses në Europë, ku luan në raundin e parë të fazës finale të Ligës së Konferencës dhe ka shanse të mëdha për të kaluar në fazën e 1/16-ave. Gjithsesi, Olimpija duhet të bindë Partizanin, por edhe të mposhtë konkurrencën e disa klubeve të tjera për Mba. 25-vjeçari aktualisht vlerësohet 300 mijë euro nga portali i specializuar, “Transfermarkt”.
DENIS LALA-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"